Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti ka thënë se marrëveshja e paqes me Serbinë arrihet vetëm përmes dialogut të udhëhequr nga Qeveria e Kosovës. Hoti ka thënë se pengesat e vetëshkaktuara na përjashtojnë nga ky proces duke aluduar në taksën e vënë nga Qeveria Haradinaj ndaj produkteve serbe dhe boshnjake. Ai edhe një herë ka kërkuar që kryeministri Kurti të marrë vendim për taksën pasi që limiti kohor po kalon. Kure, kryetari i Partisë demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të qartësojë qëndrimet për tarifën dhe të mos ikë nga përgjegjësitë duke manipuluar me deklarata të ndryshme.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është deklaruar rreth dialogut me Serbinë që për konkluzion, ka njohjen reciproke.
Përmes një postimi në faqen zyrtare të Facebook-ut të tij, Hoti thotë se pengesat e vetëshkaktuara, nuk e ndihmojnë këtë proces.
“Para nesh kemi një proces sfidues të arritjes së Marrëveshjes së Paqes me Serbinë, që si konkluzion ka njohjen reciproke, siç edhe shprehet Sekretari Pompeo në letrën e fundit për Qeverinë e Kosovës. Ballafaqimi me këtë proces është domosdoshmëri e jona, por edhe kërkesë e miqve tanë që na kanë përkrahur për 30 vite rresht, nga kërcënimet e Kërshëndellave e deri tek bombardimet e NATO-s e shpallja e pavarësisë”, shkruan Hoti.
Hoti, tutje thotë se “Kjo marrëveshje arrihet vetëm përmes një procesi dinamik dialogues të UDHËHEQUR nga Qeveria e Republikës së Kosovës”.
“Ne, si Qeveri me legjitimitet të plotë qytetarë, do të jemi pjesë e zgjidhjes (të mirë) për vendin. Pengesat e vetëshkaktuara që na përjashtojnë nga ky proces nuk na ndihmojnë, përkundrazi”, shkruan tutje Hoti.
Në fund, zv/kryeministri Hoti thekson se “Jemi në limit të kohës që të bëhemi pjesë e mbrojtjes dhe avancimit të sovranitetit të vendi tonë”.
Kure, kryetari i Partisë demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të qartësojë qëndrimet për tarifën dhe të mos ikë nga përgjegjësitë duke manipuluar me deklarata të ndryshme.
Lideri i opozitës, Veseli, ka shkruar në faqen e tij në Facebook se debati publik për tarifën i duhet vetëm Albin Kurtit, që të manipulojë duke i ikur vendimmarrjes dhe përgjegjësisë shtetërore dhe për të evituar debatin publik për mungesën e programit qeverisës, për shkeljen e premtimeve të tij elektorale para qytetarëve, për mungesën e guximit vendimmarrës dhe për shumëçka tjetër.
“Ka disa ditë që në publik po problematizohet seriozisht çështja e tarifës dhe e takimeve të Albin Kurtit me përfaqësuesit e shtetit serb. Paragjykimet për këto dy tema, në fakt, janë standard i vënë nga vetë ai dikur. Ky debat në publik i duhet pikërisht atij, që të manipulojë duke i ikur vendimmarrjes dhe përgjegjësisë shtetërore. Por, kjo nuk i duhet sot Kosovës. Kjo qasje i duhet vetëm Kryeministrit për të evituar debatin publik për mungesën e programit qeverisës, për shkeljen e premtimeve të tij elektorale para qytetarëve, për mungesën e guximit vendimmarrës dhe për shumëçka tjetër. Kryeministri duhet të qartësohet, dhe të mos ikë e manipulojë”.
Ditë më parë kryeministri, Albin Kurti ka treguar se Qeveria e Kosovës është duke punuar për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe për futjen e masës së reciprocitetit të plotë tregtar me Serbinë.
“Rozeta tashmë ka marrë vendim për të krijuar grupin punues me anëtarët nga Departamenti i Tregtisë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda e Afaristëve të Kosovës, Dogana, AVUK-u dhe Klubi i Prodhuesve te Kosovës. Ky grup do të përmbledhë te gjitha barrierat tregtare me Serbinë dhe do të vijë me rekomandim te qeveria. Porsa të vijnë në zyrën time këto rekomandime do t’i analizojmë dhe do të marrim vendim për largim të tarifës dhe vendosje të reciprocitetit. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe do të veprojmë si të tillë”, ka thënë Kurti.
Në anën tjetër, ndaj paralajmërimeve të kryeministrit Kurti për heqjen e tarifës ndaj prodhimeve të Serbisë ka reaguar lideri i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili kishte marrë vendimin për vendosjen e kësaj tarife, gjatë mandatit të tij si kryeministër.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Haradinaj i ka kërkuar kryeministrit Kurti që të mos e heqë tarifën “për rikthim në proces të konsumuar e komprometuar”, por që të bëjë ofertë “për kontratë finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues”.
“Oferto heqjen e taksës për Kontratën Finale për njohje në kufijtë ekzistues, jo për rikthim në proces dialogues tashmë të konsumuar e komprometuar. Nëse shkon rrugës së parë për kontratën finale për njohje, do ta kesh përkrahjen time dhe të Aleancës. Nëse vazhdon me ofertën për kthim në proces të konsumuar e komprometuar, do të të mbajmë përgjegjës për pasojat”, ka thënë Haradinaj.
Tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është vendosur në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, si kundërpërgjigje, siç është thënë, ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për tërheqjen e njohjeve të saj.
Që atëherë, Beogradi ka refuzuar të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pa heqjen e kësaj tarife.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.