Hapet gara për rehabilitimit të sistemit të kanalizimeve dhe rrjetit të ujësjellësit në Himarë.
Projekti, i cili do të zgjasë 3 vite, është pjesë e Programit Rural të Furnizimit me Ujë, me fonde hua akorduar nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW.
Përmes këtij programi, do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë rehabilitimit dhe zgjerimit të rrjetit të kanalizimeve dhe ndërtimit të një impianti për trajtimin e ujërave të ndotura në Himarë.
Njoftimi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) , autoriteti kontraktual në këtë projekt, shpjegon se, ofertimi i hapur deri në 12 prill, do të bëhet përmes procedurave të hapura të tenderit bazuar në udhëzimet e CEB-it për prokurimin e furnizimeve, punëve dhe shërbimeve. FSHZH njofton se ofertuesit duhet të jenë të regjistruar në Shqipëri.
“Fondi Shqiptar i Zhvillimit fton kontraktorët e pavarur të paraqesin një propozim tenderi për kontratën “Himara WWTP, sistemi i kanalizimit, stacionet e pompimit, impianti i trajtimit të llumrave, derdhjet e detit në Himarë dhe Orikum, – Lot 3, RWS RWSP IV-CWS-ICB-2020-3, Numri i Prokurimit KfW 505700. Periudha e zbatimit do të jetë 24 muaj, e ndjekur nga një Periudhë e Njoftimit të Defekteve 12 muaj. Procedura e tenderimit është oferta konkurruese ndërkombëtare për të gjithë tenderuesit e kualifikuar siç përcaktohet në udhëzimet e prokurimit të KfW Kontrata do t’i jepet ofertës më të ulët të përgjegjshme. Raporti i Vlerësimit duhet të marrë aprovimin dhe Mos-vërejtjen e KFW. Tenderuesi i vlerësuar duhet të regjistrohet në Shqipëri në rast se nuk është regjistruar tashmë.”- thuhet në njoftim.
Ky tender është pjesë e Projektit Rural të Furnizimit me Ujë, faza IV dhe synon të zbatojë një pjesë të të ardhurave për pagesa sipas kontratave të punëve për infrastrukturën e ujit.
Financimi total i FUZR IV është 44 mln Euro, nga të cilat 42 mln Euro janë me financim nga Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Pas grantit të parë, janë shtuar 2.22 milion euro nga Instrumenti i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).
Granti është bërë i mundur në sajë të kontributeve nga Donatorët Bilateralë në Fondin e Përbashkët të WBIF dhe do të shërbejë për mbikëqyrjen e punimeve. Programi FUZR IV përqendrohet në furnizimin me ujë të pijshëm dhe trajtimin e ujërave të ndotura në rajonin bregdetar të Himarës dhe Orikum. Objektivi i programit është përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm dhe krijimi i kushteve higjieno-sanitare përmes sistemit të kanalizimeve, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura në zonat bregdetare.
Përveç burimit në fshatin Lëpushë, i cili do të furnizojë Himarën me ujë të pijshëm, programi do të lehtësojë dhe ndërtimin e sistemeve të furnizimit me ujë, duke ndërtuar rezervuarë të rinj uji, rrjet të ri të shpërndarjes së ujit dhe matës të rinj uji për familjet në fshatrat Kuç, Buronjë, Pilur, Kudhës, Vuno, Jalë, Livadh, Himarë, Himarë Fshat, Qeparo, Qeparo Fshat etj. Përfituesit e këtij programi janë afërsisht 50.000 banorë dhe vizitorë të cilët do të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë në ditë. Në Orikum do të investohet në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm, në kanalizime dhe në impiantin ekzistues të trajtimit të ujërave të ndotura i cili do të vihet në zbatim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.