Ndërsa Rumania është përpjekur të “ringjallë” fshatrat e saj që po vuanin nga varfëria dhe shpopullimi, edhe ndërkohë që vendi ishte anëtarësuar në BE, komuna rumune Ciugud ka arritur të luftojë rënien rurale në një mënyrë të zgjuar, raporton EURACTIV Rumania.
Pavarësisht se ka pasur në dispozicion një sasi fondesh nga BE-ja, qeveria rumune nuk ka arritur të zhvillojë një strategji kombëtare për rrethet rurale, dhe fshatrat janë lënë të varur nga turizmi, tradita ose bujqësia, ose u është kërkuar të ndërmarrin hapa për t’u bërë “smart villages”.
BE-ja ka promovuar në mënyrë aktive konceptin e “fshatit të zgjuar” për të ndihmuar Rumaninë dhe vendet e tjera anëtare të luftojnë rënien rurale. Sipas Shoqatës Rumune SmartCity, fshatrat e zgjuar janë komunitete në zonat rurale që përdorin zgjidhje novatore për të përmirësuar jetën e banorëve, duke përmirësuar administratën publike dhe duke zhvilluar ekonominë, bazuar në pikat e forta të zonës, mundësitë lokale dhe teknologjitë më të fundit.
“Fshati i zgjuar” më i mirë i Rumanisë
Në Rumani, “fshati i zgjuar” më i mirë do të ishte padyshim komuna Ciugud në qarkun Alba, në Rumaninë Qendrore, të cilën kryebashkiakët e zonave të tjera madje e vizitojnë për frymëzim. Ciugud është bërë një shembull i praktikës së mirë për fshatrat edhe në rrethin Prignitz të Gjermanisë, pas një vizite të zyrtarëve gjermanë nga rrethi Brandenburg, në fund të gushtit.
Kryebashkiaku i Ciugud, Gheorghe Damian, hoqi dorë nga partia politike për t’u përqendruar te komuna, dhe e ka bërë këtë tashmë për 21 vjet. Deri tani, ai ka investuar më shumë se 32 milionë euro në infrastrukturë, turizëm, energjinë e gjelbër dhe projektet kulturore.
“Fondet nga BE-ja na kanë ndihmuar shumë, sepse kanë qenë ekuivalente me më shumë se 100 vjet të ardhura komunale”, tha Damian. Me ndihmën e fondeve të BE-së, komuna tani renditet ndër pesë komunat më të pasura në qarkun Alba për sa u përket të ardhurave buxhetore.
Anëtarësimi në BE u ka lejuar autoriteteve lokale të mos varen më vetëm nga vullneti i politikanëve për të marrë fonde zhvillimore, tha kryebashkiaku, duke shtuar se paratë e BE-së janë “më të mira, sepse nuk varen nga rezultati elektoral, por nga ideja e projektit”.
“Ciugud to be true”
Në vitin 2000, komuna kishte rreth 2,600 banorë. Tani ajo ka 3,600, kështu që, në përgjithësi, rreth 10,000 euro për frymë janë investuar nga BE-ja. Kryetari mburret se në Ciugud nuk ka asnjë banesë pa shërbime themelore (ujë, tubacionet e ujërave të zeza, gaz natyror, fibra optike) dhe rrugët janë të gjitha të shtruara. Edhe 26 kilometra rrugë bujqësore janë shtruar.
“Ciugud To Be True” – slogani i komunës – vlen edhe për makinat elektrike pasi zona krenohet me një stacion rikarikues me energji nga era. Komuna gjithashtu ka sisteme të ndriçimit “smart” dhe ka filluar të zhvendosë kabllot elektrike nën tokë. Banorët janë gjithashtu të lumtur pasi i besojnë administratës lokale më shumë se kishës, gjë që nuk është aspak e lehtë në Rumaninë ortodokse.
“Në fund të fundit, ky është roli i një administrate publike vendore: t’i bëjë njerëzit të lumtur me gjithçka që bën. Fakti që njerëzit duan të blejnë këtu një shtëpi ose tokë, të investojnë në zonën tonë, të vendosin selinë e kompanisë së tyre këtu, mendoj se është një arritje e madhe për administratën tonë publike lokale”, u shpreh kryebashkiaku.
Por suksesi nuk ndalet në Ciugud pasi kryebashkiaku po kërkon të ndihmojë edhe në zhvillimin e zonave përreth, me të cilat ai tashmë ka zhvilluar partneritete. “Ne jemi të vetëdijshëm se duhet të jetojmë në një hapësirë ku duhet të eliminojmë pabarazitë”, tha ai.
Zhvillimi i arsimit
Sistemi arsimor në zonat rurale të Rumanisë shpesh neglizhohet, pasi ndërtesat e braktisura shpesh nuk kanë ngrohje, ose qasje në sistemet e ujit ose kanalizimit. Nxënësit, gjithashtu, duhet të udhëtojnë në distanca të gjata për të arritur në shkollë, prandaj familjet ndonjëherë preferojnë t’i mbajnë fëmijët në shtëpi për të bërë punët e shtëpisë.
Në Ciugud, kjo ka ndryshuar. Në kryeqytetin e qarkut Alba, është ngritur shkolla e parë “inteligjente” në Rumaninë rurale. Dhe meqenëse tani shkolla ka arritur kapacitet të plotë, komuna po mendon të investojë në një të re.
Në shkollë, fëmijët mësojnë zgjidhje dixhitale, të cilat do t’i përdorin kur të bëhen të rritur, tha Dan Lungu, koordinatorja e programit Ciugud Smart Village. Lungu është shumë krenare për mënyrën si autoritetet lokale kanë zbatuar mjete të ndryshme dixhitale për të lehtësuar ndërveprimin midis njerëzve dhe administratës.
“Kolegët e mi filluan dixhitalizimin në vitin 2010. Me financimin e BE-së, ata filluan të blejnë softuerë, të specializohen, të punojnë me ta. Tani kemi shumë shërbime të dixhitalizuara. Nëse ligji do ta lejonte dhe nëse mund të ndërlidhnim bazën tonë të të dhënave me bazat e të dhënave të institucioneve të tjera publike, ne mund të kryenim online mbi 90% të ndërveprimeve me qytetarët”, tha Lungu.