Hidrocentralet e vogla në Shqipëri
Një histori suksesi e rrezikuar nga veprimet e qeverisë
Investitorët, vendas dhe ndërkombëtarë, kanë investuar më shumë se 600 milion Euro në ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve të vegjël në Shqipëri deri më sot, me një kapacitet total të instaluar prej 511 MW deri në fund të vitit 2019 dhe duke punësuar mijëra punonjës, shpesh në zona rurale ku mundësitë e tjera të punësimit janë të kufizuara ose jo ekzistente.
Energjia e prodhuar nga operatorët e vegjël të HEC-eve është rritur në mënyrë progresive, duke arritur deri në 24% të të gjithë energjisë së prodhuar në vend në vitin 2019, me një kosto më të ulët për rrjetin e energjisë në vend në krahasim me importet e konsiderueshme të energjisë nga vendet fqinje, ku një pjesë e madhe e të cilës përbëhet nga energjia fosile.
Ky rekord i suksesshëm nuk e ka mbrojtur sektorin e energjisë nga pasiguria rregullatore siç tregohet me vendimin e fundit të Qeverisë së Shqipërisë për të ulur çmimin e paguar për HEC-et e vogla me 8-10% përmes një vendimi të njëanshëm duke ndryshuar formulën e përdorur për llogaritjen e çmimit të paguar për prodhuesit.
Fjalët për një rishikim radikal të ligjit nr. 7/2017 “PЁR NXITJEN E PЁRDORIMIT TЁ ENERGJISЁ NGA BURIMET E RINOVUESHME” për të ulur edhe më tej çmimin e paguar po krijon një pasiguri shtesë midis investitorëve që përballen me një qeveri që nuk duket e gatshme të angazhohet me palët e interesuara.
Nëse nuk do të gjendet asnjë zgjidhje lehtësuese përmes gjykatave ose përmes mbështetjes së komunitetit ndërkombëtar, kjo histori suksesi mund të venitet lehtësisht në vitet e ardhshme.
Investimet dhe kapaciteti i instaluar
Duke kuptuar potencialin e hidrocentraleve në Shqipëri dhe nevojën për HEC-e të reja për të përmirësuar deficitin energjitik të krijuar para viteve 90, qeveritë e njëpasnjëshme kanë inkurajuar vazhdimisht investitorët vendas dhe ndërkombëtarë për të investuar në këtë sektor, duke punuar ngushtë me investitorët për të zhvilluar një kuadër ligjor me rregulla mbështetëse.
Deri më tani, këto politika i kanë shërbyer vendit mirë, duke tërhequr 613 milion Euro investime në Hidrocentrale të vogla (sHPP) dhe duke ofruar 511 MW të kapacitetit të instaluar.
Në vitin 2019 këta operatorë prodhuan 24% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike në vend, duke ndihmuar Shqipërinë të shmangte varësinë e saj nga importet, që arritën këtë vit nivelin e tyre të dytë më të lartë për dekadën, në 3 177 GWH.
1 Një HEC i vogël përcaktohet këtu si ai që ka kapacitet të instaluar 15 MW ose më pak.
Tabela 1 dhe Grafiku 1 më poshtë tregojnë rritjen kumulative të investimeve dhe prodhimit në vite të HEC-eve të vogla ku vlen të përmendet se këto shifra nuk përfshijnë një numër të operatorëve më të mëdhenj si Devoll Hydropower, Ayen dhe Kurum të cilët veprojnë nën një set të ndryshëm udhëzimesh, dhe mekanizmit të përcaktimit të çmimit
Tabela 1: Investimet dhe kapaciteti i instaluar
Graph 1: Rritja e prodhimit në vite e HEC-eve kundrejt energjisë së plotë të prodhuar në Shqipëri
HEC-et e vegjël një mundësi e artë për ndërprerjen e nivelit të lartë të importeve të energjisë
Duke u përballur me thatësira dhe një rrjet të amortizuar, Shqipëria është detyruar të importojë sasi gjithnjë e në rritje të energjisë elektrike në 10 – vjecarin e fundit. Duke krahasuar prodhimin vendas nga HEC-et e vegjël me prodhimin e importuar neto gjatë periudhës 2013-2019 rezulton se sasia neto e importuar është me e madhe se prodhimi i HEC-eve të vegjël duke kapur shifrën 14 391 317 MWH. Kështu gjatë periudhës 2013-2019 rezulton se vlera e importi për diferenë të sasisë hyrëse dhe dalëse në linjat e interkonesionit (sipas burimeve të mara nga ERE dhe OST) është – 9.730.035 MWh . Gjithashtu gjatë kësaj periudhe prodhimi vendas nga HEC-et e vegjël deri në 15 MW është në vlerë 7.020.309 MWh, pra rreth 72 % të vlerës së importit neto.
Tabela 2 dhe grafiku 2 më poshtë tregojnë rezultatet aktuale sipas viteve ku vlen të përmendet se bilanci tregtar do të kishte qenë gjithashtu negativ edhe në 2016 dhe 2018, nëse kontributi i HEC-eve nuk do të kishte qenë i pranishëm
Graph 2: Nga 2013-19 HEC-et llogarit për 16% të prodhimit të brendshëm dhe 53% të importit
Tabela 2: Energjia e prodhuar në vend nga HEC –et e vegjël dhe burimet e tjera VS importeve dhe konsumit total
Vendosja e cmimit të energjisë elektrike për të mbështetur zhvillimin e burimeve të energjisë së rinovueshme
Siç është pranuar edhe nga Komisioni Evropian, “tregu nuk mund ti ofrojë energjisë së rinovueshme një cmim në një nivel pa ndërhyrjen e mekanizmave publike” për shkak të një numri faktorësh duke përfshirë problemet e tregut dhe rregullatorit, konkurrencën e padrejtë me burimet e tjera të energjisë dhe modelin e ngurtë të energjisë elektrike që pengon rritjen e energjisë së rinovueshme . Një element kryesor, i theksuar nga Komisioni Europian është mjedisi rregullator, veçanërisht ndryshimet e shpeshta në skemat mbështetëse që paraqesin rrezik me një ndikim të drejtpërdrejtë në kostot financiare të kapitalit, zhvillimin e projektit dhe të gjithë procesit të zhvillimit të energjive të rinovueshme . Në më pak se 10 vjet operimi në Shqipëri, investitorët e vegjël të HEC-ve janë përballur me ndryshimet e shpeshta rregullatore, pasi ligjet janë vendosur dhe shfuqizuar , mekanizmat e çmimeve janë modifikuar në mënyrë radikale ose graduale ku ndryshimi më i fundit ishte në Maj 2020.
Nga viti 2010 deri në 2015 çmimi i paguar për HEC-et lokale llogaritej si faktor i çmimit të paguar për energjinë elektrike të importuar, duke përdorur formulën e mëposhtme, megjithëse jo gjithmonë e zbatuar, ku Cmimi = Kostoja mesatare e energjisë së importuar në vitin e mëparshëm x Bonus i Energjisë së Rinovueshme prej 1.1 x Kursi i këmbimit EUR / ALL. Në vitin 2017, si rezultat i një procesi të gjerë konsultimi që përfshiu Parlamentin, Qeverinë, prodhuesit e energjisë (AREA), investitorët e huaj (FIAA) dhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, metodologjia e llogaritjes së çmimit u ndryshua për të zëvendësuar koston mesatare për energjinë e importuar një vit më parë me një çmim reference në Bursën Hungareze të Energjisë (HUPX), një përpjekje për tu përafruar më mirë me tregun rajonal nga ku importohej energjia. Pas këtij ndryshimi, çmimi i blerjes për energjinë elektrike u llogarit me formulën Cmimi = Referenca e çmimit në HUPX x Bonusi i Energjisë së Rinovueshme prej 1.3 x kursi i këmbimit EUR / ALL , ku koeficienti 1,3 ishte menduar, ndër të tjera, të merrte parasysh të dy elementët, natyrën e energjisë së rinovueshme dhe kthimin e arsyeshëm të investimeve.
2Importet neto siç raportohet nga ERE dhe OST janë llogaritur si diferenca midis vlerave hyrëse dhe dalëse në linjat e interkonjeksionit
3Dokumenti i Punës i Stafit të Komisionit Evropian “Udhëzimi i Komisionit Evropian për hartimin e skemave të mbështetjes së rinovueshme” 5.11.2013
4IBID
5Ligji Nr. 138/2013 “Për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë” u paraqit në 2013 dhe u shfuqizua në vitin 2017 për tu zëvendësuar me ligjin Nr. 7/2017 “Për promovimin e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”
Sidoqoftë, siç tregon Grafiku dhe Tabela 3 më poshtë, çmimi mesatar për MWH i importuar ka qenë vazhdimisht më i lartë se çmimi i referencës HUPX, duke rezultuar në një ulje të konsiderueshme të mbështetjes për prodhuesit vendor deri në 31% në 2018.
Graph 3: Diferenca midis cmimit të HUPX dhe cmimit mesatar te energjisë së importuar
Në fakt, gjatë 3 viteve të fundit çmimi mesatar i paguar prodhuesve vendor ka qenë më i ulët se çmimi mesatar i paguar në energjinë elektrike të importuar, një rezultat befasues duke marrë parasysh qëllimin e shprehur për të promovuar zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë në vend.
Në Maj 2020, Qeveria Shqiptare me një veprim befasues me shpejtësi dhe pa u konsultuar me palët e interesuara, vendosi të ulë Bonusin e Energjisë së Rinovueshme të përdorur në formulën e përcaktimit të çmimit me 10%, i cili rezultoi në një ulje prej 7.7% të çmimit për vitin aktual 2020.
Ky është një veprim i cili shqetëson prodhuesit pasi nga mënyra sesi u bë, të bën të dyshosh se është vetëm një fillim i ndryshimeve të tjera pasuese të cilat do dëmtojnë ndjeshëm investitorët ne sektorin e energjisë.
Ulja e cmimit vjen përkundër faktit se çmimi që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) i ka paguar HEC-et e vogla për pesë muajt e parë të vitit 2020 ishte vetëm 8000 L / MWh , madje, nën vlerën prej 8460 L / MWh që OSHEE kishte planifikuar në Buxhetin e vitit 2020 (shiko tabelën 4 më poshtë).
Tabela 3: Çmimet mesatare
Ulja e bonusit për sektorin e vogël të HEC-ve do të dëmtojë ekonominë shqiptare
Nga mbështetja e prodhuesve të vegjël të HEC-ve përfiton drejtpërdrejt ekonomia shqiptare përmes rritjes së investimeve direkte të huaja dhe vendase ku vlerësohet se 50% e operatorëve janë në pronësi të huaj, rritjen e punësimit si dhe taksat dhe tarifat e arkëtuara nga shteti.
Vlerësohet se sektori ka të punësuar afërsisht 2 000 individë, shpesh në role të avancuara që kërkojnë paga më të larta, veçanërisht në zonat rurale, të largëta ku burimet alternative të punësimeve nuk janë në dispozicion. Kjo zvogëlon emigracionin dhe rrit të ardhurat lokale pasi punonjësit e HEC-eve vlerësohet të marrin paga mesatare të paktën 50% më të larta se profesionet e tjera në fushat e tyre të operimit.
Nga viti 2013 deri në vitin 2019 Qeveria Shqiptare i ka paguar HEC-eve në Shqipëri afërsisht 438 milion EUR në këmbim të 1 238 139 MWH të energjisë së prodhuar. Afërsisht 25% e kësaj shume është kthyer në qeveri direkt në formën e të ardhurave, tatimeve për pagat, tarifave koncesionare duke lënë një “pagesë neto” prej 328 milion EUR. Duke pasur parasysh mungesën e burimeve alternative qeveria do të duhej të paguante përafërsisht 411 milion EUR për të importuar të njëjtën sasi energjie, duke humbur çdo përfitim për punësimin, investimet dhe efektet e shumëzimit shtesë si rezultat i pagesave të mbetura në vend. Enti Rregullator i Energjisë Shqiptare (ERE) vlerëson se kërkesa për energji elektrike në vend do të rritet nga 7 613 GWH në 2019 në 8 104 GWH në 2021.
ERE supozon gjithashtu, se importet do të kapin vlerën prej 2078 GWH, vlerë e cila nëse do të ishte e vërtetë do të sillte uljen e importeve nga 42% e konsumit të përgjithshëm në 2019 në 37% në 2021. Megjithatë, është e vështirë të shihet se si do të arrihet kjo nëse Qeveria vazhdon të ndjekë masa që dëmtojnë prodhuesit vendas dhe rrezikojnë investimet e konsiderueshme, duke vendosur kambanat e alarmit për investitorët vendas dhe ndërkombëtarë. Rritja e sektorit të energjisë së rinovueshme do të kërkojë një angazhim transparent dhe të hapur, nëpërmjet skemave të qëndrueshme të cmimeve prej faktit që investimet në vend kanë përfitime të shumëfishta për të gjithë aktorët në ekonomi.
Tabela 4: Kostot e planifikuara të OSHEE për 2020
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.