Hoti: Pavarësimi energjetik, sukses i përbashkët i Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë

14/12/2020 3:25 PM 0 komente

Sot nisi operimi i pavarur i Kosovës, si zonë rregulluese brenda bllokut rregullues Shqipëri – Kosovë, ndërsa Kryeministri Avdullah Hoti tha se pavarësimi energjetik është sukses i përbashkët i Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë. Linja energjetike e interkoneksionit ishte shpallur e përfunduar, përuruar dhe testuar në qershor të vitit 2016.

 

Linja energjetike e interkoneksionit Kosovë-Shqipëri është aktivizuar më në fund. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se që nga sot Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) operon si i pavarur.

“Pavarësimi energjetik është sukses i përbashkët i Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë. Kjo është një arritje e madhe, e cila ka ndodhur, pasi që KOSTT-i ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe tani po operon i pavarur”, tha Kryeministri Hoti, duke shtuar se që nga data 14 dhjetor 2020, është vënë në funksion edhe linja e re me Shqipërinë.

Dalja e Kosovë nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok Shqipërinë ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor. Ajo hyri në fuqi më 29 shtator.

Kurse, Kryeministri Edi Rama ishte sot në dispecerinë e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, ku nisi operimi i pavarur i Kosovës, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Shqipëri – Kosovë.

Rama tha se kjo është një arritje historike, që kishte mbetur pezull që në vitin 2010, por u përfundua vetëm në 2016, ndërsa arsyeja pse nuk ishte vënë në punë ishte vetoja nga Serbia.

“Më në fund Ia kemi dalë të arrijmë këtë ditë, që nëse kthehemi pas ka marrë shumë kohë. Në shkurt 2010, kur qeveria ka miratuar një hua për ndërtimin e linjës së transmetimit Shqipëri-Kosovë dhe sipas zotimit të kryeministrit paraardhës, linja që do përfundonte për 2 vite, që ishte cito ‘një marrëveshje historike’, duke hequr këtë pjesë të fjalës me të cilën pajtohem, duhet të kujtoj se puna nuk filloi kurrë. Jo vetëm që asgjë nuk nisi por , sistemi elektro-energjitik vazhdoi të degradohej deri në pikën që u bë barrë shtetit, që rrezikonte falimentin financiarisht të Shqipërisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga ai e mbylli këtë projekt për 2 vjet.

Kryeshefi Ekzekutiv në Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), Ilir Shala, pati thënë për mediat e Kosovës se nga viti 2008 e deri më 2019, shteti i Serbisë, sipas tij, në mënyrë joligjore ka shfrytëzuar rrjetin e transmisionit të Kosovës dhe ka mbledhur të hyra prej rreth 65 milionë euro.

“Në aspektin financiar apo komercial definohet dimensionimi i kapaciteteve energjetike brenda bllokut Kosovë – Shqipëri, ku sipas kalkulimeve të dakorduara, kursimet do të jenë rreth 4 milionë euro në vit. Për Operatorin e Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) përfitimet do të jenë 1.4 milionë euro, ndërkaq për KOSTT-në 2.6 milionë euro”, ka thënë Shala.

Linja energjetike e interkoneksionit ishte shpallur e përfunduar, einauguruar dhe testuar në qershor të vitit 2016. Ajo është një linjë interkoneksioni prej 400 kilovatësh në mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe ka shtrirje në një gjatësi totale prej 241.1 kilometrave, nga të cilat 151.1 kilometra shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 kilometra në territorin e Kosovës.

Ky projekt ka kushtuar 75.5 milionë euro. Mbi 33 milionë euro u financuan nga Kosova, ndërsa 42 milionë të tjera nga Shqipëria. Nga mosrespektimi i kësaj marrëveshjeje, Kosova vlerësohet se ka humbur deri në 12 milionë euro në vit, pasi inkasimi i tarifave të transmisionit që energjia kalon transit përmes Kosovës, është bërë nga shteti i Serbisë në emër të Kosovës.

Operatori i Sistemit të Serbisë (EMS) mbledh të hyrat e alokimit të kapaciteteve për linjat kufitare të Kosovës me shtetet fqinje. Ka disa vjet që Kosova e akuzon Serbinë për ndërhyrje në sistemin energjetik të Kosovës duke mos e njohur pavarësinë e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

Në vitin 2015, Kosova kishte nënshkruar marrëveshjen për kyçje të sistemit energjetik të Kosovës në Zonën Sinkrone të Evropës Kontinentale. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar midis KOSTT –it në njërën anë dhe organizatës së Operatorëve EUropian të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO-e).

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of