Helsinki dhe objektivi “emetimet zero”

01/10/2019 6:15 PM 0 komente

Dhe për ta arritur, qyteti u jep leksione turistëve…

 

Modern, kreativ, i rregullt, hi-tech. Helsinki është një qytet ku jetohet shumë mirë. Vite më parë u zgjodh kryeqyteti i design-it dhe është ndër qytetet me nivelin më të mirë të jetesës në Europë. Parqet dhe kopshtet publike zënë një të tretën e zonës urbane.

Aktivitetet kulturore janë të pasura dhe të shumta, me ekspozita, takime, festivale, projektime filmash, evente. Rrugët, me ndërtesa të stilit Art Nouveau, pasurohen me vepra të mjeshtërve të mëdhenj të arkitekturës si Eliel Saarinen, i cili në kryeqytetin finlandez ka realizuar shtatë ndërtesa, ndër to Muzeun Kombëtar dhe Stacionin qendror apo Alvar Aalto, i cili ka projektuar 8 të tilla, nga teatri Finlandia Hall te libraria më e madhe në vend, Akateeminen Kirjakauppa.

Por Helsinki mban edhe një tjetër rekord. Është një ndër qytetet më të qëndrueshme në botë dhe synon të bëhet një shembull për kryeqytetet e tjera. Prej disa vitesh, qyteti po punon për t’u bërë “me emetime zero”. Me këtë plan, brenda vitit 2030 do të reduktojë me 60% emetimet në zonë dhe do të kompensojë pjesën tjetër, falë uljes së konsumit të ngrohjes në shtëpi, prodhimit të një të gjashtës së energjisë elektrike të qytetit nëpërmjet paneleve fotovoltaike dhe transportit elektrik.

Tashmë, Helsinki po bën një hap përpara në revolucionin e saj të gjelbër, i cili lidhet me turizmin. Nisma e ndërmarrë nga qyteti, për ta bërë më të thjeshtë përqafimin ndaj një jete të gjelbër quhet “Think Sustainably”.

Projekti vë në dispozicion mjete për ta jetuar kryeqytetin në mënyrë të qëndrueshme, me veprime konkrete për të përqafuar filozofinë ‘green’ të vendit. Duke iu përgjigjur çdo nevoje që mund të ketë një turist, projekti ndahet në makro-zona – restorante, transport, përvoja, evente, qëndrimi, shopping.

Restoranti me kilometër zero Atelje Finne

Për secilën zonë këshillon restorante dhe bare organike; eco-hotel të disponueshëm në qytet; ndihmon turistët të zgjedhin mjete të transportit elektrik; vë në dispozicion harta për itinerare më këmbë apo me biçikletë. Po ashtu të gjeni butikë që përdorin materiale organikë apo dyqane me punime artizanale që përdorin materiale të riciklueshme.

Amos Rex Art Museum

Ata që janë të interesuar mund të ndjekin kurse mbi këtë temë, të marrin pjesë në seminare dhe laboratorë të dedikuar për shembull riciklimit krijues.
“Gjithçka lind nga shqetësimi i qytetarëve në lidhje me krizën e klimës – shpjegon Tia Hallanoro, Director of Brand Communications & Digital Development për Helsinki Marketing – më shumë se dy e treta prej nesh mendon se kjo është një emergjencë e vërtetë për të ardhmen. Jemi përpjekur t’i japim një përgjigje këtij problemi, duke menduar për një projekt që të mund të ndryshonte stilin tonë të jetës dhe modelet tona të konsumit. ‘Think Sustainably’ ofron instrumente konkrete për të jetuar ‘green’”.

Flow Festival

Ndër përvojat me emetime zero, ju këshillojmë të shkoni në Amos Rex Art Museum apo të merrni pjesë në Flow Festival, i cili zhvillohet në natyrë. Ju këshillojmë edhe restorantin Loyly, i ndërtuar me dru, sipas sistemeve më të përparuara të bio-ndërtimit.

Oazi urban Loyly, me sauna, bare dhe ristorante bio

Aktivitetet janë të shumta e të larmishme… Helsinki shpreson që edhe qytete të tjera të ndjekin shembullin e tij të gjelbër.

 

Burimi: La Repubblica

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of