Komuniteti i avokatëve të cilët kundërshtojnë rishpërndarjen e re të gjykatave do të përshkallëzojnë masat për moszbatimin e hartës së re gjyqësore.
Këshilli i përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë sot pas një mbledhje më shumë se 3 orësh vendosi që nga dita e nesërme të bojkotohen të gjitha seancat gjyqësore pa afat dhe të bojkotohen masat e sigurisë për 10 ditë. Vendimi për bojkot përsëritet pas vendimit të parë të Dhomës së Avokatisë për bojkotin 4 ditor të seancave të gjyqësorit për periudhën 14 deri 17 qershor.
Arsyet kryesore pse harta e re gjyqësorë kundërshtohet nga komuniteti i avokatëve është rritja e kostove që do të vijë nga shkrirja e gjykatave, mungesa e aksesit në drejtësi për qytetarët dhe rritja e stokut të dosjeve të pashqyrtuara.
Por Kolegji i Lartë Gjyqësor (KLGJ) në raportin e tij argumenton se me hartën e re gjyqësore synohet rishpërndarja e gjykatave me qëllim ekuilibrimin e ngarkesën së punës dhe shpërndarjes së gjyqtarëve ndërmjet gjykatave. Në raport theksohet se mosvendosja e këtij ekuilibri, kur disa gjykata kanë ngarkesë më të madhe pune për gjyqtar se disa të tjera, është tregues i mungesës së efikasitetit dhe mund të sjellë për pasojë pabarazi në drejtësi.
Rishpërndarja e re e gjykatave parashikon 12 gjykata të shkallës së parë nga 22 që janë aktualisht. Gjykatat e propozuara të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm janë, si: Berat, Elbasan, Tiranë, Vlorë, Dibër (bashkuar me Gjykatën e Matit), Durrës (bashkuar me gjykatat e Kavajës dhe Krujës), Fier (bashkuar me Gjykatën e Lushnjës), Gjirokastër (bashkuar me gjykatat e Sarandës dhe Përmetit), Kukës (bashkuar me Gjykatën e Tropojës), Korçë (bashkuar me Gjykatën e Pogradecit) ,Lezhë (bashkuar me Gjykatën e Kurbinit) dhe Shkodër(bashkuar me Gjykatën e Pukës).
Po ashtu duke qenë se 4 gjykata apeli nga 6 kanë ngarkesë pune të mjaftueshme për të justifikuar minimumin prej 10 gjyqtarësh të kërkuar nga ligji, rrethanat aktuale sipas raportit të grupit të punës nxjerrin në pah nevojën për shkrirjen e të gjitha gjykatave dhe propozimin e një Gjykate Kombëtare Apeli në Tiranë.
Mbështetur në të dhënat e ngarkesës së punës Grupi i Punës gjithashtu propozon mbajtjen e vetëm dy Gjykatave Administrative të Shkallës së Parë për të ruajtur aksesin e duhur në drejtësi. Propozimi bëhet për dy gjykata, një në Lushnje, që të mbulojë të gjithë zonën jugore dhe jugperëndimore të Shqipërisë, dhe një në Tiranë, që do të mbulojë të gjithë zonën veriore dhe juglindore, përkatësisht Korçën, e cila nuk ka akses të lehtë në Lushnjë.
Sipas të dhënave të KLGJ-së deri në fund të vitit 2021, 28 144 çështje presin të shqyrtohen nga gjykatat e apelit. Ato janë kryesisht çështje civile dhe vetëm 31% e stokut janë çështje penale. Në raport me 2020 stoku i çështjeve të pashqyrtuara është rritur 23%. Të shpërndara sipas gjykatave, vërehet se ka një rritje të stokut në të gjitha gjykatat e apeleve, por rritja më domethënëse reflektohet në Tiranë me 27%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.