Hashim Thaçi dorëhiqet nga posti i Presidentit

05/11/2020 11:43 AM 0 komente

Hashim Thaçi jep dorëheqjen nga posti i Presidentit të Kosovës, pasi i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale. Lajmin e bëri vetë Thaçi në një dalje për mediat.

“Para pak çastesh jam informuar nga njerëzit kompetentë se gjykatësi i dhomave të specializuara ka konfirmuar aktakuzën kundër meje. Unë jam i gatshëm për të bashkëpunuar ngushtë me drejtësinë dhe që nga ky moment jam në dispozicion. Nuk do të lejoj që para gjyqit të dal presidenti i Kosovës, prandaj për të mbrojtur integritetin e presidentit dhe shtetit, unë sot jap dorëheqjen nga pozita e presidentit”.

Thaçi i ka bërë thirrje qytetarëve për maturi, qetësi dhe unitet.

“Të qëndrojmë të bashkuar, kjo është ajo që garanton suksesin tonë; Kosova e lirë, shtet i të gjithëve. Kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim – do të shihemi prapë, do të dalim faqebardhë”.

Më 24 prill të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një propozim-aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë “krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.

Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of