Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se SHBA dhe BE janë në koordinim të plotë lidhur me procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri e ka ripërsëritur se nuk ka dialog teknik me Serbinë, dhe se ai nuk do të hezitoj të ulët në tryezën e dialogut që mbahen në Washington e Bruksel.
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti në diskutimin për dialogun që është organizuar nga shoqëria civile deklaroi se pa njohje reciproke me Serbinë nuk do të ketë as normalizim të plotë ekonomik.
Hoti mes tjerash deklaroi se marrëveshja finale duhet të rezultojë dhe arrihet vetëm me njohje reciproke dhe jo në ndonjë formë tjetër.
“Për ne udhërrëfyes për procesin e dialogut është Kushtetuta e Kosovës, na është kërkuar çdoherë që të bëjmë reforma për fillimin e dialogut. Marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës pasi vetëm kjo na bjen deri tek nënshkrimi i marrëveshjes finale. Marrëveshja duhet të rezultojë me njohje reciproke dhe vetëm njohje reciproke, e jo në forma tjetër siç thash me gjëra kreative. Pa njohje reciproke me Serbinë, nuk ka as normalizim të plotë ekonomik”, ka deklaruar Hoti.
Kryeministri i Kosovës po ashtu theksoi se produkt i marrëveshjes duhet të jetë zgjidhja e çështjes së mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet e BE-së.
“Pozicioni u bë i qartë më fillimin e samitit të Parisit prej kur nisi dialogu. Marrëveshja duhet të jetë gjithpërfshirëse dhe e ligjshme, të kemi një marrëveshje që mbyllet njëherë e përgjithmonë, që mos të filtet më për problemet as në gjeneratat e ardhshme”.
Kryeministri mes tjerash deklaroi se nuk ka hezituar e as nuk heziton të flet për dialogun por këtë e bën vetëm në Bruksel e Washington.
“Nuk kam hezituar e as nuk hezitoj të ulem dhe të flas për dialogun por vetëm në Bruksel dhe Washintgon. Marrëveshja e Washingtonit më 4 shtator ka dy elemente kryesore, atë ekonomik… Interesimi i Trump është që të lëvizim shpejtë përpara. Pjesë e rëndësishme e marrëveshjes është dakrodimi për njohje reciproke mes Kosovës dhe Izraelit. Moratoriumi vlen vetëm për procesin e aplikimit në organizata ndërkombëtare por jo procesin e përgatitjes. Njohja nga Izraeli nuk ka rënë në kundërshtim me marrëveshjen që kemi nënshkruar dhe ka ardhur 20 minuta pas nënshkrimit të marrëveshjes”, ka thënë Hoti.
Hoti ka thënë se Kosova është treguar konstruktive sa i përket procesit të dialogut.
“Do të kemi njohje të tjera në muajt e ardhshëm. Po përgatitemi që të lëvizim shpejt për funksionalizimin e kësaj marrëveshjeje. Në javën e fundit të shtatorit do të jetë një delegacion nga SHBA në Prishtinë për implementimin e marrëveshjes”.
Ai ka thënë se për çështjen e Ujmanit po bëhet zhurmë pa nevojë .
“Për çështjen e Ujmanit po bëhet zhurmë pa nevojë – po shfrytëzohet për të bërë politika ditore. Departamenti Amerikan i Shtetit do të bëjë studim fizibiliteti. Kaq. Kosova është shtet i pavarur që njihet nga SHBA e cila më së shumti punon për fuqizimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës. Ekspertët ndërkombëtarë do ta bëjnë sutdimin e fizibilitet”.
Kosova dhe Serbia më 4 shtator në Washington, kanë arritur marrëveshje për normalizim ekonomik.
Marrëveshja është nënshkruar në prani të presidentit amerikan, DonaldTrump.
Pas takimit në Washington, Hoti dhe Vuçiq janë takuar më 7 shtator në Bruksel, ku kanë njoftuar se kanë hapur diskutimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe për çështjet pronësore dhe financiare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.