Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka deklaruar se Kosova është në fazën finale të pandemisë. Para Komitetit për Menaxhimin e Situatës me COVID-19, Hoti ka thënë se për disa javë presin ardhjen e vaksinave për të filluar me vaksinimin masiv.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen e Komitetit për vlerësimin e situatës me COVID-19, ka përgëzuar punën e këtij komiteti duke thënë se kanë bërë një punë të jashtëzakonshme.
Hoti tha se presin që për disa javë të arrijnë edhe vaksinat dhe të fillojë procesi i vaksinimit të qytetarëve.
“Jemi në fazën finale të kësaj pandemie, për disa javë presim arritjen e vaksinave dhe do të fillojmë vaksinimin masiv. Informatat që mora dje nga ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i IKSHPK-së, janë shumë inkurajuese edhe për përgatitjet teknike”, tha Hoti.
Kryeministri në detyrë pati edhe disa fjalë për ata të cilët kanë kritikuar mos arritjen e vaksinave, duke thënë se nuk kanë dashur të hyjnë në lojëra.
“Jemi kritiku edhe për vaksinën por kemi bërë të gjitha përgatitjet që vaksinën ta sjellim sipas standardeve të BE-së e jo të hyjmë në lojëra. Ata që kritikojnë pa nevojë nuk e tregojnë të vërtetën se ka kanë ardhur vaksinat në vendet e regjionit të cilat janë me origjinë të dyshimtë”, tha Hoti.
Hoti shtoi se beson që do t’ia dalim mbanë dhe se do ti kthehemi normalitetit.
Kryeministri tutje shtoi se janë rritur edhe kapacitetet testuese, ku tha se brenda ditës testohen mbi 3 mijë veta.
Hoti më tej theksoi se jo gjithmonë kemi arritur t’i zbatojmë në përpikëri të gjitha protokollet që janë të cekura në manualin për mbrojtjen kundër COVID-19.
Kurse, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se Kosova po e vazhdon luftën me COVID-19 me të gjitha kapacitetet që i ka.
“Dua t’iu siguroj se me tërë kapacitetin tonë, por edhe përgjegjësinë morale dhe institucionale, me kapacitetin vendor që e posedojmë dhe mbi të gjitha me përkrahësit ndërkombëtarë po vazhdojmë të vendosur luftën kundër virusit me të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion”.
Ai, në mbledhjen e komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19, ka siguruar se do të ketë vaksina për të gjithë.
“Ministria e Shëndetësisë bashkë me IKSHPK-në ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për vaksinim. Ju siguroj ju dhe qytetarët se të gjithë ata që duhet të vaksinohen do të vaksinohen sipas planit të vaksinimit. Edhe më tej po vazhdojmë të jemi të angazhuar me partnerët tanë – OBSH-në, UNICEF-in, mekanizmin COVAX, shtetet mike, prodhuesit – për të siguruar sa më shumë vaksina kundër COVID-19. Nuk është problem buxheti, angazhimi, kontakti me prodhuesit apo përmbushja e kushteve dhe kritereve të kërkuara nga secili prodhues dhe shtet. Qeveria e Kosovës për vitin 2021 ka paraparë 40 milionë euro për vaksina dhe nevoja të tjera lidhur me COVID-19 duke shtuar edhe 10 milionë euro nga pjesë e rimëkëmbjes”.
I pari i shëndetësisë ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë faj që nuk kanë ardhur akoma vaksinat kundër COVID-19, ani se ishte premtuat se do të vijnë në muajin shkurt.
Të infektuar mbi 75 mijë qytetarë, grupmosha më e prekur 30-39 vjeç
Drejtori i Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Naser Ramadani ka thënë se që nga fillimi i pandemisë e deri më 11 mars 2021 kanë testuar 345 mijë e 64 persona të dyshimtë për koronavirus.
Ramadani deklaroi se duhet të vazhdohet me masa mbrojtëse antiCOVID, dhe se çdo qytetarë duhet të respektojnë këto masa.
“Nga data 8 shkurt 2020 deri më 11 mars 2021 janë testuar 345 mijë e 64 persona të dyshimtë për coronavirus, dhe u gjurmuan të gjitha kontaktet e rasteve të konfirmuara. Deri më sot me coronavirus janë konfirmuar 75 mijë e 180 raste. Deri më 11 mars, 63 mijë 380 raste janë shëruar, raste aktive janë 10 mijë 318. Në dy javët e fundit janë raportuar 7 mijë raste pozitive, 94 raste fatale”, tha ai në mbledhjen e Komitetit për COVID-19.
Ramadani bëri të ditur se grupmosha më e prekur nga coronavirusi është 30-39 vjeç.
Gjithashtu, ai tha se janë në pritje të vaksinave antiCOVID, dhe se menjëherë do të bëhet dhënia e tyre në çdo komunë të Kosovës.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani ka thënë se për momentin situata me COVID-19 në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, është e menaxhueshme.
Lenjani shtoi se në nivel vendi janë të shtrirë 632 të sëmurë.
“Prej tyre 290 janë të shtrirë në QKUK, 402 në spitale regjionale. Në nivel vendi 487 janë në oksigjeno terapi, 23 janë me mbështetje të avancuar të rrugës së frymëmarrjes, 5 janë të intubuar dhe 90% i shfrytëzimit të shtretërve në QKUK dhe në spitalet regjionale”, tha Lenjani.
Ai shtoi se që nga dita e djeshme në Klinikën Infektive të gjithë shtretërit janë pajisur me oksigjen qendror.
“Që nga dita e hënë QKUK-ja ka riorganizuar zgjerimin e kapaciteteve, kemi siguruar shtretër rezervë që nëse rritet fluksi të gjithë pacientët të kenë ku të trajtohen”, tha Lenjani.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar të enjten 632 raste me koronavirus, pas testimit të 3.621 mostrave në institucionet publike dhe ato private.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), më 11 mars janë regjistruar tetë viktima.
Në po këtë ditë, sëmundjen COVID-19, e kanë tejkaluar 397 persona, derisa 10.318 raste vazhdojnë të jenë aktive.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet e këtij vendi kanë regjistruar 75.380 persona të infektuar me këtë virus.
Prej tyre 1.682 kanë vdekur. Më 11 mars të një viti më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur koronavirusin pandemi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.