Projekti më i madh i njëqind viteve për infrastrukturën në rajonin e Baltikut është duke u realizuar tani.
Projekti hekurudhor “Rail Baltica” prej 870 km. do të lidhë kryeqytetet e Lituanisë, të Letonisë dhe të Estonisë me Varshavën dhe me pjesën tjetër të Europës, duke mundësuar kështu kalimin e trenave nëpër kontinent pa ndërprerje.
Megjithatë, ky projekt është po aq simbolik sa edhe fizik.
Për BE-në, ky projekt shenjon kthimin e shteteve baltike në Europë dhe shkëputjen e tyre nga e kaluara sovjetike.
Një projekt ambicioz
Bisedat për një projekt hekurudhor që do të lidhte vendet baltike janë shtuar duke filluar që nga fundi i viteve 1990. Në vitin 2001 u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi nga ministrat e transportit të Estonisë, të Letonisë dhe të Lituanisë.
Megjithatë, vetëm në vitin 2010 u arrit të nënshkruhej një memorandum nga përfaqësuesit e ministrive të transportit të Polonisë, të Lituanisë, të Letonisë, të Estonisë dhe të Finlandës.
Megjithëse aktualisht duhen shtatë orë për të udhëtuar me makinë nga kryeqyteti i Lituanisë në atë të Estonisë, linja e re pothuajse do ta përgjysmojë këtë kohë, duke e ҫuar atë në vetëm 3 orë e 38 minuta.
Hekurudha do të fillojë në Talin përpara se të kalojë nëpër Pärnu, Riga, Panevėžys dhe Kaunas, për të arritur më pas në kufirin mes Lituanisë dhe Polonisë; do të ketë gjithashtu një lidhje me Vilnius nga Kaunas.
Pas përfundimit të saj, trenat do të mund të udhëtojnë deri në Baltik nga Polonia, me një shpejtësi maksimale prej 234 km/orë për trenat e pasagjerëve.
Përfitimet ekonomike
Megjithëse ky projekt nuk është i lirë dhe vlerësohet të ketë një kosto prej 5.8 miliardë euro, analiza kosto-përfitim e projektit parashikon se ai do të sjellë deri në 16.2 miliardë euro përfitime të matshme.
Kostoja e projektit për vendet baltike është zbutur disi për shkak të financimit të BE-së deri në masën 85 për qind të projektit, përmes instrumentit “Connecting Europe Facility” (CEF).
Deri më tani, fondi CEF i BE-së ka kontribuar me një shumë prej plot 824 milionë euro në këtë projekt.
Kjo skemë është aq e madhe saqë vetëm ndërtimi i linjës hekurudhore pritet të krijojë 13,000 vende pune direkte me kohë të plotë dhe 24,000 vende të tjera pune në mënyrë indirekte.
Pasi të përfundojë, kjo linjë do të përbëjë shtesën më të fundit në Korridorin e Detit të Veriut me Baltikun, një rrugë trans-europiane që përfshin qytete kryesore si Roterdami, Berlini dhe Varshava.
Për pasagjerët, do të ketë linja të rregullta që lidhen me të paktën një linjë ndërkombëtare treni çdo dy orë, duke sjellë kështu tetë çifte trenash çdo ditë për të dyja drejtimet.
Përveçse do të përshpejtojë udhëtimet e pasagjerëve, projekti do të ulë kostot e transportit të mallrave dhe do të ofrojë një mënyrë të shpejtë për transportin e ngarkesave masive.
Mesazhi politik i projektit
Ndoshta, për BE-në, më i rëndësishëm sesa perspektiva ekonomike që ofron ky projekt, është mesazhi i tij politik.
Megjithëse Baltiku dikur ishte i ndërlidhur me standardet europiane hekurudhore me një gjatësi shinash prej 1435 mm, që nga pushtimi sovjetik, sistemi hekurudhor i rajonit ndryshoi duke iu përshtatur standardit rus prej 1524 mm.
Ky ndryshim kufizoi ndjeshëm mundësitë e Baltikut për t’u lidhur me Europën nëpërmjet hekurudhave, pasi pasagjerët ose mallrat duhet të ndryshonin trenin në kufirin polak, përpara se të vazhdonin rrugën.
Për shkak të standardit rus, vendet e Baltikut përgjithësisht janë mbështetur te një bosht Perëndim-Lindje, ku pjesa më e madhe e tregtisë nëpërmjet hekurudhave vjen nga Rusia.
Megjithatë, që nga fitimi i pavarësisë së tyre në vitet 1990, vendet baltike janë zhvendosur drejt Brukselit, duke u larguar nga Moska.
Këto vende u bashkuan me NATO-n në mars të vitit 2004, ndërsa pranimi i tyre në BE pasoi shumë shpejt, në muajin maj të të njëjtit vit; të dyja këto lëvizje zemëruan presidentin rus, Vladimir Putin.
Përballë agresionit rus në rritje, të treja këto vende po kërkonin të rrisnin ndërveprimin me pjesën tjetër të BE-së, por pushtimi i Putinit në Ukrainë ka shtuar urgjencën e këtyre kërkesave.
Në gusht, projekti tërhoqi edhe fonde për lëvizshmërinë ushtarake nga fondet e Letonisë, duke demonstruar karakterin si civil, ashtu edhe ushtarak të kësaj skeme.
“Në kushtet aktuale gjeopolitike, rëndësia strategjike e projektit ‘Rail Baltica’ po rritet,” tha në atë kohë Ministri i Transportit i Letonisë.
“Është veçanërisht e rëndësishme që të sigurohet një lidhje e besueshme me Europën Perëndimore dhe që të përdoret plotësisht lidhja e re e transportit hekurudhor me Europën për të rritur aftësitë mbrojtëse të vendit tonë”.
Shkëputja e rrjetit hekurudhor nga Rusia nuk është aspekti i vetëm ku këto vende po përpiqen të reduktojnë varësinë e tyre nga Rusia.
Një tjetër trashëgimi e pushtimit sovjetik janë rrjetet e energjisë elektrike të Baltikut, të cilat janë të sinkronizuara me rrjetin e kontrolluar nga sistemi qendror në Rusi, duke shtuar kështu frikën se Rusia mund të ndërpresë energjinë për vendet baltike.
Shtetet baltike kanë rënë dakord që të përfundojnë desinkronizimin nga rrjeti energjetik rus dhe të sinkronizohen me rrjetet europiane të energjisë deri në vitin 2025.
Megjithatë, në korrik, Reuters raportoi se rrjeti europian i energjisë, ENTSO-E, do të lidhte rrjetet e shteteve baltike brenda 24 orëve nëse këto vendet do të shkëputeshin nga rrjeti i Rusisë.
Kritikat për projektin
Ashtu si të gjitha projektet e mëdha, edhe Rail Baltica ka pasur kritikët e vet.
Duke folur për Emerging Europe vitin e kaluar, Priit Humal, anëtar i bordit të lëvizjes civile Avalikult Rail Balticust, shpjegoi se Rail Baltica është po aq i diskutueshëm në Baltik sa edhe HS2 në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai tha se ndryshimi kryesor lidhet me diferencat në PBB, duke deklaruar se Rail Baltica është tre herë më e shtrenjtë për Estoninë sesa HS2 për Mbretërinë e Bashkuar.
Ka pasur gjithashtu disa shqetësime në lidhje me sigurinë e fondeve të BE-së.
Çdo reduktim në financimin e BE-së do të duhej të kompensohej nga qeveritë kombëtare, gjë që mund të sillte nivele të larta të kundërshtimeve publike ndaj kësaj skeme.
Megjithatë, duke qenë se disa pjesë të projektit janë tani në ndërtim e sipër, duket e pamundur që skema të hasë ndonjë pengesë përpara përfundimit të parashikuar në vitin 2026.