Hapet gara për prodhimin e mbi 1,5 mln pullave të shërbimit postar, me vlerë 11,4 mln lekë

04/05/2021 6:09 PM 0 komente

Posta shqiptare hap garën për prodhimin e emisionit të pullave postare për 2021.

Në total posta shqiptare parashikon të prodhojë 1,5 milionë pulla për shërbimin postar dhe 52 mijë pulla për filateli. Fondi i vënë në dispozicion për prodhimin e emisionit të pullave shqiptare është 11,405,250 lekë. Operatorët kanë afat të dorëzojnë ofertat e tyre deri më 20 maj.

Sipas skedës teknike të emisionit të pullës postare, te pullat për filateli prodhimin më të lartë prej 16 mijë copë e zënë ato me “Garat rally në Shqipëri”, “Euromed postar 2021”, me figurat patriotikë parashikohet të prodhohen 15 mijë copë dhe me monedhat antike 14 mijë copë. Për pullat e shërbimit postare numrin më të lartë të prodhimit e zënë ato 70 lekëshe në 240 mijë copë, pullat 20-20 dhe 120 lekëshe do të prodhohen 120 mijë copë për secilën seri dhe 130 mijë copë do të jetë totali i pullave 80 lekëshe. Pas nënshkrimit të marrëveshjes me operatorin që do të shpallet fitues afati i prodhimit të pullave do të jetë 80 ditë.

Më herët në projektvendimin “Për miratimin e dokumentit të politikës së shërbimeve postare në Republikën e Shqipërisë për vitet 2021 – 2026” të publikuar për konsultim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës Posta Shqiptare sh.a. kërkon rishikimin e tarifave postare për shërbimin universal postar në veçanti lidhur me nevojën e mbulimit të kostove për ofrimin e shërbimit universal.

Referuar tarifave të aplikuara në Shqipëri nga ofruesi i shërbimit universal në strategjinë e Ministrisë të Energjetikës, tarifat për dërgimin e letrës me peshë 20 gram brenda vendit janë përkatësisht 70 lekë për letrën e porositur dhe 40 lekë për letrën e thjeshtë. Çmimi mesatar në Europë për dërgimin e një letre prioritare me peshë deri 20 gr brenda vendit është 0,91 euro. Ky çmim ka pasur një rritje me 9, 3% gjatë periudhës 2014-2018. Çmimi mesatar në Europë për dërgimin e një letre të thjeshtë me peshë deri 20 gram brenda vendit është 0.64 euro dhe ka pasur një rritje mesatare prej 1, 8% në vitin 2018 kundrejt vitit 2017.

Në strategjinë e publikuar në fillim të këtij vit nga Posta Shqiptare kërkohej edhe ndryshimi i kufirit të lejuar për blerjen e mallrave online deri në 22 euro pa TVSH, pasi kjo po rrit kostot për operatorët e shërbimit postar.

“Operatorët postarë raportojnë kosto të larta administrative në zhdoganimin e dërgesave të vogla në doganat shqiptare, duke rritur në këtë mënyrë tarifat për trajtimin e dërgesave në doganë dhe duke kontribuar në vonesën e dërgesave. Që eksperienca e shqiptarëve me blerjen e mallrave online, veçanërisht të atyre ndërkufitare të jetë sa më e volitshme dhe sa më komode, nevojitet marrja e masave të tilla si krijimi i një one-stop-shop online për pagesën e TVSH, rritja e tarifës “de minimis” për detyrimet e importit, apo eliminimi i tarifave të skanimit për dërgesat me vlerë të ulët. Shqipëria ka një regjim të thjeshtuar për tregtinë ndërkufitare për dërgesat e vogla.

Një vlerë “de minimis” prej 22 eurosh është caktuar, poshtë së cilës importet përjashtohen nga TVSH-ja e importit dhe detyrimet doganore, duke kursyer në kosto administrative. Tregtarët e autorizuar që përpunojnë një numër të madh pakosh postare ndërkufitare (të tilla si kompanitë e logjistikës që trajtojnë një numër të madh pakosh postare në emër të shitësve online ndërkufitarë) mund të plotësojnë deklarata të thjeshtuara për secilin artikull, që do të ndiqen më pas nga plotësimi i një deklarate shtesë përmbledhëse brenda 24 orëve”, thuhej në draft.

Lexo edhe këtë: MIE propozon rritjen e kufirit të lejuar për blerjet online pa TVSH, nga 22 euro që është sot |Revista Monitor

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of