Pensionet publike kanë mungesë të konsideruar financimesh. Shumë shpejt, kriza do të përkeqësohet
Nëse pjesa më e madhe e punonjësve në sektorin publik në Amerikanë gëzojnë ende të drejtën e një përfitimi të vlefshëm, një pension i lidhur me pagën e tyre të fundit, shumica e punonjësve në sektorin privat nuk e gëzojnë këtë përfitim. Një problem që vazhdon prej kohësh është se shtetet dhe qytetet, të cilat financojnë planet e tyre nga qeveria federale, nuk kanë qenë në gjendje të kursejnë mjaftueshëm para, për të mbuluar këto premtime.
Situata ndërkohë po përkeqësohet. Edhe pse aksionet amerikane kanë arritur në nivele të larta rekord, fondi i pensionit të sektorit publik ka një deficit më të madh në terma përqindjeje, qoftë nëse e krahasojmë me vitin 2000, qoftë edhe me fillimin e kësaj dekade. Në disa shtete dhe qytete, skemat e pensioneve janë më pak se 50% të financuara ku shteti i Illinoisit ka gjashtë nga më të këqijat.
Kostoja e premtimeve për pensionet është rritur sepse njerëzit po jetojnë më gjatë dhe rrjedhimisht, ata marrin pension për një kohë më të gjatë. Disa shtete dhe qytete i janë përgjigjur gjendjes, duke u përpjekur të heqin dorë nga detyrimet dhe të shkurtojnë përfitimet që marrin pensionistët, por gjykatat shpeshherë kanë vendosur kundër tyre, duke theksuar faktin se kontratat nuk mund të ndryshohen kaq lehtë.
Si rezultat, shtetet, qytetet dhe institucionet e tjera publike po detyrohen të përfshihen në skemat e pensioneve. Por gjithsesi, kontributet nuk kanë qenë të mjaftueshme. Politikanët shpeshherë nuk kanë arritur të paguajnë aq sa rekomandojnë aktuarët. Në vitin 2009, aktuarët për Skemën e Mësuesve të Illinois kërkuan që shteti të jepte 2.1 miliardë dollarë amerikanë, ndërkohë që ky i fundit pagoi vetëm 1.6 miliardë dollarë amerikanë.
Deri në vitin 2018, fatura vjetore kishte shkuar në 7.1 miliardë dollarë amerikanë, por shteti arriti të paguajë vetëm 4.2 miliardë dollarë amerikanë. Hendeku në skemën e pensioneve u thellua në 75 miliardë dollarë amerikanë në 2018, ose rreth 6,000 dollarë amerikanë për çdo banor të shtetit. Dhe kjo është vetëm për mësuesit. Problemi mund të përkeqësohet. Skemat e pensioneve ndryshojnë lehtësisht si pasojë e paqëndrueshmërisë së tregjeve. Por edhe nëse tregjet janë të qëndrueshme, skemat e pensioneve do të vuanin gjithsesi nga një periudhë e gjatë kthimesh të ngadalta.
Kjo duket më se e besueshme duke pasur parasysh se rendimentet e obligacioneve të thesarit 30-vjeçar janë vetëm 2.4% dhe vlerësimet e kapitalit amerikan janë zgjatur më shumë, në krahasim me mesataren e tyre historike. Disa skema pensionesh shpresojnë se zgjidhja e vetme për to do të jenë “asetet alternative” si fondet mbrojtëse dhe kapitali privat, të cilat do të ndikojnë në ngushtimin e hendekut. Kthimet e fondit mbrojtës kanë qenë zhgënjyese në dekadën e fundit, dhe industria e kapitalit privat nuk është aq e madhe sa të përvetësojë 4 trilionë dollarë amerikanë të aseteve të pensionit të sektorit publik.
Por ekziston edhe një problem përfundimtar: llogaritja e skemave. Kur bëhet fjalë për të llogaritur sesa ato duhet të kursejnë sot, të gjitha skemat e financuara duhet të llogarisin sesa ato mund të kenë mundësi të paguajnë në të ardhmen. Kjo do të thotë që të përdoret një normë për të zbritur koston e pagesave të pensioneve të nesërmes. Sa më e lartë të jetë norma e përdorur, aq më e ulët do të jetë kostoja. Skemave të pensioneve të sektorit publik u lejohen të përdorin normën e supozuar të kthimit të investimeve si norma e tyre e zbritjes, megjithëse ata do të duhet të paguajnë pensionet edhe nëse e fitojnë atë në kthim apo jo. Kjo natyrisht ka çuar në një shkallë optimizmi për kthimet në të ardhmen, shumë prej tyre supozojnë që kjo shkallë të shkojë në 7-7.5% në vit.
Në sektorin privat, premtimet e pensioneve shihen si një borxh dhe duhet të zbriten nga rendimentet e obligacioneve të korporatave, të cilat janë në nivelet më të ulëta. Kjo bën që pensionet të duken më të shtrenjta dhe shpjegon pse shumë kompani kanë mbyllur skemat e pagave përfundimtare. Nëse sektori publik do të duhej të përdorte të njëjtën qasje, raporti mesatar i financimit do të ishte më i ulët se 72% i sotëm dhe hendeku aktual në 1.6 trilionë dollarë amerikanë do të ishte padyshim në vlera shumë më të larta. Institucionet publike do të duhet të rrisin kontributet edhe më tej.
Një studim i Qendrës për Kërkime të Pensioneve zbuloi se në shtetet të cilat ishin më shumë të prekura, si Connecticut, Illinois dhe New Jersey, kostot e pensioneve në 2014 ishin 15% e të ardhurave totale. Si pasojë do të shkaktohet një ndrydhje në financat publike, pasi shpenzimet e tjera dhe taksat duhet të shkurtohen. Kjo do të jetë veçanërisht e vështirë për të rinjtë dhe punonjësit në sektorin privat, të cilët nuk marrin të njëjtat përfitime. Kriza e pensioneve ekziston prej vitesh, por shumë shpejt disa qytete dhe shtete do të hyjnë në një spirale në rënie, në të cilën kostot e pensioneve do të çojnë në ofrime shërbimesh publike të këqija ose edhe në rritje të taksave, gjë që do të nxisë punëtorët e ndryshëm të largohen, dhe rrjedhimisht do të shkaktojë zvogëlim të taksës bazë, duke i bërë premtimet e pensioneve gjithnjë e më të parealizueshme dhe të papërballueshme. Kur të ndodhë kjo, disa shtete dhe qytete do të bien “brenda hendekut të madh” që ata vetë e kanë krijuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.