Kryeministri i Kosovës në largim, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se është duke u nisur për në Hagë që t’i përgjigjet ftesës së Gjykatës Speciale në cilësinë e të dyshuarit.
Haradinaj, teksa ka folur për rrugëtimin e tij për në Gjykatën Speciale, nuk e ka lënë pa e përmendur edhe taksën ndaj Serbisë.
“Sot, si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për t’u pyetur nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë. Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euroatlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi të përhershme me ShBA-në”, ka thënë Haradinaj.
Ai tha me tej se tregun e Kosovës do ta japin vetëm për njohje.
“Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje. Me nder kam mbrojtur të drejtën tonë, dje, sot dhe do ta mbroj gjithmonë!”, ka shkruar Haradinaj.
Kujtojmë se Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme të premten e javës së kaluar, kur tha se është ftuar në Hagë si i dyshuar për krime lufte. Ai tha se atje do që të dëshmojë si qytetar e ish-luftëtar e jo nga posti i kryeministrit.
Por, në fjalimin e tij që mbajt në ambientet e Qeverisë së Kosovës, Haradinaj nuk la pa përmendur edhe taksën që ka vendosur Kosova ndaj Serbisë 8 muaj më parë.
Ai e bëri edhe porosinë e drejtpërdrejtë: Taksa mbetet.
“Më lejoni të ju siguroj se: Taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime”, tha ndër të tjera Haradinaj.
https://www.monitor.al/porosia-e-fundit-si-kryeminister-e-haradinaj-taksa-ndaj-serbise-mbetet/
Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendim që të vendosë taksë prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Qeveria këtë vendim e mori si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të propagandës së saj të vazhdueshme kundër Kosovës.
Kosova nga Serbia brenda një viti, së paku zyrtarisht, importon mallra në vlerë 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro për në serbi.
Që nga vendosja e taksës ndaj mallrave serbe është bllokuar edhe dialogu Kosovë-Serbi, pasi pala serbe po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen ose pezullimin e taksës mirëpo, qeveria e Kosovës po vazhdon të këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia e Bonja të njohin pavarësinë e Kosovës.
Shfuqizim apo pezullim të taksës ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të vazhdohet dialogu Kosovë-Serbi. /Monitor.al.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.