I sapohyrë në fuqi, ligji i ri për hidrokarburet ka nisur zbatimin e tij, duke synuar vendosjen e standardeve në prodhimin dhe tregtimin e naftës e gazit. Ndryshimet që janë reflektuar në ligj janë konsideruar nga ekspertët si të domosdoshme për të ‘disiplinuar tregun i cili ka pasur abuzime të shumta. Megjithatë sipas tyre ka të ngjarë që vitin e ardhshëm ky ligj do të ndryshojë tërësish. Vetëm pak kohë më parë në një intervistë për “Monitor”, Adrian Çela, kryeinspektor i Inspektorati Qendror Teknik tha se Shqipëria ndodhet përballë realitetesh të reja me TAP-in nga njëra anë, burimet e reja të nxjerrjes së naftës, pra nuk përjashtohet mundësia që Shqipëria të jetë një pikë tranzicioni, si një pikë disbursimi. Por, të gjitha këto duhet të parashikohen me një ligj të ri, që do të jetë sa më i përafruar me standardet ndërkombëtare dhe kundrejt detyrimeve që i lindin vendit. Ligji i ri ka sjellë një sërë të rejash.
Për herë të parë u fut koncepti i licencimit të rafinerive. Ideja nuk është vetëm njohja e numrit të tyre të saktë, por pas kësaj ato do të mund të kontrollohen për plotësimin e kritereve teknikë, sigurisë, mjedisorë, për të garantuar se do të prodhojnë një produkt brenda standardit. Aspekti tjetër ka të bëjë me fiskalizimin e tyre, ato bëhen objekte tatimore. Ligji parashikon që pasi ato të bëhen objekt i licencimit nga ana e IQT-së të mund të paguajnë akcisë. Me anë të këtyre masave do të mund të disiplinohen të gjitha këto impiante. Subjekteve do t’u lihet një periudhë prej 6-muajsh në dispozicion për t’u përshtatur me rregullat e reja, që të ndërmarrin investime, etj dhe nëse konstatohet që nuk janë plotësuar të gjitha kriteret atëherë aktiviteti i tyre do të mbyllet ose do të duhet ta përshtasin sipas kushteve të reja.
Një tjetër ndryshim, ka të bëjë me futjen e nocionit të falsifikimit. Edhe në rastin e tregtimit të naftës ky është një fenomen që ndeshet rëndom, ka raste kur ndryshohen parametrat, kur ndërhyhet në produkt dhe ligji ka parashikuar sanksione të qarta kur do të konstatohen raste falsifikimi. Është marrë në konsideratë edhe sugjerimi i ardhur nga grupet e interesit të futjes së markës që shitet që të jenë të regjistruara. Ligji i ri e nënvizon më tepër këtë dhe gjithashtu për këtë do të dalin edhe VKM shoqëruese.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.