Shqiptarëve po iu rritet gjithmonë e më shumë interesi për shëtitjet me jaht

18/10/2019 10:04 PM 0 komente

Shqiptarëve po ju rritet gjithmonë e më shumë interesi për shëtitjet me jaht. Operatorët e tregut shprehen se të paktën 40% e atyre që marrin një jaht me qira për të shëtitur bregdetin shqiptar janë vendasit.

Abdurrahman Gulen, përfaqësues i “Yachting Saranda”, në një intervistë për “Monitor”, thotë se nuk mungon as interesi nga të huajt, numri i të cilëve është rritur së fundmi, edhe për shkak të hyrjes së tregjeve të reja nga shtetet europiane drejt vendit tonë. Pavarësisht ecurisë pozitive të industrisë detare dhe qiradhënies së jahteve, Gulen shprehet Shqipëria vuan nga mungesa e theksuar e porteve të jahteve.

 

Abdurrahman Gulen, përfaqësues i “Yachting Saranda”

 

Sa vite keni që operoni në tregun shqiptar?

Ne e nisëm aktivitetin tonë në vitin 2017 dhe 2019-a shënon vitin tonë të tretë në tregun shqiptar si operator në qiradhënien e jahteve. E kemi nisur rrugëtimin tonë në Sarandë me dy jahte si fillim.

Tashmë, sezoni veror 2019 mund të konsiderohet i mbyllur. Duke pasur parasysh vitin e kaluar, si e cilësoni ecurinë e verës që lamë pas?

Mund të themi se në vitet e para, turizmi në Shqipëri ka pasur më shumë vëmendjen e rajonit, pra e vizitonin më shumë shtetasit e Ballkanit. Së fundmi, po vëmë re një tendencë të rritjes së numrit të shtetasve nga shtetet e tjera të Europës, çka reflektohet edhe te kërkesa te biznesi ynë.

Kjo do të thotë që çdo vit e më shumë ka kërkesa të reja për cilësinë me të cilën duhet të ofrohen shërbimet. Si përmbledhje, mund të them se viti 2019 duket një vit më i mirë se 2018 në lidhje me sektorin në tërësi dhe biznesit të qiradhënies së jahteve.

Sa varka apo jahte keni në flotën tuaj si kompani?

Aktualisht, në Shqipëri kemi dy jahte, ndërkohë që duke qenë se operojmë edhe në rajon, kemi dy të tjerë në Korfuz, një në Mal të Zi dhe tre në Turqi.

Cilët janë turistët që parapëlqejnë të marrin me qira një jaht? Si qëndron raporti i kombësive – shqiptarët dhe të huajt – dhe për çfarë afati e marrin me qira mjetin përgjithësisht?

Turistët që preferojnë të marrin me qira një jaht nuk kufizohen vetëm në një nacionalitet. Ne vëmë re që ka interes si nga turistët shqiptarë, edhe nga ata të huaj. Parë në një raport, mund të them se 40% e atyre që marrin me qira një jaht janë vendas dhe pjesa tjetër janë të huaj nga vende të ndryshme. Përgjithësisht, koha për të cilën merret me qira mjeti është njëditore. Parapëlqejnë udhëtimet ditore.

Cila është tipologjia e turistëve që preferojnë këto lloj turesh?

Tipologjia varion, por në përgjithësi ne vëmë re që është një tendencë e familjarëve dhe çifteve që preferojnë këtë lloj argëtimi dhe turesh.

Cilat janë destinacionet që pëlqehen më shumë të vizitohen nga turistët me një jaht?

Vija bregdetare e Shqipërisë është e gjatë dhe ka plot vende ku mund të shkohet për t’i vizituar, por kryesisht Krorëza, Gjipeja dhe Porto Palermo mbeten më të preferuarat gjatë shëtitjeve ditore me jahte.

Çfarë ju ofroni në bord atyre që marrin me qira një jaht? A ka staf ndihmës apo është sipas dëshirës?

Ne e kemi gjithçka të organizuar në paketa dhe marrja me qira e jahtit përfshin, ndër të tjera, edhe shërbimin e një kuzhinieri, një hostess, marinar dhe kapiten. Çmimet finale që jepen janë all inclusive (të gjitha të përfshira) dhe në jaht nuk shesim gjëra të tjera.

A ka ndonjë problem që ju e shihni si pengesë në sektor dhe që institucionet duhet ta shohin me kujdes për ta përmirësuar?

Ne shohim që institucionet shtetërore janë pak të rezervuara dhe nuk janë shumë të gatshme për ta nxitur këtë sektor. Nga mosdija shoh që nuk janë të hapura për ide të reja. Zhvillimi i turizmit kërkon paralelisht zhvillimin e kësaj industrie dhe në momentin kur shteti të dojë të zhbllokojë këtë sektor, duke dhënë nxitjet e duhura, mendoj se do të ketë efekt të dukshëm. Nuk ka asgjë që e pengon zhvillimin e kësaj industrie nëse ka vullnet, pasi kushtet janë të përshtatshme.

Po për portet e jahteve, si e shihni si problematikë, duke qenë se në Shqipëri nuk ka shumë…

Kjo është e vërtetë. Ne nuk kemi sot një port të mirëfilltë për ankorimin e jahteve dhe ky është problemi më i madh që hasim gjatë ushtrimit të aktivitetit.

 

Elvira Kiço, administratore e “Albamar YachtCharter”

 

“Shqiptarët po bëhen më romantikë, jaht me qira për dreka dhe darka”

 

Marrja me qira e një jahti për një apo disa ditë, nuk është më një argëtim i pakonceptueshëm. Dinamika që ka pësuar turizmi vitet e fundit e ka bërë atë një alternativë interesante, që preferohet nga shqiptarët dhe të huajt që vizitojnë bregdetin tonë.

Elvira Kiço, administratore e “Albamar YachtCharter”, tregon se dy vitet e fundit vihet re një tendencë e marrjes me qira të një jahti edhe për disa orë, për një drekë apo darkë romantike. Ajo thekson se sot tregu po plotëson ofertën, duke ju përgjigjur kërkesës në rritje, por mungesa e porteve të dedikuara për jahtet, në disa pika të rëndësishme të bregdetit, nuk e favorizon këtë lloj aktiviteti.

Prej sa kohësh operoni në tregun shqiptar si kompani?

“Albamar YachtCharter” është një kompani italiane, e cila prej 6 vitesh operon edhe në Shqipëri, në dhënien e jahteve me qira në përmasat 18 deri në 22 metra. Kompania ofron jahte me kapiten dhe hostess në bord.

Sapo kemi mbyllur sezonin veror 2019. Nga ajo që ju vini re, si ka qenë kërkesa për këtë lloj shërbimi?

Çdo vit që kalon shohim rritje të kërkesës për Charter Yacht, më tepër nga shqiptarë të cilët jetojnë jashtë vendit prej vitesh dhe rikthehen në sezonin veror për pushim.
Ka një dëshirë të madhe, e cila rritet në çdo moment të klientëve për privatësi, komoditet, qetësi dhe eksplorim të mjeteve të këtyre formave dhe përmasave.

Për çfarë afati merren kryesisht me qira jahtet dhe cila është tipologjia e klientëve që preferojnë këtë lloj argëtimi?

Vitet e fundit, përveç rezervimeve ditore, klientët preferojnë edhe chartera javorë ose disaditorë me familjen ose shoqërinë.
Zakonisht, prenotimet ditore zgjidhen nga grupe të rinjsh për festa të ndryshme si ditëlindje, festa beqarie etj. Rezervimet disaditore preferohen nga familje ose çifte. Dy vitet e fundit shohim interesin e klientëve për darka ose dreka romantike në jaht, për dy ose tre orë. Kërkesa mesatare e orareve në rezervime ditore të plota është nga ora 11:00 – 19:00.

Cilat janë destinacionet që pëlqehen më shumë për t’u vizituar me jaht?

Destinacionet më të preferuara janë zonat jugore të Shqipërisë, si Karaburuni, Gjiri i Gramës, Dhërmiu, Porto Palermo.

Ju ofroni vetëm jahtin apo përfshihen edhe shërbime të tjera për ata që duan ta marrin me qira? Si varion kostoja e qiramarrjes?

Ne ofrojmë shërbimin nëpërmjet agjencisë sonë me jahte që janë konstruksion italian i po kësaj kompanie në Itali. Marrja me qira nis nga 1100 euro/dita në 18 metër motorë jaht privat. Në këtë çmim përfshihen kapiteni, hostess, karburanti dhe aperitiv në bord, si dhe të gjitha komoditetet e nevojshme përfshirë WiFi. Në jaht mund të akomodohen deri në 14 persona.

Sa problematik është për ju fakti që Shqipëria ka numër të kufizuar të marinave për jahte?

Një problem madhor për turizmin në Shqipëri dhe ne e hasim çdo ditë është numri i kufizuar i Marinave (porteve). I vetmi port i mirëfilltë në Shqipëri është Marina e Orikumit, ku ne jemi të ankoruar dhe kemi pikënisjen e udhëtimeve. Në zonat e frekuentuara dhe mrekullisht të bukura si Karaburuni, Palasë, Dhërmi, Porto Palermo, mungojnë vendet për ankorim të barkave dhe në Gadishullin e Karaburunit, mungojnë kryesisht restorante të mirëfillta me shumëllojshmëri ushqimesh për klientët.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of