Ndërkohë që pandemia e shkaktuar nga Covid-19 vijon të përhapet, hotelet po shndërrohen në spitale, për të ulur tensionin në sistemin shëndetësor nëpër botë
Në Manchester, dy hotele do të mbyllen së shpejti për publikun e gjerë dhe do të mirëpresin një lloj tjetër vizitorësh: mjekë, infermierë dhe profesionistë të tjerë të sistemit shëndetësor të National Health Service (NHS), të cilët do të përballen me kushte të vështira në muajt e ardhshëm, me rritjen e numrit të të prekurve me koronavirus në Europë.
Stock Exchange Hotel dhe Hotel Football në Old Trafford, që zotërohen pjesërisht nga ish-futbollistët e Premiership, Gary Neville dhe Ryan Giggs do të vënë në dispozicion falas 176 dhoma. “Duke vënë në gatishmëri dy hotelet tona, pa kosto, për personelin shëndetësor ne shpresojmë që të japim sadopak mbështetje për ta, në një kohë kur kanë nevojë” – tha Neville në një video që qarkulloi në rrjetet sociale.
Edhe hotele të tjerë në Britaninë e Madhe janë duke iu bashkuar nismës së Neville dhe Giggs, duke ofruar shërbimet e tyre. Zinxhirë hotelesh si Hilton, Travel Lodge dhe Best Western Great Britain janë në bisedime për të ofruar ndihmën e tyre në akomodim apo edhe reparte spitalore, edhe pse këto të fundit kërkojnë plotësimin e një sërë faktorësh logjistikë dhe siguri. Edhe miliarderi dhe pronari i klubit të futbollit, Roman Abramovich, është ofruar të japë ndihmën e tij, duke paguar faturën e personelit të NHS që rezervojnë dhomat e Stamford Bridge Millennium Hotel.
Parashikohet që në muajt e ardhshëm do të infektohen miliona njerëz nga koronavirusi. Udhëtimet janë reduktuar ndjeshëm në vendet që në të kaluarën zotëronin liri lëvizje thuajse totale. Udhëtimet jo të rëndësishme në shumë vende të Europës nuk këshillohen, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të miratuan një dekret për personat që vijnë nga vendet e zonës ‘Schengen’, Britania e Madhe, Irlanda, Kina dhe Irani dhe mbylli kufirin me Kanadanë.
Efekti zinxhir në gjithë këtë është një rënie e fortë në turizëm. Hotelet janë përballur me anulimin në masë të rezervimeve; resortet janë mbyllur dhe mijëra udhëtime janë bllokuar në tokë. Ndërkohë që hotelet janë bosh në të gjithë globin, disa operatorë të industrisë së udhëtimeve janë po ofrojnë ndihmën e tyre për të përballur krizën. Shumë dhoma, që dikur mirëprisnin udhëtarë, do të shndërrohen në struktura për mjekë e infermierë, madje disa prej tyre do të shndërrohen në reparte spitalore emergjente.
Në Spanjë, e cila tashmë është në izolim të plotë, në përpjekje për të shmangur përhapjen e koronavirusit, Gran Hotel Colon në Madrid, me 350 dhoma do të mirëpresë pacientë të cilët janë prekur lehtë nga koronavirus, duke ndihmuar spitalet spanjolle t’i ruajnë vendet për rastet e rënda dhe kritike. Italia, e cila ka kapërcyer Kinën si vendi me numrin më të lartë të të vdekurve nga pandemia, u ka bërë kërkesa të ngjashme hoteleve pranë strukturave mjekësore.
Edhe Franca fqinje ka marrë masa strikte. Shërbimet e kujdesit për fëmijë që financohen nga qeveria janë vënë në gatishmëri të personelit shëndetësor. Shteti ka marrë në kontroll një numër të madh hotelesh për t’i vënë në shërbim të stafit mjekësor.
Strukturat e emergjencës për personelin shëndetësor luajtën një rol jetësor në luftën kundër përhapjes së Covid-19. Në Wuhan, qeveria kineze krijoi struktura të specializuara ku mjekët dhe infermierët, që kujdeseshin për pacientët e prekur nga koronavirusi, mund të qëndronin aty. Kjo i dha mundësinë stafit mjekësor, të cilët përballen me rrezikun e madh për t’u prekur nga sëmundja, të izolohej nga familjarët dhe komuniteti, duke bllokuar përhapjen e Covid-19. Gjithashtu e bëri më të lehtë për doktorët dhe infermierët vajtjen në spital, ndërkohë që transporti publik u ndërpre.
Në mungesë të një vaksine kundër koronavirusit, kërkohen zgjidhje të menjëhershme ndaj këtij problemi me të cilin do të përballen së shpejti sistemi shëndetësor në Amerikë dhe Europë. Ndërkohë që dhomat e hotelit janë larg kushteve ideale për kujdesin shëndetësor, një numër gjithnjë e në rritje doktorësh, infermierësh dhe pacientësh do ta shohin veten shumë shpejt të bëjnë rezervim në to.
Burimi: Lonely Planet