Hapen zyrat ndërlidhëse për bashkëpunim ekonomik Kosovë-Izrael

02/03/2021 1:01 PM 0 komente

Menjëherë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit është hapur Korporata Zhvillimore dhe Investuese ndërmjet dy vendeve.

Qëllimi i kësaj korporate thuhet se është rritja e shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.

Damian Brikman dhe Israel Levinson janë bashkëthemeluesit e kësaj korporate.

Kosova dhe Izraeli kishin vendosur marrëdhënie diplomatike menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik në Shtëpi të Bardhë.

Pas kësaj, Kosova pritet të vendos ambasadën në Jerusalem.

Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes një deklarate në Twitter, e ka quajtur ditë historike vendosjen e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Urime Izraelit dhe Kosovës për krijimin zyrtar të marrëdhënieve diplomatike – një ditë historike. Kur partnerët tanë janë të bashkuar, Shtetet e Bashkuara janë më të forta. Lidhjet më të thella ndërkombëtare ndihmojnë më tej paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Lindjen e Mesme”, ka shkruar Ned Price, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Edhe ish-emisari special amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka quajtur të mrekullueshme ditën e sotme, ku Kosova dhe Izraeli vendosën zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike.

Grenell, përmes një postimi në Twitter,  u shpreh mirënjohës ndaj ministres së Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj, ish-presidentit Donald Trump dhe sekretarit të ri amerikan të Shtetit Antony Blinken.

Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike, vendim i cili nga të dyja shtetet u cilësua si “historik”.

Pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, Albin Kurit, i cili është kandidat për kryeministër të vendit, ka marrë letra urimi nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Përderisa Netanyahu i ka shkruar Kurtit se e mirëpret në Izrael “për të inauguruar Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem”, në anën tjetër, Erdogan ka porositur Kurtin që “do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, i cili mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”.

Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump. Dokumenti i nënshkruar nga Kosova, parasheh njohjen e ndërsjellë me Izraelin. Ndërkaq, në rastin e Serbisë, zhvendosjen e Ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of