Rajoni i Ballkanit Perëndimor do të ketë një strategji të përbashkët, në bazë të së cilës do të orientohet tregu energjetikë. Në takimin ministerial të komunitetit të energjisë që u zhvillua në Budva të Malit të Zi, zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës. Edmond Haxhinasto tha se “hartimi i Strategjisë Rajonale të Energjisë dhe përcaktimi i projekteve prioritare, me interes shumëplanësh është një arritje shumë e rëndësishme e këtij takimi. Kjo strategji është pika e referencës për strategjinë tonë kombëtare, e cila do të jetë në përputhje të plotë me direktivat e BE” tha ministri.
Ai i njohu pjesëmarrësit në këtë takim me investimet që po kryhen në Shqipëri në sektorin e energjisë së rinovueshme, si ato në mbi lumin e Vjosës, Osumit, Drinit të Zi, por edhe me projektet e HEC-eve të vogla që aktualisht programojnë një kapacitet të instaluar mbi 2000 MË.
Sipas Haxhinastos, qeveria shqiptare në përputhje të plotë me njërën nga direktivat evropiane miratoi pak ditë më parë projektligjin “Për Energjitë e Rinovueshme” që pritet shumë shpejt të miratohet në Kuvend. Ndër të tjera, në këtë ligj parashikohen lehtësira dhe iniciativa të rëndësishme për investitorët, që janë të interesuar të investojnë në këto lloj energjish dhe që do të çojnë në realizimin e angazhimeve që ka marrë Shqipëria.
Në fjalën e tij, ministri Haxhinasto theksoi edhe projektet për lidhjen e të gjitha vendeve të rajonit me rrjetin europian të gazit natyror, i cili do të krijonte hapësira të reja në diversifikimin e burimeve të energjisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.