Hiqet homologimi për veturat që hynë në Kosovë nga shtetet e BE-së

29/09/2020 2:55 PM 0 komente

Në Komisionin Parlamentar për Infrastrukturë ka kaluar projektligji për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Automjete, që heq detyrimin për homologim për vetura të reja dhe të vjetra që vijnë nga shtetet e Bashkimit Evropian, Zvicra dhe Norvegjia.

Me këtë pikë po zbatohet vullneti i qytetarëve nënshkrues të peticionit të vitit të shkuar, që kishte grumbulluar më shumë se 10 mijë nënshkrime në kërkesën për ndërprerje të homologimit të veturave.

“Në Komisionin për Infrastrukturë, sapo kaloi projektligji për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Automjete, që heq detyrimin për homologim të veturave të reja dhe të përdorura që vijnë nga shtetet e BE-së, Zvicra dhe Norvegjia. Falënderoj të gjithë anëtarët e Komisionit që i dhanë mbështetjen këtij ndryshimi, dhe shpresoj që së shpejti ky projektligj të marrë mbështetjen edhe në seancë plenare. Vullneti i qytetarëve nënshkrues të peticionit po zbatohet!”, ka bërë të ditur deputeti i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Hekuran Murati.

Homologimi ishte ndër çështjet më të diskutuara vitin e shkuar në Kosovë pasi “EuroLab” kishte monopol për homologim në Kosovë.

Secili qytetar që ka importuar veturë nga ndonjë vend tjetër në Kosovë është dashur të paguajë hiç më pak se 125 euro në emër të homologimit, proces ky i vlerësuar si i panevojshëm edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Nëse kalkulohet vlera që një kompani private ka fituar përmes homologimit, llogaritet të jetë rreth 30 milionë euro për 10 vjet.

Ministria e Infrastrukturës ia pati dhënë monopolin për homologim kompanisë “Eurolab”. Tarifa për homologim ishte 125 euro.

Në vitin 2017, janë importuar me shumë se 30 mijë vetura. Bazuar në këtë, më shumë 3 milionë euro të homologimit kanë shkuar për këtë kompani.

Ministria e infrastrukturës pati trashur monopolin me të njëjtën kompani për së paku tri lloje të tjera testimesh.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of