Gjyqtari theksoi mungesën e provave, duke hedhur poshtë argumentet dhe duke i cilësuar ato si spekulime.
Një gjykatë kaliforniane ka hedhur poshtë akuzat për ryshfet kundër shefit të sigurisë të Apple, Thomas Moyer, raporton Reuters, i cili u akuzua për ofrimin e iPad-ve si ryshfet në këmbimin të sigurimit të lejeve për mbajtjen e armëve të zjarrit për 4 prej punonjësve të Apple. Gjykatësi Eric S. Geffon hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar si spekulime që nuk bazoheshin në asnjë nga provat e paraqitura para jurisë.
Moyer u akuzua nëntorin e kaluar se u përpoq të korruptonte zyrtarët e qarkut Santa Clara duke ofruar të dhuronte 200 iPad tek dy oficerë në zyrën e sherifit pas një takimi që ai zhvilloi me ta në 2019. Në të vërtetë, Moyer e ka bërë një ofertë të tillë, por provat tregojnë se ajo u bë pasi lejet për armët e zjarrit ishin aprovuar, citoi gjyqtari Geffon.
Duke i shtuar kësaj edhe faktin se Moyer ndoqi rregullat e Apple në lidhje me dhurimet dhe ia dha iPad-et Zyrës së Sherifit dhe jo oficerëve personalisht, provat në favor të tij u shtuan, gjë e cila tregon sipas gjyqtarit se ai nuk kishte ndërmend t’i korruptonte oficerët.
Në një deklaratë të raportuar nga Reuters, Moyer falënderoi gjykatën për vendimin e saj, duke vazhduar më tej me falënderimet për Apple, familjen dhe miqtë e tij, të cilët e kanë mbështetur vazhdimisht. Moyer ka rreth 15 vite që punon për Apple dhe që prej nëntorit 2018 është në postin e shefit të sigurisë së saj. / The Verge