Kontrata 10 vjeçare mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Z-Mobile ka përfunduar javën e kaluar. Por, telashe kanë dalë me numrat që ka pasur në pronësi kompania Z-Mobile. Ndërkohë, Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala ka vazhduar intervistimet.
Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala ka intervistuar kryesuesin e Bordit të Drejtorëve të ARKEP-it, Kreshnik Gashi.
Gashi para intervistimit kërkoi që të jetë ky proces i mbyllur, pasi sipas tij, deklaratat që jep mund të përdoren në dëm të Telekomit.
“Duke pasur parasysh se operatorët kanë një betejë të hapur do të ishte e dobishme që kjo seancë të ishte e mbyllur për mediat”, ka thënë Gashi.
Ai tha se në arbitrazhin ndaj AXOS dy ish-ministra ishin pyetur rreth deklaratave të tyre në media, prandaj sipas tij edhe për deklaratat e tij mund të ketë probleme.
“Deklarimet tona mund të keqpërdoren apo përdoren në dëm të Telekomit të Kosovës. Unë kam qenë pjesë e atij procesi dhe kam parë që dy ish-ministrave në gjykatën e Arbitrazhit u është kërkuar të dëshmojnë edhe për deklaratat për media që kanë dhënë dhe ekziston rreziku i shkaktimit të dëmit të Telekomit”.
“Unë jam i hapur dhe nuk kam asgjë për të fshehur”, shtoi Gashi.
Deputetët nuk e përkrahën kërkesën e tij pasi sipas tyre nuk është e nevojshme të jetë intervistimi pa praninë e medieve sepse nuk e dëmton askënd. Gashi tha se nuk ka ndonjë shembull për këtë rast, por duhet të u bëhet zgjidhje qytetarëve pa u ndërprerë atyre shërbimet.
Gashi tha se janë 220 mijë klientë të cilët duhet t’u përcillet vazhdimësia për shërbimet.
“Aktualisht titullar i klientëve është ZMobile, sepse ka kontratë me të, por kjo nuk e imponon gjithsesi bashkëpunimin në mes këtyre dy kompanive por nuk duhen bërë gabime që i shkaktojnë kosto vendit. Gjasat janë që ZMobile të mos ketë vazhdim të shërbimeve, por duhen shikuar aspektet ligjore për kthimin e numrave, transferimin etj, por gjitha këto në rregulloren e numeracionit janë të involvuara dy palët, nuk ka shembuj të ngjashëm në Evropë”.
Deputetët shpërfaqin dyshime
Deputeti, Armend Zemaj, lidhur me hezitimin e deklaratave të Gashit, tha se mund të jetë i kërcënuar nga dikush.
“Komisioni ka arritur të vërë në sipërfaqe shumë shkelje të Telekomit nëse thoni që deklaratat ndikojnë më lë të kuptoj se ju jeni të shantazhuar dhe kërcënuar nga dikush”, tha ai
Gashi tha se nuk është i kërcënuar nga askush.
“Nuk jam i shantazhuar e kërcënuar nga askush, por nuk ka me pas zgjidhje magjike”, tha ai.
Gashi i tha Haxhiut se zyrtarisht nuk ka konflikt interesi në ARKEP nëse ai e di le të tregojë.
Kurse, deputetja Albulena Haxhiu, tha se dyshojnë që shefi i ARKEP-it po punon në favor të ZMoblie.
Për këtë ajo numëroi disa argumente.
“Shumë prej deklaratave tuaj duken që janë në anën e ZMobile dhe kemi dyshime për punën tuaj që janë në favor të ZMobile. Vendimin 381 të ARKEP që ka qenë një dokument që ZMobile ka fituar rastin në Arbitrazh për 100 mijë numra dhe këtë vendim ju e keni modifikuar, si ka mundësi që një operatori virtual i keni ndarë numeracion në vete”, tha Haxhiu.
Por, shefi i ARKEP-it mohoi këto akuza, duke thënë se nuk kanë marrë vendime në favor të ZMobile.
Konflikti
Telekomi i Kosovës aktualisht gjendet në krizë të thellë financiare ku po rrezikon të falimentojë dhe 2500 punëtorë do të mbesin pa punë.
Borxhi prej mbi 25 milionë euro që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë Z-Mobile, ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.
Kompania Z-Mobile ekzekutimin prej rreth 26 milionë euro po e kërkon nga Telekomi i Kosovës mbi bazën e vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit në Odën Ekonomike Ndërkombëtare të vitit 2016.
Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.
Kjo kompani ka përafërsisht 2400 punonjës, kurse paga mesatare, llogaritet të jetë mbi 730 euro. Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës
/Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.