Flet Delinda Muçollari, eksperte turizmi, blogger
Turizmi i fundjavës, sipas meje, është pika e fortë e industrisë sonë turistike, sepse ende nuk është e mundur të mbahet një marrëdhënie e shëndetshme më afatgjatë me pushuesin, për shkak të mungesës së organizimit dhe shpeshherë profesionalizmit.
Sipas Delinda Muçollari, eksperte turizmi, blogger, bregdeti mbetet gjithnjë primar në çdo sezon veror, që nga Velipoja deri në Ksamil, me një nevojë shumë të madhe për një ofertë më interesante në Veri të vendit, ku fundjavat janë shumë më të vakëta sesa në jug.
Cilat janë alternativat që ofron vendi ynë për turizmin e fundjavës?
Oferta e fundjavës është gjithnjë e më e larmishme, për sa kohë që agjencitë e udhëtimit vazhdojnë të sjellin në tregun turistik destinacione të reja e të paeksploruara nga viti në vit. Rezultat në të cilin ka kontribut edhe zhurmnaja dixhitale, blogjet dhe blogerët e udhëtimit, rrjetet sociale dhe moria e materialeve audiovizuale të këtyre destinacioneve, foto e video të reja të realizuara me dron etj.
Të gjitha këto, në funksion të romanticizimit të këtyre destinacioneve, shpeshherë duke i optimizuar përtej realitetit. Destinacione historike e kulturore janë Kruja me dy atraksione kryesore: Pazarin e Vjetër dhe Kalanë e Krujës, Berati me lagjet e vjetra të Mangalemit e Goricës dhe qytetin brenda kalasë, Gjirokastra për të njëjtat arsye gjithashtu, Korça, Vlora dhe Shkodra për ofertën e muzeve si ai i Artit Mesjetar (Korçë), i Pavarësisë (Vlorë), Marubi (Shkodër), dhe atraksione jashtë qyteteve të mëdha si Kalaja e Bashtovës, Apollonia, Butrinti etj.
Bregdeti mbetet gjithnjë primar në çdo sezon veror, që nga Velipoja deri në Ksamil, me një nevojë shumë të madhe për një ofertë më interesante në veri të vendit, ku fundjavat janë shumë më të vakëta sesa në Jug, edhe për shkak të mungesës së ‘turizmit të eksperiencës’ që pushuesit jo vetëm të huaj, por edhe vendas, kërkojnë.
Turizmi i fundjavës, sipas meje, është pika e fortë e industrisë sonë turistike, sepse ende nuk është e mundur të mbahet një marrëdhënie e shëndetshme më afatgjatë me pushuesin, për shkak të mungesës së organizimit dhe shpeshherë, profesionalizmit.
Si ka qenë oferta këtë vit sa u përket kostove, krahasuar me periudhën para pandemisë?
Nisur nga një vështrim i ofertave të kësaj pranvere, nuk vihet re një ndryshim i ndjeshëm i çmimeve të paketave që agjencitë e udhëtimit propozojnë për fundjavën, ndërkohë që ka më tepër ofertë luksi në treg, më tepër hotele apo resorte që kërkojnë shpenzime më të mëdha për pushuesin.
Ky natyrisht është tregues i fillimit të transformimit të Shqipërisë në perceptimin e turistëve të huaj nga vendi më i lirë në rajon për të bërë pushime, me kosto të ulët të transportit dhe ushqimit, me atraksione kryesore natyrën e paprekur dhe plazhet publike, në një destinacion që mund të përballojë edhe kërkesat e luksit.
Natyrisht nëse do të dihet të bëhet mirë, ky lloj turizmi është shumë fitimprurës për të gjithë komunitetin. Po ndërkohë që flasim për shërbime luksi, ndeshemi sërish me një nga ngërçet e përhershme si transporti publik, i cili për destinacione relativisht të largëta bëhet gjithnjë e më pak komod, sidomos për turistin e huaj.
A kanë të huajt interes për vizita afatshkurtra?
Këtë interes, jam në gjendje ta përkthej nga artikujt që lexohen më tepër në blog dhe feedbacku që na vjen në rrjetet sociale. Për shembull, një nga më të lexuarit është ‘TOP 10 things to do in Kruja’, që shpjegon natyrën e kërkesës, udhëtim fundjave, i shkurtër, i aspektit historik e kulturor dhe pa impenjim afatgjatë.
Megjithatë, do t’i ndaja turistët e huaj në 3 kategori: ata që vijnë për të pushuar në bregdet bashkë me familjen 1 ose 2 javë, për shkak të kostos së ulët krahasuar me vendet e tjera në Mesdhe, ata që e vizitojnë Shqipërinë, si pjesë e një itinerari Ballkanik dhe ata që e vizitojnë vendin për çështje pune.
Nevoja është që Shqipëria të promovohet në aspektin kulturor si një vend unik, me një gjuhë unike, tradita unike dhe ofertë unike turistike. Në këtë mënyrë, të huajt jo vetëm që do të kenë interes për vizita afatshkurtra, por do të nisen për të planifikuar udhëtimet drejt Shqipërisë si shkak, jo më si pasojë.
Një nga metodat që ne përdorim në blogun www.albania360.com është storytelling, duke prezantuar Shqipërinë në qelizë, historitë e njerëzve dhe vendeve, për t’u dhënë zë ndërtesave të pajeta dhe për të nxjerrë në pah autenticitetin e kulturës dhe historisë sonë. Pra jo më si pjesë e paketave ballkanike, por si guri i çmuar dhe i panjohur i Mesdheut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.