Kostot e dëmtimeve u rritën me 29% krahasuar me sezonin e mëparshëm, ku Paris Saint Germain (PSG) ka regjistruar shifrën më të lartë (34,22 milionë sterlina / 40,73 milionë euro), ndjekur nga Real Madrid (33,95 milionë sterlina / 40,41 milionë euro) dhe Barcelona (27,92 milionë sterline / 33,23 milionë euro).
Howden, ndërmjetësi ndërkombëtar i sigurimeve, publikoi sot European Football Injury Index (Indeksi i Dëmtimeve në Futbollin Europian) për sezonin 2021/2022, për futbollin e meshkujve. Raporti zbulon se kostot e dëmtimeve për klubet kryesore të kontinentit, për herë të parë, e kaluan shifrën gjysmë miliard sterlina (513,23 milionë £ / 610,75 milionë €).
Raporti i fundit, i treti i Howden, u publikua në sfondin e një debati mbi çështjen e ndeshjeve dhe kërkesave drejtuar autoriteteve të futbollit që të zbatojnë reforma radikale në kalendarin e ndeshjeve. Raporti bën një analizë të detajuar të kampionateve kryesore dhe klubeve europiane dhe ngre pyetjen nëse kostot e shkaktuara nga dëmtimet po bëhen të paqëndrueshme.
Numri total i dëmtimeve në pesë kampionatet kryesore europiane ishte 4.810 në sezonin e kaluar, me rritje me 20% krahasuar me sezonin 2020/2021, kur numri i dëmtimeve ishte 3.988.
Premier League angleze regjistroi numrin më të madh të dëmtimeve, me 1.231 në total (Chelsea kryeson klasifikimin me 97 të tillë), 540 më shumë krahasuar me numrin më të ulët të dëmtimeve të regjistruara në Ligue 1 franceze (691).
Klubet angleze kanë pësuar humbjen më të madhe, në 184,57 milionë sterlina (219,64 milionë euro). La Liga spanjolle renditet në vend të dytë me 109,34 milionë sterlina (130,12 milionë euro) të paguara për shkak të dëmtimeve.
Gjetje të tjera
-Chelsea mbetet në krye të klasifikimit të dëmtimeve në Premier League angleze, me 97 të tilla, Manchester United regjistroi 81 dëmtime dhe Liverpool, 80.
-Manchester City (me 67 dëmtime në total në sezon) ruajti vendin e tij në krye të kampionatit, pavarësisht se kishte mesatarisht tre lojtarë të padisponueshëm për ndeshje.
-Liverpool humbi kampionatin kundër Manchester City për vetëm një pikë. Liverpool ndjeu efektet e një sezoni me ndeshje konkurruese pas fitores në të dyja kupat kombëtare dhe humbjes me vetëm një gol përballë Real Madridit në finalen e UEFA Champions League. A i kushtuan kupën dëmtimet e pësuara Liverpool-it?
-PSG renditet, edhe një herë, në krye të klasifikimit në lidhje me kostot e dëmtimeve, duke paguar 34,22 milionë sterlina (40,73 milionë euro).
-Real Madrid regjistroi numrin më të madh të mungesave (114) dhe koston e dytë më të lartë (33,95 milionë sterlina, 40,41 milionë euro).
-Pesë klubet e para të Bundesliga-s regjistruan numrin më të madh të dëmtimeve (379), thuajse dyfishin krahasuar me 5 klubet e para të Francës (209).
Dëmtimet e futbollistëve nën 21 vjeç (under 21)
Një tjetër element në studim lidhet me dëmtimet e futbollistëve Under 21. Raporti tregon se numri i dëmtimeve të lojtarëve të rinj është rritur ndjeshëm në katër vitet e fundit, nga 30 në sezonin 2018/2019 në 326 në sezonin 2021/2022.
Numri më i lartë i dëmtimeve mund të lidhet me nevojën në rritje të klubeve për lojtarë më të rinj.
/ Howden