Imagjinoni të gjithë librat e shkruar në historinë njerëzore të ruajtur në një hapësirë me përmasat e një pulle poste. Një mrekulli e tillë është e mundur, falë hard diskut më të vogël në botë, i realizuar nga kërkuesit e Kavli Institute of Nanoscience të Universitetit të Delft-it.
Ky hard disk i vogël, i gjerë 96 të mijtat e milimetrit dhe i gjatë 126, shfrytëzon atomet për të memorizuar bitet, me një dendësi 500 herë më të madhe se pajisjet më të mira aktualisht në treg. Ky mjet mund të japë një shtysë vendimtare në proceset e zvogëlimit të përmasave, gjithnjë e më të rëndësishme në një botë që prodhon më shumë se një miliard gigabajt të dhëna të reja çdo ditë.
Fituesi i çmimit “Nobel” për fizikën, Richard Feynman, qe i pari në vitin 1959 që teorizoi përdorimin e sistemeve pafundësisht të vogla. Në një konferencë, ai u lëshoi një sfidë kolegëve të tij, duke hipotetizuar që mund të ruhej një informacion për çdo atom.
Pikërisht në nder të tij, kërkuesit holandezë kanë përdorur teknologjinë e tyre të re për të ruajtur një pjesë të atij fjalimi në një sipërfaqe prej 100 të milionat e milimetrit.
Sekreti i këtij hard disku qëndron te një sipërfaqe e vogël bakri, mbi të cilën atomet e klorit janë të vendosur si në një fushë shahu. Kur mungon një atom, mbetet një hapësirë boshe që mund të plotësohet, duke tërhequr atomet që janë ngjitur me anë të një gjilpëre të një mikroskopi të veçantë, në një hapësirë mikroskopike.
Falë kësaj teknologjie, shkencëtarët kanë arritur të zhvillojnë një memorie prej një kilobajti, ku secili prej 8000 bitëve përfaqësohet nga pozicioni i një atomi të vetëm
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.