Hera e parë që nga kriza financiare, Rezerva Federale e SHBA-ve ul normën bazë me 25 pikë

31/07/2019 9:02 PM 0 komente

Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FED) ka ulur normën e saj të interesit me 25 pikë bazë, duke shënuar uljen e parë që nga kriza financiare, dhe sinjalizoi se ishte e gatshme të lehtësonte politikën monetare më tej nëse është e nevojshme, shkruan Financial Times.

Në deklaratën e saj të politikës, banka qendrore e SHBA sugjeroi se lehtësimi monetar ishte i justifikuar nga “paqartësitë” që rridhnin nga dobësia në ekonominë globale.

“Në dritën e implikimeve të zhvillimeve globale për perspektivën ekonomike si dhe presionet e heshtura të inflacionit, komiteti vendosi të ulë objektivin e synuar për normën e fondeve federale në 2-2.25 përqind,” tha Komiteti Federal i Tregut të Hapur (FOMC).

Ulja e nivelit të normave të interesit pritej gjerësisht nga investitorët dhe ekonomistët, por ajo u shoqërua me një vendim për të ndaluar uljen e bilancit të Fed në 1 gusht, dy muaj më parë sesa ishte planifikuar.

Megjithëse Jay Powell, kryetari i Fed, e bindi pjesën më të madhe të anëtarëve se ishte e nevojshme ulja e normës së interesit, nuk ia arriti me të gjithë. Esther George, presidenti i Kansas City Fed, dhe Eric Rosengren, presidenti i Boston Fed, votuan kundër uljes, duke thënë se ata preferuan t’i mbajnë normat e qëndrueshme.

Deklarata e FOMC nënvizoi se lehtësimi monetar mund të vijojë më vonë gjatë këtij viti. “Ndërsa komiteti mendon për ecurinë në të ardhmen të objektivit të synyar të nivelit të fondeve federale, ai do të vazhdojë të monitorojë implikimet e informacionit që vijnë për perspektivën ekonomike dhe do të veprojë si ta shohë të përshtatshme për të mbështetur zgjerimin,” tha Fondi.

Që nga fillimi i qershorit, zyrtarët e Fed kishin theksuar mundësinë e një ulje të afërt të normës së interesit për të krijuar amortizatorë për ekonominë amerikane kundrejt rreziqeve të ekonomike globale.

Edhe pse papunësia mbetet afër niveleve rekorde, dhe konsumi ka qenë jashtëzakonisht elastik, ata janë shqetësuar për të dhëna të tjera, përfshirë ngadalësimin e tremujorit të dytë në rritjen e SHBA, dobësinë në investime dhe inflacionin e ulët, i cili po shkon poshtë objektivit prej 2 përqind të Fed.

Ulja e 25 pikëve bazë të normave të interesit do të zhgënjejë presidentin amerikan Donald Trump, i cili i kishte kërkuar haptazi Fed për të reduktuar normat në mënyrë më agresive në takimin e kësaj jave, në sfidën e tij të fundit për pavarësinë e bankës qendrore të SHBA.

Ulja e parë e normës së interesit të Fed në një dekadë, vjen në një kohë që bankat e tjera të mëdha qendrore po mendojnë gjithashtu për një stimul shtesë. Javën e kaluar, Mario Draghi, presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, hapi rrugën për një paketë lehtësuese, duke përfshirë ulje të mundshme të normave dhe blerje të pasurive, që do të nisë para përfundimit të mandatit të tij këtë vjeshtë, në mënyrë që të luftojë inflacionin vazhdimisht të ulët.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of