Ministri i Financave Avdullah Hoti ka pritur në takim anëtaren e Bordit të Drejtorëve Ekzekutiv të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) Ingrid Hengster.
Në këtë takim Ministri Hoti duke falënderuar Hengster për kontributin e vazhdueshëm që shteti gjerman i ka dhënë shtetit të Kosovës, si një ndër kontribuesit dhe donatorët më të rëndësishëm për Republikën e Kosovës, e njoftoi atë për situatën ekonomike në vend. ku sipas tij Qeveria ka aprovuar programin qeverisës 2015-2018, i cili si fokus kryesor ka zhvillimin ekonomik, gjithnjë duke ruajtur qëndrueshmërinë makrofiskale. Rritja ekonomike në Republikën e Kosovës është mbi mesataren e rajonit dhe pritet të jetë kështu edhe për vitet e ardhshme.
Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës është e interesuar për ruajtjen e qëndrueshmërisë makro-fiskale dhe në muajt e fundit kemi hyrë në një program me FMN-në, ku edhe jemi dakorduar që të modifikojmë rregullën fiskale për të lejuar realizimin e investimeve kapitale të financuara nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare, investime këto shumë të rëndësishme dhe të nevojshme për ekonominë e vendit tonë, shkruan RTK.
Sa i përket interkonekcionit me energji elektrike me Shqipërinë, në këtë takim u bë e ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson lartë përmbylljen e punimeve sa i përket anës së Kosovës dhe nga viti i ardhshëm pritet që të filloj shfrytëzimi i kësaj linje të rëndësishme për Kosovën. Ky projekt po arrin të finalizohet falë përkrahjes së shtetit gjerman.
“Duke e vlerësuar shumë asistencën teknike të dhënë nga shteti gjerman, për të ardhmen duhet marrë parasysh nevojën për financimin e projekteve kapitale të cilat janë prioritet për Republikën e Kosovës dhe në këtë drejtim do të ishte i mirëseardhur një koncentrim më i madh në asistencë financiare për vitet në vijim. Gjithashtu shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë stafin e KfW-së për bashkëpunimin e shkëlqyer”, tha ministri Avdullah Hoti.
Ndërsa, Anëtarja e Bordit të Drejtorëve Ekzekutiv të KfW-së Ingrid Hengster, e falënderoi Ministrin Hoti për pritjen dhe shprehi gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes së KfW-së për institucionet e Republikës së Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.