Flet Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit
Kur qeveria vazhdon të vërë theksin tek arsyet se pse po mbështet ndërtimin e strukturave me 4 dhe 5 yje përmes paketës lehtësuese në funksion të turizmit, interesi ka mbetur vetëm në koordinatat e kryeqytetit. Pikërisht, Tirana është ajo që vuan më pak mungesën e strukturave akomoduese, ku në këndvështrimin e atyre që operojnë në sektor sot, ka një mbingopje që ka detyruar hotelet në nivelin 4 dhe 5 yje, të konkurrojnë me çmime nën kosto. Edhe segmenti i atyre që 5 yjet i kanë marrë nga kompanitë mëmë po aplikojnë çmime 50% më të lira se në rajon.
Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit shprehet se ende pas kaq shumë vitesh dhe nismash, qeveritë po ecin pa strategji, nuk po bëhet kategorizim i strukturave, nuk po ndërhyhet në infrastrukturë aty ku duhet, duke e lënë që turizmi të mbetet peng i çmimeve të ulëta. Lidhur me “luftën” e shpallur fshatrave turistikë, Topuzi nënvizon se vendosja e kriterit që fillimisht të ndërtohet hoteli, pastaj vilat është thjesht zbutje e gjuhës së komunikimit, por jo zgjidhje për tendencën e shitjes së tyre në tregun imobilar.
Ministri Klosi ka deklaruar se modeli i investimit që do të ndiqet te strukturat akomoduese do të jetë 60% për pjesën turistike dhe 40% për tregun imobiliar, vila apo apartamente private. Si e gjykoni këtë qasje?
Sipas parashikimeve, vëllimi i udhëtimit në botë do të dyfishohet deri në vitin 2030. Klasa e mesme botërore po rritet dhe gjithnjë e më shumë njerëz po bëjnë udhëtime të përballueshme dhe pjesë të stilit të tyre të jetesës. Si rezultat, kemi nevojë urgjente për hotele, pasi Shqipërisë i mungojnë kapacitetet akomoduese, kryesisht në bregdet. Ka shumë pak hotele që plotësojnë kërkesat e kompanive serioze incoming për turizëm të rërës dhe detit. Janë vetëm 10 hotele që përdorin paketa të plota apo HB, për të tërhequr të ardhura maksimale.
Kjo e bën situatën alarmante për t’iu përgjigjur tregut rajonal. Kryeministri Rama, në dy daljet e fundit, ka dhënë versione të ndryshme për zhvillimin e “fshatrave turistikë”. Nuk ka një qëndrim zyrtar. Ndërtimi i hotelit pastaj vilave në zhvillimin e fshatrave turistikë nuk është zgjidhje, është zbutje e gjuhës së komunikimit.
A jemi të vonuar apo në kohën e duhur për këtë “luftën” ndaj fshatrave turistikë, në kohën që janë disa dhjetëra leje aktive në gjithë bregdetin që nuk mund të kushtëzohen?
Politikat e gabuara që vazhdojnë të ndiqen në vend, mungesa e standardeve, kategorizimi i hoteleve, kualifikimi i punonjësve, sezonaliteti, pronësia mbi tokën, aeroportet alternative e arsye të tjera po rrezikojnë që “turizmi të mbetet peng i çmimeve të ulëta”. Te kontingjenti i turistëve që vizituan vendin gjatë 2018-s mbizotëronte ai me shpenzime të ulëta. Do të ishte në të mirë të zhvillimit të vendit, ndërprerja e ndërtimeve imobiliare në bregdet. Numri i turistëve mund të rritet por nuk është primar, janë të ardhurat ato që sigurojnë qëndrueshmërinë e tij.
Kohëve të fundit, nga përfaqësues të qeverisë, janë përmendur dhjetë brand name në fushën e menaxhimit të hotelerisë me interes për Shqipërinë. Koha ka treguar që është sfiduese jo vetëm sjellja e emrave por edhe mbajtja e tyre. Çfarë duhet të bëhet më mirë për të përmirësuar klimën e përgjithshme në sektor, duke mos mënjanuar investitorët vendas?
Hera e parë që një Kryeministër flet kaq gjatë e me pasion, madje çdo ditë, për turizmin, agro-turizmin dhe rilindjen e 100 fshatrave, që kërkon të frymëzojë çdo person që ka një ide apo një pronë, të investojë në këtë industri. Por kjo nuk mjafton.
Shohim një qasje të qeverisë për të ndërtuar resorte dhe struktura me 4-5 yje, qoftë dhe duke e stimuluar me paketa favorizuese. E vlerësoj këtë nxitje, por mendoj se nuk jemi gati dhe mund të dëmtojë industrinë ekzistuese. Jemi pa Strategji dhe Master-Plan Turizmi, elementet kryesore për një investitor potencial në bregdet. Ka ardhur koha të bëhet një analizë më e plotë e arsyeve pse Shqipëria në këto 28 vjet nuk ka resorte, hotele, kur kushtet tona klimatike apo asetet janë disa herë më të përshtatshme. Cilësi elitare, në një ambient jo elitar, nuk mund të ketë.
Shqipëria është vendosur gjeografikisht shumë mirë afër Azisë, Rusisë dhe për njerëzit që kërkojnë alternativa të tjera është një mundësi e mirë. Ka diversitet opsionesh, por është jashtë hartave të tregut turistik. Të gjithë thonë: ofrojmë det/mal/kala, etj. Duhet të krijojmë “targetin” tonë, një histori për të shitur vendin, për t’u diferencuar nga të tjerët. Duhet të bëhemi pjesë e kompanive të mëdha hoteliere që Shqipëria të bëhet e “dukshme” dhe të përfitojë nga potenciali reklamues i tyre. Të kemi strategji të qarta dhe çfarë turistësh kërkon e nga cilat vende. Jemi në fazën e firmosjes së kontratave, ndërkohë që në rajon, janë të pranishme dhjetë kompanitë më të fuqishme botërore të shërbimeve hoteliere.
Ka një tendencë për të kthyer disa prej ndërtesave shumëkatëshe në hotele edhe në kryeqytet, çka favorizon shmangien nga taksa e infrastrukturës. A rrezikojmë të kemi një treg të mbingopur me struktura akomoduese, sidomos në kryeqytet?
Shohim një interes vetëm në Tiranë, ku ka një treg të mbingopur për këto shërbime (hotele të mëdha me 4-5 yje). Konkurrenca për të marrë shërbimet qeveritare të korporatave, konferencat rajonale apo të tjera ka sjellë një situatë shqetësuese në raportin cilësi/çmim. Hotelet kryesore (të kategorisë 4-5 yje) po luajnë me çmime minimale, nën kosto, duke dëmtuar tregun dhe duke shitur në fashën e hoteleve me 3 yje dhe deri 50% më lirë se rajoni. Duhet ecur me hapa të kujdesshëm. Pyetjet që shtrohen shprehin shqetësimin: ku po shkojmë dhe pse nuk po e kuptojmë që mënyra e shfrytëzimit të resurseve tona është e gabuar. Jemi shprehur më qartë dhe në tavolina të ngushta, por bëjnë sikur nuk kuptojnë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.