Flet Bozhidar Todorov, CEO i Fibank Albania
Ky ishte viti i parë që nga kriza që, sistemi bankar shënoi zhvillime pozitive në çdo aspekt të performancës bankare, fitime më të larta, përshpejtim të rritjes së kredisë dhe ulje të kredive me probleme. Ajo që e bën këtë tendencë edhe më domethënëse është fakti që pjesa më e madhe e bankave iu bashkuan kësaj tendence pozitive
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2017?
Ky ka qenë një vit shumë i mirë për sistemin bankar dhe kjo është në vazhdimësi të sinjaleve që ne pamë në 2-3 vitet e fundit. Mund të themi që ky ishte viti i parë që nga kriza që, sistemi bankar, shënoi zhvillime pozitive në çdo aspekt të performancës bankare, fitime më të larta, përshpejtim të rritjes së kredisë dhe ulje të kredive me probleme. Ajo që e bën këtë tendencë edhe më domethënëse është fakti që pjesa më e madhe e bankave iu bashkuan kësaj tendence pozitive.
Sa i përket Fibank Albania, jam krenar të them që ishim një prej bankave më të suksesshme dhe kemi arritur fitimin më të lartë në histori, duke i kaluar 3 milionë euro. Me shumë të ngjarë, ne kemi regjistruar rritjen më të lartë të huadhënies në sistemin bankar, me më shumë së 30%. Mbi të gjitha, ne gjithashtu kemi ruajtur dhe përmirësuar likuiditetin dhe kapitalizimin.
Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të përpjekjeve të ekipit tonë lokal, por edhe mbështetjes dhe angazhimit të bankës tonë mëmë – Fibank Bulgaria, banka e tretë më e madhe në Bullgari. Në sajë të rritjes së shpejtë të ekonomisë bullgare, Fibank ka shënuar ecuri shumë të mirë gjatë viteve të fundit dhe kjo i ka dhënë edhe më shumë hapësirë që të fokusohen në tregjet e huaja, ku Fibank është e pranishme, përfshirë Shqipërinë.
Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2018?
Besoj dhe dëshiroj që 2018-a të jetë një vit edhe më i mirë, jo vetëm për bankat, por në përgjithësi për Shqipërinë dhe shqiptarët. Siç mund ta dini, këtë vit, Bullgaria mori presidencën e Këshillit Europian dhe presim që brenda mandatit të saj, Shqipëria do të marrë ftesë për të filluar negociatat për t’u bashkuar me BE-në. Pavarësisht të gjitha sfidave të këtij procesi, kjo do të ketë ndikim jashtëzakonisht pozitiv në Shqipëri.
Mund t’ju them nga përvoja ime personale, pasi erdha në Shqipëri në vitin 2007, atë vit kur Bullgaria u bashkua me BE-në se, dallimi në çdo aspekt të jetës, nga ajo kohë deri më tani, është i jashtëzakonshëm.
Lidhur me sistemin bankar, ai është industria më e rregulluar në Shqipëri dhe ka treguar se është i gatshëm dhe ka potencialin e nevojshëm për rritje të mëtejshme dhe mbështetje të rritjes ekonomike, pavarësisht sfidave që lidhen me rrezikun e vendit.
Fibank Albania gjithashtu synon të jetë në krye, teksa kemi treguar që kemi potencial për një rritje të shëndetshme organike dhe për të shfrytëzuar mundësitë në këtë treg. Suksesi ynë e bëri bankën tonë mëmë të sigurt në miratimin e strategjisë ambicioze për vitet e ardhshme, duke synuar rritjen e pjesës së tregut në të gjitha segmentet – kredi, depozita, operacione. Si pjesë e kësaj strategjie, duke filluar nga ky vit, ne do të hapim disa degë të reja dhe po synojmë gjithashtu të rrisim stafin tonë me së paku 20%.
Banka e Shqipërisë ka prezantuar së fundmi një plan masash për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Si e vlerësoni këtë plan masash, sa efektiv do të jetë ai dhe çfarë duhet bërë për të ulur përdorimin e euros në vend?
Euroizimi nuk është një fenomen që ka ndodhur vetëm në Shqipëri, ka shumë raste në të gjithë botën. Kjo është arsyeja pse unë besoj se, institucionet ndërkombëtare dinë se si ta trajtojnë këtë çështje. Banka e Shqipërisë gjithashtu ka ekspertizën e duhur për makroekonominë dhe politikën monetare, në mënyrë që procesi i de-euroizimit të trajtohet në mënyrë profesionale dhe me kujdes.
Masat që kanë të bëjnë me bankat, kanë ndikim të caktuar në rritjen e kostove, por jam i sigurt se të gjitha bankat janë të përgatitura për zbatimin e rregullave të reja. Megjithatë, për të parë efektet e ndryshimeve të fundit, do të duhet pak kohë pasi nuk mund të shihen në afat të shkurtër. Si rrjedhojë është e vështirë të bëhen parashikime.
Ajo që mund të theksoj është se Fibank, si shumica e bankave të tjera, prej shumë vitesh po përpiqet të nxisë kreditimin në lekë. Për shembull, kreditë tona të konsumit, kreditë për biznesin mikro dhe kreditë e vogla hipotekore ofrohen vetëm në lekë.
Sistemi bankar është përfshirë së fundmi në një valë shitjesh e blerjesh. Si e vlerësoni këtë tendencë dhe si pritet të ndikojë në sistemin bankar?
Procesi i konsolidimit, bashkimet dhe blerjet në përgjithësi konsiderohen pozitive për sektorin, sidomos kur tërheqin investitorë strategjikë, me njohuri dhe potencial. Nga ana tjetër, sigurisht nuk është mirë, kur emrat e mëdhenj po largohen nga Shqipëria, siç është rasti i NBG Albania – një bankë shumë e mirë me histori të shkëlqyer.
Ndërkohë, blerjet nuk janë mënyra e vetme për t’u bërë më e madhe. Në vitet e fundit, Fibank Albania është një nga shembujt e rritjes së jashtëzakonshme organike, që dëshmon të jetë një bankë e orientuar drejt klientit, në gjendje të ofrojë shërbime të shkëlqyera dhe vëmendje të veçantë për çdo klient.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.