Shumë menaxherë po konsiderojnë uljen e pagave, reduktimin e benefiteve apo edhe shkarkimin e punonjësve që nuk duan të kthehen në zyrë, sipas një studimi të ri.
Menaxherët dhe stafi kanë pritshmëri shumë të ndryshme kur vjen fjala te puna fleksibël, por shumica e drejtuesve janë të gatshëm që të marrin në konsideratë disa masa tepër drastike për të arritur qëllimin e tyre.
Sipas një sondazhi të fundit të kryer nga GoodHire me 3,500 menaxherë në Amerikë, 77% e tyre besojnë se duhet të ketë pasoja të rënda – duke përfshirë humbjen e benefiteve, uljen e pagës dhe madje edhe shkarkimin nga detyra – për punonjësit që refuzojnë të kthehen në zyrë. E ndarë sipas vjetërsisë në punë, këto pikëpamje ndahen nga 80% e menaxherëve senior, 79% e drejtuesve të suitës C, 77% e CEO-ve dhe 73% e menaxherëve të nivelit të mesëm.
“Tani që gjërat po kthehen disi në normalitet, kanë rifilluar të vihen re mënyrat e vjetra të të menduarit për kontrollin e punonjësve lidhur me vendin ku ata punojnë,” thotë shefi operativ i GoodHire, Max Wesman.
Në të njëjtën kohë, punonjësit kanë mjaft arsye për të rezistuar. Jo vetëm që ata po shijojnë tregun më konkurrues të punës të gjithë kësaj gjenerate, por për më tepër, shumica e drejtuesve pranojnë se produktiviteti nuk është ndikuar negativisht nga puna në distancë. Sipas studimit, 73% ishin dakord se produktiviteti dhe angazhimi ose ishin përmirësuar, ose kishin mbetur në të njëjtat nivele gjatë punës nga distanca.
“Punonjësit kanë avantazh në këtë përballje, sepse tregu i punës ka shumë nevojë për ta dhe është goxha e shtrenjtë që të gjesh njerëz të rinj dhe që t’i zëvendësosh ata,” thotë Wesman. “Pavarësisht këtyre dinamikave, duket sikur, tani që jeta po kthehet në normalitet, kompanitë duan të rikthehen te dominimi i tyre ndaj punonjësve.”
Paragjykimi lidhur me punën nga distanca vazhdon të ekzistojë
Wesman thotë se ai është dyshues për faktin që kompanitë mund të ndërmarrin hapa të tillë drastikë për t’i detyruar punonjësit që të kthehen në zyra, edhe nëse ata besojnë se duhet të ketë disa pasoja për punonjësit që nuk pranojnë të rikthehen në zyrë. Megjithatë, ky qëndrim mund të kishte pasoja reale për punonjësit.
“Thjesht fakti që menaxherët po mendojnë edhe për këto lloj trajtimesh të ashpra ndaj punonjësve të tyre, do të kishte ndikim te morali i punonjësve,” thotë ai. “Punonjësit që zgjedhin të mos vijnë në zyrë, mund të trajtohen negativisht.”
Kompanitë mund të lejojnë një sërë mundësish të punës nga distanca dhe të asaj hibride, por ekspertët paralajmërojnë se punonjësit që shkojnë në zyrë mund të trajtohen ndryshe. Sipas një sondazhi të fundit të kryer nga Gartner, gati dy të tretat e drejtuesve thonë se ata që vijnë në zyrë ka të ngjarë të kenë një trajtim preferencial.
“Është e dhimbshme ta thuash këtë, por nëse doni të ecni përpara në karrierën tuaj – edhe në kushtet e punës nga distanca apo asaj hibride – është e nevojshme që të shkoni në zyrë dhe që ta shikoni menaxherin tuaj ballë për ballë,” thotë Brian Kropp, shefi i studimeve për Burimet Njerëzore të Gartner, duke shtuar se kjo gjë në fakt nuk do të ndikonte te produktiviteti i punonjësve.
“Në sytë e shumicës së menaxherëve, ju do të perceptoheni si një person që kujdeset më shumë për punën, që po punon më fort, dhe kështu keni më shumë gjasa të promovoheni dhe të merrni një rritje më të mirë page, nëse punoni nga zyra.” / Fast Company
Illustration by Maria Hergueta