Publikimi i listës së pagave disa ditë më parë, përveç cenimit të privatësisë së individëve, nxori në dritë edhe evazionin fiskal apo mungesën e transparencës biznes-punonjës.
Në daljen e fundit për media, kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje bizneseve që kanë deklaruar paga fiktive për punonjësit që të vetërregullojnë listëpagesat. Për këtë kanë afat deri më 20 janar ose do të përballen me burg në akuzën e evazionit fiskal dhe do të kenë hetim pasuror.
“Me pagat ka ndodhur një ngjarje shumë shëmtuar dhe shqetësuese, por pjesa kriminale e ngjarjes është një pjesë që i takon prokurorisë, ku po heton në mënyrë intensive.
Drejtoria e Tatimeve do të nisë një letër për të gjithë tatimpaguesit me deklarime shqetësues të cilat rezultojnë me mospërputhje flagrante, duke u kërkuar që të vetërregullohen me deklarime të reja deri më 20 janar.
Në rast mos rregullimi do të ketë hetim të thelluar për evazion, me dënim me burg. Hetim pasuror të kompanive dhe biznesmenëve që deklarojnë për punonjësit paga minimale apo paga me të ulëta nga sa ata paguhen.
Ndodh që u jepen pagat minimale dhe u merren mbrapsht. Skllavëri abuzimi prej skllavo-pronarësh. Kjo qeveri e tëra në krah të punonjësve. Do stimulojmë punonjësit të mos heshtin. Nga 1 janari sistem tjetër taksimi, për ata që marrin 400 mijë lekë të vjetra”, deklaroi Rama.
Lexo edhe këtë: Grafiku, 38% e të punësuarve në vend paguhen me pagë minimale ose më pak; “të pasurit” vetëm 0.14%
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.