Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës ka reaguar lidhur me vendimin e fundit të Qeverisë që ndalen të gjitha format e organizimit për shkak të pandemisë COVID-19.
OHTK thotë mbajtja e seminareve nuk paraqet rrezik për rritjen e infektimeve, ku sipas tyre, është një vendim jo i analizuar mirë.
“Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, kërkon nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj që ta ndryshon vendimin ku thuhet se, duhet të ndalen urgjentisht të gjitha format e organizimit ku ka grumbullime njerëzish për shkak të rritjes së rasteve të të infektuarve me COVID-19. Ne OHTK, kemi informata që shumica absolute janë duke iu përmbajtur masave të marra nga Qeveria, prandaj ne e kemi përshëndetur mbylljen e atyre lokaleve që nuk iu kanë përmbajtur masave te parapara, por vendimi i fundit që është marr nga ministri Zemaj, degradon krejt edhe atë që kishte filluar të riparohet, sepse mbajtja e seminareve në asnjë mënyrë nuk paraqet rrezik për rritjen e infektimeve nga COVID-19, pra është një vendim jo i analizuar mirë”, thuhet në reagim.
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka thënë se të gjitha masat që janë vendosur nga qeveria i kanë respektuar.
“Ne, si OHTK, reagojmë ashpër ndaj kësaj mase, sepse është e qartë se të gjitha masat e marra janë respektuar si p.sh, distanca prej 2 metra, matja e temperaturës para se pjesëmarrësit të futen në sallë, dezinfektimi i duarve. Përderisa në vendet fqinje ndalohen grumbullimet të cilat nuk kanë qëllime pune, në Kosovë ndalohen seminaret dhe punëtoritë, të cilat po menaxhohen me shumë kujdes, është pa kuptim, pra këtu në Kosovë po punohet me dy standarde, gjë që nuk është e mirë. Të gjithë e dijnë se Sektori i hotelierisë që nga fillimi i pandemisë COVID-19, ka qenë më i atakuari ekonomikisht dhe seminaret kanë qenë shpresa e tyre e fundit për rimëkëmbje”.
Shkatërrimi i bizneseve për shkak të vendimeve pa hulumtim te mirëfilltë e ka kthyer krejt procesin mbrapa, e vendimi si preteks për luftën kundër COVID-19, është i pakuptueshëm dhe duhet të evitohet e ndalohet urgjentisht.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.