Kryeministri Avdullah Hoti pas takimit që pati me Presidentin Hashim Thaçi ka thënë se pret nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të miratojnë rishikimin e buxhetit si dhe ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike.
Kryeministri Hoti ka thënë se ligji për Rimëkëmbje Ekonomike është i rëndësisë nacionale.
Ai theksoi se pret mirëkuptim nga ana e deputetëve që të votohen këto dy çështje para se Kuvendi i Kosovës të shkoj në pushimet verore.
“Kemi biseduar në detaje për tema të interesit nacional. Pres që në ditët e ardhshme Kuvendi të miratoj rishikimin e buxhetit dhe ligjin për rimëkëmbjen ekonomike. Është ligj i rëndësisë nacionale, dhe pres në mirëkuptim që deputet të kryejnë këto punë para se Kuvendi të shkoj në pushim të verës”, ka thënë kryeministri, Avdullah Hoti.
Ditë më parë më 67 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar në parim Projektligjin 07/L-014 për Rishikimin e Ndarjeve Buxhetore për vitin 2020.
Hapi i radhës është procedimi në komisionet parlamentare dhe më pas të dërgohet sërish në Kuvend për votim përfundimtar.
“Faleminderit të gjithë deputetëve për mbështetjen e rishikimit të buxhetit. Tash duhet shpejt të procedohet në komisione parlamentare dhe të sillet në Kuvend për votimin përfundimtar”, kishte shkruar kryeministri Avdullah Hoti në Facebook.
Mosrishikimi i buxhetit sipas Qeverisë, po mban peng ekzekutimin pagesave të Pakos Emergjente Fiskale për punëtorët, ndihmat për qiratë e bizneseve si dhe masat e tjera të parashikuara në të njëjtën pako.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, gjatë seancës së kaluar, ka arsyetuar rishikimin e buxhetit ku ka theksuar se me këtë do të adresohen sfidat të cilat janë shkaktuar nga kriza e pandemisë COVID-19.
Bajrami ka thënë se shpenzimet buxhetore janë paraparë të jenë 2.6 miliardë euro që parashihet edhe Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike prej 385 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.