Plani i regjimit socialist për të shpëtuar ekonominë, ndoshta do të dështojë
Nicolás Maduro e quan atë “një formulë magjike vërtet magjepsëse”. Paketa e tij e madhe e kuqe, përmban një monedhë të re, një rritje të mprehtë në çmimin e karburantit dhe një rritje në pagën minimale prej më shumë se 3.000%. Harrojeni magjinë, shkruan The Economist.
Janë të shumtë ata që mendojnë se formula e Presidentit do të dështojë me siguri dhe nuk do të arrijë të shpëtojë venezuelanët nga agonia e tyre ekonomike. Venezuela ka ecurinë më të keqe të ekonomisë në botë krahasuar me të gjitha vendet e tjera që nuk janë në luftë.
Sipas shifrave të FMN-së, PBB-ja ra me më shumë se një të tretën midis 2013 dhe 2017, ndërsa inflacioni mund të kalojë 1 milion për qind gjatë këtij viti.
Vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë nuk mund të importojë mjaftueshëm produkte ushqimore dhe ilaçe. Mungesat dhe ndërprerjet e ujit kanë shkaktuar një dëm shumë të madh. Numri i venezulanëve që janë larguar ka arritur në më shumë se 2 milionë.
Z. Maduro thotë se ky është faji i fuqive “imperialiste”, të tilla si Amerika, të cilat po shkaktojnë një “luftë ekonomike” në Venezuelë. Në fakt, katastrofa është shkaktuar nga socializmi i çuditshëm i vendosur që nga Hugo Chavez dhe vazhduar edhe nga z. Maduro pas vdekjes së z. Chavez në vitin 2013. Shpronësimet dhe kontrollet e çmimeve kanë dëmtuar firmat private, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi prodhimin. Korrupsioni ka përmbysur shtetin.
Keqmenaxhimi i PDVSA, kompanisë shtetërore të naftës, ka shkaktuar zvogëlimin e prodhimit të naftës me gati gjysmën e sasisë që nga viti 2014. Ashtu si regjimi ka asfiksuar demokracinë, duke manipuluar zgjedhjet dhe duke qeverisur pa u bazuar në asnjë legjislaturë, ka ndikuar duke mbytur edhe ekonominë.
Me pak fjalë, z. Maduro e ka pranuar nevojën për një ndryshim. Sipas FMN-së, ai ka pranuar për herë të parë se hiperinflacioni është shkaktuar nga krijimi i pakursyer i parave për të financuar deficitin buxhetor, i cili do të tejkalojë 30% të PBB-së gjatë këtij viti. Duke zvogëluar subvencionimin e karburanteve dhe rritjen e taksave, ai synon tani “deficit zero”.
Z. Maduro ka hartuar një plan që është i sigurt se do të dështojë.
“Bolivari i ri sovran” thuhet se është i lidhur me petron, një njësi e re matëse, e cila duket se mbështetet nga rezervat e naftës. Por meqë askush nuk e di se si petro-ja do të funksionojë dhe asgjë nuk e lidh monedhën e re me të, pikërisht kjo hallkë ngjall sado pak besim. Në praktikë, regjimi ende mund të prodhojë sa bolivarë të ketë dëshirë.
Premtimi për të eliminuar deficitin buxhetor është penguar nga heqja e një detyrimi tatimor mbi industrinë e naftës dhe nga rritja e pagës minimale.
Kjo do të rrisë nivelin e pagave të sektorit publik, do të ushqejë edhe më shumë inflacionin dhe firmat e falimentuara. Flitet gjithashtu se mund të ushtrohen kontrolle më të ashpra të çmimeve, të cilat do të dekurajojnë më tej prodhimin.
Një kapele magjistari pa lepur brenda
Nëse Venezuela do të kishte dikë tjetër që do ta drejtonte, ajo ende mund të kishte një mundësi shpëtimi. Një president i zoti do të mbante një pjesë të planit të z. Maduro, si zhvlerësimi dhe do të shtonte mjete të reja, të nevojshme për shpëtimin e vendit. Biznesi do të lirohej nga kontrollet e çmimeve dhe do t’i jepej siguria ligjore. Bolívari do të emetohej nga një bankë qendrore e pavarur ose ndoshta do të zëvendësohej nga dollari.
Venezuela do të fitonte besueshmëri të jashtme dhe mbështetje financiare duke negociuar një marrëveshje rregullimi me FMN. Ajo do të fillonte negociata serioze për ristrukturimin e borxhit të jashtëm. Por për të arritur të gjitha ato që përmendëm më sipër, do të duhej bashkëpunimi i opozitës dhe i komunitetit ndërkombëtar.
Po është shumë e vështirë të imagjinohet që kjo gjë mund të ndodhë ndërkohë që z. Maduro është në krye të këtij shteti. Venezuela ka nevojë për një reformë të vërtetë dhe jo për magji të kota, hocus-pocus.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.