Numri i vetëvrasjeve për 100 mijë banorë për vitin 2016 në Shqipëri ishte 8.2 sipas përllogaritjeve të Monitor me të dhënat që ka publikuar Instituti i Statistikave për 2016-n.
Ndërkohë ky tregues, për 2015-n sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, ishte 5.3 vetëvrasje për 100 mijë banorë, duke treguar një rritje të ndjeshme brenda një viti, ku në 100 mijë banorë 3 veta më shumë vendosin t’i japin fund jetës.
Megjithëse në rritje, treguesi është më i ulët krahasuar me të gjithë vendet e rajonit, apo vendet europiane, Nga vendet e rajonit, Serbia ka numrin më të lartë të vetëvrasjeve për 100 mijë banorë, ku në 2015-n norma e vetëvrasjeve ishte 19.9 banorë. Në Malin e Zi, norma ishte 12.5, në Maqedoni 9.9, në Bosnje 7.1.
Vendet me normën më të lartë të vetëvrasjeve
Normën më të lartë të vetëvrasjeve, sipas të dhënave të OBSH-së, e ka Kazakistani dhe Mongolia, së bashku me përkatësisht 48 vetëvrasje për 100 mijë banorë.
Në hartën interaktive të OBSH-së tregohet se normë të lartë vetëvrasje ka veçanërisht në vendet Europës Lindore, ku në pjesën më të madhe të tyre treguesi e kalon shifrën e 35 vetëvrasjeve në 100 mijë banorë.
Zonat e ngjyrosura me ngjyrë më të errët tregojnë vendet ku numri i vetëvrasjeve është më i madh se 15.
Ngjyrosur me këtë ngjyrë, përveç Europës Lindore, është edhe Amerika e Veriut, Afrika Nënsahariane, Australia, Kili dhe Argjentina, vendet skandinave, Franca dhe India.
Ndikimi nga raportimi në media
Një numër studimesh empirike kanë gjetur se ka një rritje të vetëvrasjeve pas raportimit të tyre në media, një lidhje që i referohet fenomenit të imitimit. Bazuar në këto të dhëna OBSH-ja ka zhvilluar një manual për mediat se si të raportojnë vetëvrasjet. http://www.who.int/mental_health/prevention/suicide/resource_media.pdf
Vetëvrasjet në Shqipëri, tre herë më të larta se vrasjet
Opinioni publik në vendin tonë është mësuar të konsiderojë vdekje nga vrasjet rastet kur personat marrin jetën e njëri- tjetrit, por pakkujt ia merrte mendja se numri i vetëvrasjeve është trefish më i lartë se numri i vrasjeve.
Për vitin 2016 sipas të dhënave të INSTAT, personat e vrarë nga të tjerët ishin 85 gjithsej, ndërsa personat që kishin vrarë vetën në të njëjtin vit ishin 235.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.