Vizitorë të shumtë shikojnë skulpturat prej akulli të ndriçuara me drita shumëngjyrëshe në ditën e parë të vitit në Festivalin Ndërkombëtar të Akullit dhe Dëborës në Harbin, në provincën e Heilongjiang në Kinën e veriut.
Ceremonia e hapjes e Festivalit të 33-të Ndërkombëtar të Akullit dhe Dëborës në Harbin do të zhvillohet më 4 janar 2017 dhe do të shoqërohet me fishekzjarrë të shumtë, shfaqje teatrore dhe aktivitete të ndryshme në akull. Ky festival do të zgjasë deri më 25 shkurt 2017.
Në fillim, pjesëmarrësit në këtë event ishin kryesisht kinezë. Megjithatë, që prej atëherë, ai është bërë një kompeticion dhe festival ndërkombëtar dhe tashmë është festivali më i madh i akullit dhe dëborës që zhvillohet nëpër botë.
Festivali i Akullit dhe Dëborës zhvillohet në muajt më të ftohtë në Harbin; përgjatë këtyre ditëve do të shihni vepra të përkohshme arti, të gjitha të krijuara nga akulli i lumit Songhua. Zyrtarisht festivali nis më 5 janar dhe zgjat një muaj. Megjithatë, ekspozitat shpesh hapen më parë dhe qëndrojnë më gjatë në varësi të kohës.
Gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Akullit dhe Dëborës në Harbin, qytetin e vizitojnë rreth 800 mijë turistë. Edhe pse do të shihni skulptura të mrekullueshme ngado që të rrotulloheni, ju nuk duhet të humbisni kurrsesi këto zona: Ice & Snow World (vetëm natën e hapjes); Zhaolin Park (në qendër të qytetit, por veç natën); Snow Sculpture Art Expo në Sun Island (gjatë ditës, por nuk do të jetë aq bukur për fotografi).
Burimi: China Daily