Duket se rezultati i parë i heqjes së regjimit të vizave për periudhën e verës, jep rezultatet e para ditën e nesërme, ku pritet të vizitojnë Shqipërinë grupi i parë i turistëve nga Ukraina, Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani.
Këshilli i Ministrave, më datë 10.06.2015, miratoi Vendimin “Për një Shtesë në Vendimin Nr.513, Datë 13.6.2013, “Për Përcaktimin e Kritereve, të Procedurave e të Dokumentacionit për Hyrjen, Qëndrimin dhe Trajtimin e të Huajve në Republikën e Shqipërisë”, të Ndryshuar, sipas te cilit, Arabia Saudite, Katari, Omani, Bahrejni, Rusia, Gjeorgjia, Bjellorusia janë shtetet që i shtohen listës ekzistuese të vendeve, shtetasit e të cilëve do të lejohen të udhëtojnë në Shqipëri pa viza për periudhën përgjatë sezonit turistik 1 qershor – 1 nëntor 2015.
MZHETTS njofton se kjo është një nismë në kuadër të planit të masave për sezonin turistik 2015, me qëllim lehtësimin e hyrjes në Shqipëri të turistëve nga vende, të cilat kanë shprehur interes për turizmin shqiptar.
Charteri me grupin e parë të turistëve pritet të mbërrijë në Rinas nesër, në orën 14.00, dhe çdo 10 ditë, deri në datën 28 shtator, grupe të ndryshme nga këta vende do të udhëtojnë drejt vendit tonë.
Nesër pritet edhe një prononcim për mediat nga Drejtoresha e Përgjithshme e Turizmit në MZHETTS, Sonia Popa, dhe nga Drejtori i Kompanisë Ukrainase “Feeria”, e cila ka organizuar vizitën e tyre në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.