Hotelet, gara e markave

23/10/2020 10:12 PM 0 komente

Në vitin 2018, qeveria nisi zbatimin e një pakete fiskale për nxitjen e hoteleve me 4 dhe 5 yje, kryesisht marka ndërkombëtare. Një vit më pas, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhëna për hotele kërceu në një rekord 419 mijë m². Sot janë të paktën 7 marka ndërkombëtare në treg, kryesisht në partneritete me grupe të mëdha biznesi vendase, nëpërmjet kontratave franchising. Pjesa më e madhe e projekteve janë në fazë ndërtimi dhe të përqendruara në Tiranë.
COVID-19 ka prekur aktivitetin normal të dy prej atyre që kishin hapur dyert për klientët, të tjerë i ka detyruar të rishikojnë datën e hapjes. Pjesa e mbetur ka shfrytëzuar mungesën e turistëve për të bërë investimet e nevojshme të kërkuara nga partnerët. Gara e markave pritet të jetë e “ethshme” sapo efekti i pandemisë të largohet. Kompanitë shqiptare, në partneritet me markat ndërkombëtare, nuk e shohin me rrezik mbiinvestimin në këtë segment dhe mendojnë se prania e disa emrave pritet të rrisë konkurrencën dhe besimin në treg. Sfidë është gjetja e stafit të kualifikuar për shërbime të këtij standardi.

 

Nertila Maho

Nëse sot tenton të rezervosh një dhomë në “Hilton Garden Inn Tirana”, nëpërmjet faqes zyrtare, ajo që merr si përgjigje është: Nuk kemi dhoma të disponueshme. Sigurisht, nëse do të ishim në një kohë normale me lëvizje të lirë dhe pa pandeminë, gjithçka do të dukej rastësi, por nuk është kështu. Marka ndërkombëtare e hoteleve ka vendosur të mbyllë aktivitetin deri në mars të vitit 2021, si një përgjigje e situatës së shkaktuar nga virusi Sars-Cov-2, i cili ka goditur të gjithë ekonominë globale.

Burime pranë hotelit konfirmuan se nga struktura, pavarësisht situatës së vështirë, u mbajt në punë, për muaj të tërë, pjesa më e madhe e stafit, me shpresën se puna do të niste në shtator. Situata nuk u përmirësua apo ndryshoi, ndaj përballë presionit për të paguar kredinë e investimit dhe pagat që zinin një fond jo të vogël, kompania u detyrua të bëjë zgjedhjen e mbijetesës në këtë moment të vështirë për të gjithë. Të njëjtat burime thanë se stafi menaxhues i hotelit ka lëvizur dhe, edhe menaxheri kryesor, i cili drejtonte “Hilton Garden Inn” në Tiranë, tashmë është dërguar për të menaxhuar një nga strukturat hoteliere të grupit në Turqi. Largimi i stafit nuk ka qenë i lehtë në kushtet kur shumë prej tyre ishin trajnuar për një kohë të gjatë për të ofruar shërbimin sipas standardit që kërkon marka.

“Hilton Garden Inn” ishte marka e parë ndërkombëtare që hyri në tregun shqiptar pas largimit të “Sheraton” në fund të vitit 2017 i cili la pas një shije të hidhur. “Hilton Garden Inn Tirana” hapi dyert në shtator të vitit 2018. Në atë kohë, Menaxheri i Përgjithshëm, Micheal Walker, në një takim me gazetarët, shpjegoi se negociatat për të hyrë në tregun shqiptar kishin nisur në vitin 2014, duke pasur si partner biznesi investitorin Ali Selmani. Hoteli ka 141 dhoma, 2 suita dhe 6 salla konferencash, barin, restorantin si dhe një sërë ambientesh shërbimi. Në vitin 2019, kompania nën të cilën funksionon Hilton Garden Inn raportoi bilanc pozitiv, me fitim para tatimit mbi 836 mijë lekë.

 

Pandemia vështirëson planet e “Marriott Tirana” te kulla e Stadiumit

“Marriott International” njoftoi në nëntor të vitit 2017 se do të bëhej pjesë e tregut shqiptar dhe se struktura do të ishte një nga kullat e Stadiumit të ri. “Kulla është parashikuar të jetë 140 metra e lartë, e strukturuar në 24 kate dhe do të jetë ndërtesa më e lartë në Shqipëri, një referencë e shkëlqyeshme për stadiumin dhe qytetin.

Një kat me dhoma luksoze, pikërisht mbi fushë, një restorant i madh i përbashkët me zonën e mikpritjes VIP të stadiumit dhe shërbime të tjera për mysafirët. Do të jenë afërsisht 150 dhoma, SPA, salla konferencash, palestër” ishte prezantimi i “Marriott” për hotelin në Tiranë.

Edhe pse kulla te stadiumi ka përfunduar prej kohësh, “Marritott Tirana” ende nuk i ka hapur dyert. “Monitor” kontaktoi me zyrat e kompanisë në Londër, për të mësuar më shumë rreth planeve të saj dhe mori një përgjigje nga zëdhënësja e shtypit, Paige Mooney. Ajo konfirmoi se me klimën aktuale, vëmendja e kompanisë ishte përqendruar te rihapja e hoteleve dhe nuk mund të jepnin shumë detaje për Tiranën. “Fatkeqësisht në klimën aktuale, përpjekjet tona janë përqendruar në mbështetjen e rihapjes së hoteleve tona, kështu që ne nuk jemi në gjendje të ndihmojmë me këtë kërkesë në këtë kohë” – tha Mooney. Pritej që hapja e “Marriott Tirana” të bëhej brenda këtij vit, por me pandeminë, situata mbetet e paqartë.

 

“Kastrati Group” avancon me investimet për të shkuar drejt standardeve të “Hyatt”

“Kastrati Group” ishte grupi me të ardhurat më të larta mes 200 kompanive më të mëdha në vend. Portofoli i kompanive ka shënuar diversifikim vit pas viti dhe hoteleria e turizmi janë dy prej tyre. Lëvizja e parë drejt këtij sektori ishte blerja e ish-Sheraton dhe më pas, në fund të vitit 2018, lidhja e marrëveshjes me “Hyatt Hotels Corporation”, me seli në Çikago, për menaxhimin e strukturës.

Në atë kohë, grupi njoftoi se do të bënte një sërë investimesh për të shkuar drejt një strukture elitare me 5 yje. Pikërisht viti 2020, ku kryefjalë ka qenë pandemia e për disa biznese, ora ka ndalur, për grupin Kastrati ka qenë më aktiv sidomos në sektorin e hotelerisë. Zëvendëspresidenti i “Kastrati Group”, Leonard Kastrati, tha për “Monitor” se kanë vijuar investimet duke shfrytëzuar mungesën e turistëve dhe klientëve si pasojë e pandemisë.

“Për vitin aktual 2020, periudhën post-COVID-19, po e kthejmë në avantazhin tonë. Po shfrytëzojmë mungesën e turistëve dhe moslejimin e eventeve të ndryshme, ndaj kemi përshpejtuar ritmin e rinovimit të hotelit ekzistues dhe investimet në ambiente të tjera hotelerie. Gjithashtu, kemi intensifikuar bashkëpunimet me emra liderë në fushën e hotelerisë dhe turizmit. Tkurrjen e aktiviteteve gjatë kësaj periudhe, e kemi shfrytëzuar për të përshpejtuar periudhën e realizimit të investimeve të parashikuara për ‘Mak Albania Hotel’ dhe përshtatjen me standardet e ‘Hyatt Hotels Corporation’. Ne jemi të bindur që humbjet e shkaktuara gjatë kësaj periudhe në sektorin e hotelerisë dhe turizmit do të kompensohen në të ardhmen e afërt” – pohoi ai.

 

“BOLV Oil Group”, sjell “Novotel”, Çukaj: Markat do të rrisin konkurrencën dhe shërbimin

Grupi francez i strukturave hoteliere ACCOR, me një numër të konsiderueshëm markash në portofolin e vet, do të jetë i pranishëm edhe në Shqipëri. BOLV Group zbuloi në fund të vitit të shkuar se kishte arritur një marrëveshje bashkëpunimi për të hapur të parin “Novotel” në kryeqytet, nëpërmjet një kontrate franchising (ku përfitohet e drejta e përdorimit të markës kundrejt pagesës, por menaxhimi bëhet në mënyrë të pavarur nga përfituesi). Hoteli do të ketë 130 dhoma, me një hapësirë 7 mijë m² të dedikuara për biznes dhe kohë të lirë të klientëve, 6 salla konferencash, si dhe një SPA 350 m² dhe një qendër wellness 120 m².

Pavarësisht situatës së pandemisë, zëvendëspresidenti i “BOLV Group”, Olsi Çukaj, shprehet se ndërtimi ka vazhduar me ritme të kënaqshme. Ai nënvizon se prania e disa markave në vend pritet të ndikojë mirë në përgjithësi tregun, pasi do të ketë konkurrencë, çka imponon çmime më të mira dhe rritje të standardit të shërbimit. Çukaj thotë se sfidë për një treg dinamik markash do të jetë sigurimi i ekipit të kualifikuar për të dhënë shërbimet brenda strukturave.

“Ajo që shoh si sfidë për praninë e kaq shumë markave është pjesa e kapitalit njerëzor të kualifikuar dhe të trajnuar për këtë lloj shërbimi, pra hotele marka ndërkombëtare me 4 dhe 5 yje. Në këndvështrimin tim, ka shumë pak persona në treg me kualifikimet e nevojshme për këtë lloj segmenti. Gjetja dhe më pas trajnimi i tyre do të ketë kosto për sektorin” – pohon Çukaj.

 

Rritet prania e markave gjermane, pas “Maritim”, në 2021 hapet “MK Hotel”

Lakimi i politikës së markave në sektorin hotelier nxiti lulëzimin në treg të disa lloj marrëveshjesh. Kryesisht kompanitë shqiptare kanë përzgjedhur partneritete të tipit franchising, që do të thotë se paguajnë një kuotë të caktuar për emrin, por janë të pavarur në vendimet dhe politikat e çmimeve.

Sigurisht ata janë të detyruar të përmbushin të njëjtat standarde shërbimi dhe të trajnojnë stafet në mënyrë periodike. Por nuk mungojnë as rastet kur zinxhirët ndërkombëtarë kanë vendosur që nga ndërtimi e deri te menaxhimi e operimi të bëhet po nga marka. Interes të veçantë duket se ka pasur nga markat gjermane për sektorin e hotelerisë në vend.

Investitorët e “The Plaza Hotel”, një prej strukturave të mëdha në kryeqytet nën “trendin” e markave vendosën të sillnin pikërisht një emër gjerman, “Maritim”. Behar Male, një prej investitorëve, bëri të ditur se kjo zgjedhje nuk ishte e rastësishme por lidhet me kulturën e punës që përfaqëson ky vend. “E kam zgjedhur së pari vetëm sepse është një markë gjermane dhe kultura e të punuarit të këtij vendi është ajo që dua të injektoj edhe tek stafi im, e cila është disiplina, korrektesa dhe cilësia e shërbimit. Dua të përfitoj sa më shumë për të rritur nivelin e shërbimit të stafit dhe si pjesë e kontratës vijnë edhe trajnimet. Besoj verbërisht dhe e kam parë edhe konkretisht efektin pozitiv të këtyre trajnimeve, sigurisht para pandemisë se tani kjo është ndërprerë. Së dyti, shpresoj që në tërësi për biznesin shqiptar të ketë sa më shumë lidhje me biznesin gjerman” – nënvizon Male.

Por hyrja e “Maritim” vjen në të njëjtën kohë me një tjetër markë gjermane, hoteli i së cilës hap dyert vitin tjetër. “Lindner Group”, që zotëron “Tirana Bussines Park”, vendosi të investojë dhe ndryshojë në tërësi planin e zhvillimit në zonë. Sipas përfaqësuesve të kompanisë, koncepti i ri do të krijojë një qytet brenda qytetit. Pjesë e këtij zhvillimi është edhe “MK Hotel”. “Duke qenë se qeveria shqiptare po fokusohet në turizëm, përfshirë shërbimin e akomodimit, ne si ‘Tirana Bussines Park’ kemi vendosur të investojmë në ndërtimin e një hoteli me 5 yje, bashkë me zyrat tona qendrore.

Ndërtimi i hotelit do të kompletohet nga kompania jonë e ndërtimit ‘Lindner Albania’, me investitor ‘Tirana Bussines Park’ dhe do të operohet nga ekipi menaxhues i ‘MK Hotel’. Do të jetë një hotel me 5 yje që do të kalojë në vlerësimin e qeverisë shqiptare. Investimi në këtë projekt është rreth 15 milionë euro” – tha Stephanie Sieg-Farka, Drejtore e Përgjithshme e “Tirana Business Park”.

 

Marka edhe në bregdet, bashkëpunimi i “Concord Investment” me spanjollët e “Melia”

Bregdeti ka qenë një pikë joshëse për të ndërtuar e sidomos ato që rëndom lakohen si fshatra turistikë, ku rezidenca e vila janë shitur pasi janë zhvilluar nga kompani të ndryshme. Në vitin 2017, qeveria ashpërsoi gjuhën duke thënë se nuk do të kishte më leje për fshatra dhe se fokusi do të vihej te resortet. “Concord Investment”, që po zhvillon një nga projektet më të mëdha në zonën e Gjirit të Lalëzit, dhe konkretisht “San Pietro Resort”, vendosi që në këtë rrugëtim të mos hynte i vetëm, por në partneritet me një markë ndërkombëtare dhe konkretisht me spanjollët e “Melia”.

Projekti 88 milionë euro që po zbatohet, po ecën paralelisht me pjesën rezidenciale dhe atë të strukturës hoteliere, e cila do të ketë 500 dhoma. Ermira Brozi, Drejtore e Marketingut dhe Shitjeve në kompaninë “Edil Al” tha se, pavarësisht pandemisë, punimet në resortin “San Pietro” ku ndodhet edhe hoteli “Melia” kanë avancuar. Pavarësisht rritjes së numrit të markave të hoteleve që vijnë në Shqipëri, Brozi thekson se në rastin e “Melia” është avantazh që për herë të parë po ndërtohet në bregdet.

“Marrëveshja e partneritetit mes ‘Concord Investment’ dhe ‘Melia’ sjell për herë të parë një strukturë hotelerie të kësaj natyre në bregdetin shqiptar. Risia përkon me atë që ka munguar deri tani, sjelljen e turistëve të huaj nga po vetë operatori turistik ndërkombëtar” – pohon ajo.
Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një franchaising të mirëfilltë, pasi menaxhimi i hotelit do të bëhet nga vetë grupi spanjoll dhe do të jetë i hapur gjithë vitin dhe jo sezonal.

“Hoteli do të administrohet dhe menaxhohet po nga vetë grupi i hotelerisë. Nuk do të jetë vetëm një strukturë hotelerie që ofron shërbime sezonale, kjo sepse hoteli do të jetë funksional gjithë vitin. I gërshetuar me projektin rezidencial ‘San Pietro’, turistët mund të shfrytëzojnë resurset jo vetëm të Hotelit, por edhe të gjithë hapësirën e konsiderueshme të sipërfaqes që përbën ky projekt” thekson Brozi.

 

 

Pas lehtësimeve fiskale, “kërcen” sipërfaqja e lejeve për hotele

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit, e destinuar për ndërtesa të kategorizuara si hotele, ka shënuar një kërcim të shpejtë dy vitet e fundit. Kjo duket se përkon pikërisht me zbatimin e politikës lehtësuese të qeverisë, që i “çlironte” nga taksat hotelet me status special. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, sipërfaqja e lejeve të dhëna për hotele në vitin 2019 ishte 419 mijë m². Kjo është shifra më e lartë në 15 vitet e fundit.

Në vitin 2018, kjo sipërfaqe ishte 122 mijë m², shifra e dytë më e lartë që nga viti 1995, sipas INSTAT. Përveç politikës stimuluese të qeverisë, një ndikim të vogël drejt zgjerimit në këtë kategori ndërtesash e ka dhënë edhe ecuria e përgjithshme e sektorit të turizmit, ku vitet 2018 dhe 2019 cilësohen si më të mirët në historinë e këtij sektori. Vetëm në vitin 2019, në vend hynë 6.4 milionë shtetas.

Kjo ka bërë që të ketë investime nga disa operatorë kryesisht në Golem, ku ka qenë e përqendruar edhe pjesa e turizmit të organizuar me polakët, çekët dhe nordikët. Zgjerimi i sipërfaqes së hoteleve në Tiranë ka ardhur si efekt i projekteve që kanë përfunduar. Ndërkohë një pjesë janë ende në fazë ndërtimi dhe pritet të mbyllen brenda këtij viti ose në pranverën e vitit të ardhshëm.

 

 

Paketa e qeverisë për hotelet me 4 dhe 5 yje, si u lehtësuan nga taksat

Paketa fiskale e vitit 2018 kishte në fokus nxitjen e hoteleve me 4 dhe 5 yje dhe të gjithë ata që përfitonin statusin special do të kishin edhe trajtim special në taksa.

Hotelet me status kanë zero taksë infrastrukture, që zakonisht për Tiranën është sa 8% e vlerës së investimit, po kështu u zerua tatimfitimi për 10 vjet, si dhe u bë ulje e TVSH-së në 6% për furnizimin e shërbimeve të tjera që ofrohen në hotel, përveç shërbimit të fjetjes që vlen për gjithë sektorin.

Në momentet e fundit, qeveria shtoi edhe një tjetër lehtësi, që ishte përjashtimi nga taksa mbi ndërtesën për ‘Hotel me pesë yje, status special’, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit. Përfitimi mund të bëhet vetëm për subjektet që marrin status special. Por cilat janë kushtet për të përfituar këtë status? Me një vendim tjetër, qeveria përcaktoi se kushti i parë ishte vlera e investimit. Vlera e parashikuar e investimit është të paktën 8 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe të paktën 15 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.

I njëjti vendim përcaktonte se subjekti duhet të investojë në ndërtimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, siç janë të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi dhe struktura e ndërtuar të certifikohet si e tillë nga struktura përgjegjëse.
Subjekti duhet të ketë të lidhur kontratë të vlefshme gjatë gjithë kohëzgjatjes së statusit, me një operator menaxhues të strukturave akomoduese me 4 ose 5 yje, status special, i cili plotëson kriteret e mëposhtme ose, në rastin kur aplikuesi do të menaxhojë vetë këto struktura, ai duhet të paraqesë dokumentacionin që vërteton plotësimin e këtyre kritereve:

“Nëse aplikon për statusin special për 4 yje, të ketë investuar në ndërtimin dhe/ose menaxhon të paktën 5 (pesë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 4 dhe/ose 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese dhe nëse aplikon për statusin special për 5 yje, të ketë ndërtuar dhe/ose menaxhon të paktën 5 (pesë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese;

Këto struktura akomoduese janë në pronësinë direkte të aplikuesit dhe/ose operatorit menaxhues ose administrohen nga ata nëpërmjet kontratave të menaxhimit, të qirasë, të kontratave frachising apo të ngjashme me to. Strukturat akomoduese ndodhen në të paktën 3 vende të Bashkimit Europian. Në rastet kur strukturat akomoduese nuk ndodhen në të paktën 3 vende të Bashkimit Europian, atëherë aplikuesi duhet të ketë investuar në ndërtimin dhe/ose menaxhon të paktën 8 (tetë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 4 apo 5 yje (sipas rastit) nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese, të cilat ndodhen në destinacione ndërkombëtare të turizmit.

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of