Rrjeti i furnizimit me ujë të pijshëm për 15 fshatrat e zonës të Novoselës në Vlorë do t’i nënshtrohet rikonstruksionit. Fondi me vlerë rreth 734 milionë lekë do të përdoret për rikonstruksionin e linjave të dërgimit dhe shpërndarjes të ujit të pijshëm, depon grumbulluese deri në instalimin e matësve për abonentët.
Projekti për rikonstruksionin e rrjetit të ujit të pijshëm për këto fshatra pritet të përfundojë në 2024. Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve (AKUM) për vitin 2021 ka parashikuar fondin me vlerë 176 milionë lekë, kurse diferenca do të parashikohet në buxhetin e viteve 2022 – 2024. Nga Bashkia e Vlorës është hapur gara për punimet në vitin e parë të investimit me vlerë 176 milionë lekë. Operatorët kanë afat për dorëzimin e ofertave deri më 15 shkurt të 2021.
Aktualisht sipas të dhënave të projektit banorët e 15 fshatrave të Njësisë Administrative Novoselë furnizohen nga 7 puse që çojnë ujë në depon grumbulluese pranë stacionit qendror të pompimit në Novoselë. Nga stacioni qendror i pompimit uji shpërndahet në fshatra nëpërmjet tubacioneve të shtruara që nga viti 1963 dhe depoja ekzistuese e grumbullimit është e amortizuar.
Në projektin e ri punimet do të përfshijnë zëvendësimin e pompave ekzistuese për 7 puset më të reja dhe të tubove të vjetra të dërgimit në rezervuarin grumbullues qendror; zëvendësimin e linjave të ujësjellësit për 15 fshatrat; përmirësimin e rrjetit shpërndarës për lagjet e reja dhe do të instalohen rreth 4,180 matës të ujit për të gjithë fshatrat e zonës të Novoselës.
Konkretisht synohet që për fshatin Novoselë dhe Fitore do të projektohet një sistem i vetëm që do të furnizohet direkt nga stacioni qendror. Për dy fshatrat është ndërtuar modeli hidraulik, si dhe është dimensionuar sistemi shpërndarës. Në projekt do të përfshihet edhe projektimi i një linjë të veçantë për furnizimin me ujë të fshatrave, si: Bishan, Poro, Dëllenje, Delisufo dhe Akernia, Kërkovë, Panaja, Oshëtimë, Cerkovinë dhe Trevllazeno, si dhe do të projektohet një stacion i përbashkët shtytës për depot e fshatrave, si: Kekrove, Panaja, Oshëtimë dhe Bestrovë.
Projekti parashikohet të mbulojë furnizimin me ujë të pijshëm për 15 fshatra me popullsi prej 23,590 banorë. Perspektiva e investimit parashikohet të zgjasë për 25 vjet, sipas dokumenteve të projektit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.