Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë se, ekonomia e vendit për këtë vit pritet të shënojë një rënie prej 7.2 për qind.
Mehmeti gjatë një konference për media, së bashku me kryeministrin Avdullah Hoti, ka thënë se, zbatimi Pakos së Rimëkëmbjes është mëse e nevojshme.
Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Hoti ka thënë se BQK do t’i mbështesë politikat e Qeverisë dhe do të punojë me parimin e ekonomisë së lirë.
Sipas tij, sektori bankar në pandemi ka qenë stabil, duke shtuar se në shkurt të vitit 2020 bankat ishin stabile.
Mehmeti ka thënë se ekonomia pritet të shënojë një rënie në 7.2 % shkaku i masave të pandemisë.
“Në fillim të pandemisë është aktivizuar ekipi i vazhdimësisë për të siguruar funksionalitet të plotë në të gjitha bankat. BQK që në fillim të masave kufizuese ka treguar aktivitet të lartë që të ndihmojë agjentët ekonomik për përballim të kësaj situate. Ne kemi qenë në komunikim të rregullt me institucione ndërkombëtare dhe të gjitha aktivitetet i kemi në koordinim me këto. Banka Qendrore Evropiane ka aprovuar kërkesën e Bankës Qendrore për të vendosur një linjë të financimit në vlerë 100 milionë euro, e vlefshme deri në qershor 2021 e cila mundëson të huazojë likuiditet për institucionet financiare për shkak të mosfunksionimit së tregjeve”.
Mehmeti ka thënë se BQK-ja ka ndihmuar me të gjitha kapacitetet e saj profesionale Qeverinë në përpilimin e një pakoje ekonomike dhe mbetet e përkushtuar që ta ndihmojë ekonominë e vendit.
Ai ka thënë se sektori bankar vazhdon të mbetet stabil, likuid dhe mirë i kapitalizuar.
“Raporti i likuiditetit shënon 37.7 % që është mbi minimum 25 %, kreditë e përformuesit 2.7 % dhe mbulueshmëria e tyre me provizione është 138.2 %. Kreditë në muajin gusht 2020 shënojnë 3.02 miliardë euro duke shënu trend të rritjes edhe këtij viti me një rritje 7.6 %. Vlera e kredive të reja të lëshuara në periudhën janar-gusht 2020 është 912.5 milionë euro që është rënie prej 5 %. Megjithatë gjatë korrikut dhe gushtit kemi të dhëna premtuese, kreditë e reja shënojnë rritje mbi 320.7 milionë euro ndërsa vitin e kaluar për periudhën e kaluar ishin 260 milionë euro, pra kishte rritje vjetore 23 %”.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka falënderuar BQK-në për veprimet që ka bërë që nga fillimi i pandemisë
Hoti foli edhe për masat e reja dhe tha se këto masa do të bëhen në bashkëpunim me BQK-në.
Kryeministri u shpreh i lumtur që fundviti po përmbyllet me stabilitet bankar.
“Unë besoj se bashkërëndimi i aktiviteteve me BQK-në ka ndihmuar në tejkalimin e gjendjes, që i ka mundësuar 77 mijë kërkesave për shtyrje të kredive. Ku 60 për qind e kredive janë shtyrë apo riprogramuar. Ne biseduam në detaje për marrjen e masave të reja që nga janari 2021. Ne e mbështesim ekonominë e Kosovës gjatë pandemisë me 5 për qind të PBB-së pra në vlerë 365 milionë euro. Po ashtu edhe një shumë prej 182 milionë euro për vitin 2021”, tha Hoti.
Në fund, ai tha se, Kosova po e përmbyll një vit me stabilitet financiar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.