dustria e prodhimit të këpucës në vend, që zotëron rreth 20% të totalit të eksporteve, me 480 milionë euro në vit, po përfshihet në një cikël të ri, që fillimisht rrezikon të krijojë vështirësi në eksporte dhe punësim. Shitjet jashtë vendit ranë në dy muajt e parë të vitit, ndërsa ndryshimi i stilit të jetesës po diversifikon shpenzimet nga veshjet drejt argëtimit. Fabrikat shqiptare mund të përfitojë nga trendet e reja që kërkojnë shumëllojshmëri dhe prodhime në sasi më të pakta. Pashai, Mici dhe Laro skicojnë profilin e ri të industrisë
Blerina Hoxha
Të udhëtosh në ditët e sotme të jep më shumë kënaqësi se blerja e dy-tre palë këpucëve firmato. Shmangia nga luksi i tepërt dhe të veshurit thjesht dhe më pranë komoditetit po sjell një trend të ri në shportën e shpenzimeve të konsumatorëve europianë. Një stil i ri jetese po ndryshon shportën e shpenzimeve në disfavor të veshjeve dhe këpucëve në drejtim të argëtimit dhe eksplorimit të botës. Kjo qasje ka vënë para zhvillimeve të reja industrinë e prodhimit të këpucëve dhe veshjeve në tërësi në të gjithë zinxhirin e saj.
Pjesë e këtyre ndryshimeve është bërë edhe industria shqiptare e këpucëve e cila, edhe për shkak të paqëndrueshmërisë, luhatjeve të kursit të këmbimit edhe të politikave të brendshme, është bërë më e brishtë këtë vit. Pas një rritje të lartë në dekadën e fundit, eksportet e këpucës këtë vit ranë për herë të parë me 2.3% me bazë vjetore gjatë janar-shkurt. Dobësitë nisën vitin e kaluar, kur eksportet ulën ritmin. Skënder Pashai, i cili prej vitesh zotëron fabrikën Fital, një nga më të mëdhatë e prodhimit të këpucës në vend, tha se kërkesa në tregun ndërkombëtar ka hyrë në një cikël të ri. Ai pohoi se kjo situatë do të shkaktojë një lloj tranzicioni në dy vitet në vijim në prodhimin “Made in Albania”.
Z. Pashai u shpreh se tregjet kanë ulur kërkesën dhe shitësit kanë stoqe të mëdha, çka do të thotë më pak porosi për këpucë të reja. Kërkesa po diversifikohet drejt shumëllojshmërisë së produkteve dhe në këtë aspekt, Shqipëria mund të përfitojë, por kjo kërkon kohë të paktën dy vjet sa të bëhen ndryshimet në treg. Pashai shtoi se Shqipëria, mund të përfitojë nga kërkesa e re, duke shfrytëzuar afërsinë gjeografike me Europën dhe mundësitë për të prodhuar me sasi të vogla dhe shumëllojshmëri.
Ndryshimi i kërkesës në tregjet ndërkombëtare i ka vënë në të njëjtat shina prodhuesit shqiptarë. Donika Mici, e cila nëpërmjet kompanisë Donianna realizon ciklin e mbyllur për eksport, thotë se, industria fason në vendin tonë dhe specifikisht ajo e prodhimit të këpucës, është para një cikli të ri. Ndërkohë që kërkesa në tregun ndërkombëtar po tkurret, kostot e prodhimit në Shqipëri janë rritur prej pagave më të larta.
Mici shprehet se sektorit fason i duhet të shkurtojë kostot e prodhimit nëpërmjet miradministrimit të fuqisë punëtore që të mbijetojë. Nga ana tjetër, duhet të prodhojë për kërkesën në fashën e mesme-të lartë, për konsumatorë me të ardhura mbi mesataren. Procesi kërkon një ndryshim të së gjithë teknologjisë, por rinovimi i saj kushton dhe për ta realizuar kërkon mbështetje me lehtësi nga qeveria.
Industria e prodhimit të këpucës është më novatorja e sektorit fason, pasi ka mundur të azhurnohet më shpejt me trendet e reja globale. Etleva Laro është një sipërmarrëse e re në sektor. Nëpërmjet kompanisë ProDyn, ajo ka sjellë një filozofi të re në prodhimin dhe eksportin e këpucës. Ndryshe nga prodhuesit e tjerë që kanë si destinacion kryesor tregun italian, Laro ka siguruar kontratat me klientë të fashës mbi mesataren me tregun gjerman.
Në dy vjet, ajo ka punësuar 1000 punonjës dhe aktiviteti po zgjerohet me shpejtësi. Për momentin, ajo nuk po i ndien zhvillimet në tregjet ndërkombëtare pasi është e fokusuar në përzgjedhjen e klientëve dhe ka një model prodhimi që i siguron cilësi të lartë kundrejt kostove të ulëta. Ajo tha se pika e saj e fortë është eficenca e burimeve njerëzore, nëpërmjet një zyre trajnimi të ngritur posaçërisht. Miradministrimi i kostove të brendshme dhe korrektësia e kontraktorëve gjermanë i kanë siguruar zonjës Laro rritjen e aktivitetit.
Por prodhuesit janë në një mendje se industria është përfshirë në një cikël të ri. Ky ndryshim kërkon investime në teknologji, thotë zonja Mici, dhe se fabrikat shqiptare duhet të segmentojnë prodhimin për një konsumator mbi mesataren, pasi tashmë fabrikat zotërojnë një fuqi punëtore të specializuar për këto produkte.
Eksportet nisin rënien
Pas një rritje sistematike vitet e fundit, eksportet e fasonit shënuan rënie vjetore me 2% në dymujorin të parë. Eksporti i këpucëve ‘made in Albania’ shënoi 9.7 miliardë lekë nga 10.1 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti parë, duke reflektuar rënie me 2.3%. Në fund të vitit të kaluar, vlera e eksporteve të këpucëve arriti në rreth 60 miliardë lekë, ose 480 milionë euro, duke u rritur me vetëm 6.1% në raport me një vit më parë. Në vitet e kaluara, ritmet e rritjes së eksporteve të këpucës ishin mbi 10%, dhe me vite të veçanta edhe me ritme më të larta.
Në vitin 2018, këpucët zunë 19.3% të totalit të eksporteve nga 21.7% që ishte më 2017. Zoti Pashai, administratori i fabrikës Fital, tha SE ulja e kërkesës për këpucë në tregjet globale po shton vështirësitë dhe kjo tendencë pritet se do të vijojë të paktën edhe në vitin që vjen.
Për të përballuar këtë ndryshim të kërkesës, zonja Mici nga Doniana ka në plan të reformojë punën në fabrikë, në drejtim të rritjes së produktivitetit, duke bërë edhe investime në teknologji.
Ekspozim i lartë ndaj Italisë, duhet diversifikim
Gjatë vitit të kaluar, 78% të eksporteve të këpucës kishin si destinacion tregun italian. Eksportet drejt Italisë vitin e kaluar u rritën me 6.1%. Ky përqendrim i lartë i eksportit drejt Italisë është një rrezik i dyfishtë për Shqipërinë, në rast se vendi fqinjë përfshihet në krizë. Dobësia e eksporteve të shqiptare me destinacion tregun italian ka marrë kritika edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, që rekomandojnë diversifikim të eksportit nga prodhuesit shqiptarë.
Fabrika ProDyn prej dy vitesh po rritet me ritme të shpejta në treg sesa kolegët, pasi destinacioni i saj është Gjermania. Vitin e kaluar, eksportet e këpucëve drejt Gjermanisë kapën vlerën e 1.2 miliardë lekëve, rreth 10 milionë euro, me një rritje 166% në raport me vitin e kaluar. Zonja Laro që ka destinacion Gjermaninë nuk e ka ndier krizën që vjen nga kërkesa në tregun europian. Ajo tha se Rumania dhe Bullgaria janë aktualisht më pak konkurruese se Shqipëria, ndaj Gjermania ka zhvendosur prodhimin nga këto vende në tjera me kosto të ulët. “Punoj me kompani të forta gjermane si “Josef Seibel”, që nuk kanë probleme me likuiditetin. Pagesat janë korrekte dhe të mirëpërcaktuara dhe të njëjtën korrektësi e reflektojmë me punonjësit tanë”, – tha zonja Laro.
Sipas të dhënave nga INSTAT, pas Italisë, destinacioni kryesor i këpucës “Made in Albania” është Hungaria Eksportet në këtë vend ranë me 12% në 2018-n. E treta është Spanja, me 2.6 miliardë euro eksporte, ose 4% të totalit të eksporteve. Eksportet drejt Spanjës u rritën me 13% vitin e kaluar, kryesisht për shkak të zgjerimit në këtë treg të kompanisë Fital.
Cikli i ri i prodhimit kërkon…
Cikli i ri në të cilin po futet prodhimi i këpucës kërkon ndërhyrje në dy drejtime. Së pari, rritje të produktivitetit dhe ulje të kostove në tregun e brendshëm dhe targetim të prodhimit për një klientelë mbi mesataren. Donika Mici thotë se kjo lëvizje do të amortizonte humbjet që vijnë nga një kërkesë më e ulët.
Sipas saj, produktiviteti mund të rritet, për shkak se tashmë Shqipëria ka një fuqi punëtore të specializuar e gatshme për të ofruar një produkt me cilësi të lartë. Në një proces që më parë angazhoheshin 7 persona, tani e bën vetëm një punonjës, thotë ajo. Kjo qasje e re kërkon investime në teknologji, që për fabrikën e saj kushtojnë të paktën 3 milionë euro.
Në aspektin e tregjeve globale, Shqipëria ka shanse të kthehet në përfituese, pasi i shkon për shtat më së miri kërkesës së re që kërkon furnizime të vogla dhe të shpejta, për të cilat tregjet aziatike nuk janë atraktive. Prodhuesit kërkojnë se i gjithë ky proces të shoqërohet me lehtësi mbështetëse nga qeveria, ose të paktën politikat e brendshme të mos bëhen pengesë. Vonesat në rimbursimin e TVSH-së e vunë në vështirësi industrinë vitin e kaluar, gjithashtu nënçmimi i euros uli me 6% fitimet e kompanive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.