Bashkia e Tiranës hap tenderin me vlerë rreth 1,7 miliardë lekë për realizimin e projektit “Rijetësimi i Piramidës”. Procedura e prokurimit do të jetë e hapur dhe afati i dorëzimit të ofertave,deri më 2 shtator të këtij viti. Afati i përfundimit të kontratës do të jetë 24 muaj.
Fondi për financimin e Piramidës do të përdoret nga të ardhurat e Bashkisë të Tiranës, të buxhetit të shtetit të vëna në dispozicion nga Ministria e Kulturës, si dhe të ardhurat e Fondit shqiptaro-amerikan për Zhvillim vënë në dispozicion në kuadër të marrëveshjes të bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës për projektin “Rijetësimi i Piramidës”.
Projekti i rivitalizimit të Piramidës së Tiranës i prezantuar në tetor të 2019 nga Bashkia e Tiranës, synon transformimin e godinës në një qendër multifunksionale, duke përfshirë hapësira për të rinjtë, artin dhe kulturën.
Nga qeveria e mëparshme, Piramida parashikohej të shndërrohej në një tjetër projekt. Në vendin ku ngrihet Piramida dhe funksiononte si Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, në vitin 2013 pritej të ngrihej kompleksi i ri parlamentar, për të cilin nga Komiteti Shtetëror u shpall fitues projekti austriak “Coophimeilbau” i përzgjedhur nga juria ndërkombëtare nga 12 projekt-moketet që u paraqitën dhe qëndruan të ekspozuara për publikun te Kryesia e Kuvendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.