“Unë e di sa të vështira janë zgjedhjet politike dhe vota politike. I bëj thirrje drejtuesve të Shqipërisë, por edhe qytetarëve që të punojnë për të krijuar zgjedhje të suksesshme”, u shpreh Klinton. Sekretarja amerikane theksoi se në konsolidimin e demokracisë, nuk duhen vetëm zgjedhje të suksesshme, por edhe institucione të forta dhe të paanshme.
Klinton, në fjalën e saj para Kuvendit, theksoi se një problem i madh në shumë vende demokratike është korrupsioni, që tërheq burimet materiale dhe ndëshkon popujt që mundohen të përmirësojnë jetën e tyre.
Kryediplomatja amerikane theksoi një hallkë shumë e rëndësishme për mbarëvajtjen e vendit është bashkëpunimi I udhëheqësve shqiptarë. “Interesat kombëtare janë përpara interesave partiake, politike”, theksoi Klinton.
Ajo theksoi edhe vazhdimësinë e mbështetjes së SHBA-së.
“Jam këtu në këtë takim të rëndësishëm me historinë tuaj, për t’u thënë se SHBA do qëndrojmë me ju edhe për 100 vjet të tjera bashkë” tha sekretarja amerikane Hillari Klinton drejtuar shqiptarëve nga foltorja e parlamentit shqiptar.
Duke shprehur mirënjohjen që iu bashkua festimeve të jubileut të 100 të pavarësisë së Shqipërisë, Klinton vlerësoi lidhjet dhe miqësinë mes dy vendeve dhe popujve. Ajo citoi të gjitha arritjet e Shqipërisë në këto 100 vite dhe tha se sot shqiptarët kanë shumë për të festuar.
“Teksa isha ulur në karrige dhe duke parë po mendoja për vështirësitë tuaja, pushtimet, diktaturën, është e pabesueshme që Shqipëria jo shumë kohë më parë Shqipëria ishte vendi më i izoluar. Nuk kishin liritë dhe shumë shqiptarë ikën për të kërkuar liritë. Sot keni shumë për të festuar. Ky vit nuk është vetëm për të festuar, por edhe synim për të ardhmen tuaj. Sot deputetët angazhohen në debate dhe diskutojnë hapur. Atëherë ekonomia shqiptare ishte e mbyllur, ju keni krijuar hapësira për investime. Atëherë ishte vendi i bunkerëve. Tani ju jeni anëtar i vlefshëm i NATO, pjesëtare e vlefshme në forcat ndërkombëtare në Afganistan, ju shpreh ngushëllimet për humbjen e jetës së ushtarit tuaj”- deklaroi Klinton.
“Popujt amerikanë e shqiptarë kanë të njëjtën aftësi për të treguar vendosmëri ju keni qenë të vendosur për të qenë të lirë, për të ndërtuar demokraci, ekonomi të gjallë e lulëzuar dhe ju keni dëshirë që të lini mbrapa konfliktet dhe të ndërtoni një jetë paqeje. Jam e lumtur për këtë partnership dhe marrëdhëniet historike”- vijoi ajo.
Si senatore e Nju Jorkut, Klinton vlerësoi kulturën shqiptare si një komponent të pasur të jetës amerikane. “Ju e dini që amerikanët më origjinë shqiptare janë pjesëtarë të administratës sonë. Kultura shqiptare është komponent i pasur i jetës amerikane, e di këtë si senatore nga Nju Jorku”- u shpreh Klinton.
Ajo vlerësoi gjithashtu edhe marrjen e “Urdhrit të flamurit” si një simbol tjetër të miqësisë së madhe.
“100 vjet më parë presidenti Uillson mbrojti pavarësinë e Shqipërisë dhe ndaloi copëtimin e këtij vendi. Amerikanët kanë përkrahur me vendosmëri të drejtat dhe liritë tuaja. Në dekadat më pas, udhëheqësit amerikanë kanë përkrahur me vendosmëri të drejtat tuaja, në gjithë rajonit”- shtoi Klinton, e cila vlerësoi edhe fondacionin e sipërmarrjes të krijuar nga ish-presidenti Klinton për të sjellë investime në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.