Andi Ballta rrit pjesëmarrjen nē ABI Bank, por nuk ndryshon paketa kontrolluese 

28/12/2020 11:01 PM 0 komente

Kontrolli i vendimarrjes do të vijojë të jetë 50/50 për qind me NCH Capital, sipas burimeve zyrtare nga banka…

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar në mesin e muajit dhjetor kalimin e 80% të aksioneve të institucionit financiar jo-bankë Tranzit në pronësi të Andi Balltës.

Përmes këtij transaksioni, do të ketë të njëjtën peshë në Bankën Amerikane të Investimeve (ABI Bank), ku Tranzit është aksionar i vetëm. Andi Ballta do ta ushtrojë këtë kontroll nëpërmjet kompanisë amerikane MOSCOPOLE INC. ku ai zotëron 100% të aksioneve.

Andi Ballta mban detyrën e drejtorit të përgjithshëm të ABI Bank që prej vitit 2015. Ai aktualisht zotëron 30% të kuotave të institucionit financiar Tranzit, ndërsa pjesa e mbetur, prej 70% e aksioneve mbahen nga dy shoqëri NCH Balkan Fund dhe New Century Holdings, që kontrollohen nga kompania amerikane NCH Capital.

Por përse ky ndryshim dhe çfarë do të sjellë në menaxhimin e bankës? Si reflektohet ai në paketën kontrolluese?

“Kalimi i aksioneve lidhet vetëm me aspektin komercial të bazuar në një marrëveshje midis aksionarëve të Tranzit në vitin 2014.”, – thotë Andi Ballta, për “Monitor”.

“Sipas kësaj marreveshjeje unë kisha një mundësi rritjeje të pjesëmarrjes sime në kapital. Ky është një standard i njohur për fondet e investimit apo të kapitaleve (private equity) që stimulon një përqasje më sipërmarrëse të drejtuesve”, pohon ai.

“Si dhe më parë, kontrolli i vendimarrjes do të vazhdojë të jetë 50/50 përqind midis NCH Capital dhe meje. Pra, nuk ka asnjë ndryshim si në paketën kontrolluese ashtu dhe në drejtimin strategjik apo operacional të bankës në nivel bordi, në qendër apo degë. NCH Capital vazhdon të jetë një mbështetës aktiv i ABI në planet e zgjerimit organik apo akuizitiv.”, – shpjegon Ballta duke vijuar se një marrëveshje e tillë ofron një përqasje të re në mënyrën e të bërit biznes duke rritur mundësitë për një përputhje më të mirë të interesave të stafit dhe aksionarëve.

“Ndihem shumë entuziast për mundësitë që kjo marrëveshje do sjellë për gjithë punonjësit e ABI-t. Që prej fillimeve të ABI, fryma sipërmarrëse është në thelb të përqasjes amerikane të të bërit biznes. Kjo marrëveshje do mundësojë më shumë një përputhje më të lartë të interesave të kolegëve dhe aksionarëve në një të ardhme të afërt. Është realitet i pamohueshëm që përputhja e interesave të stafit lokal me aksionarët, sjell rezultate pozitive pasi siguron përthithje të talenteve më të mira të tregut bankar (dhe në këtë treg ka shumë talent) dhe përkushtim afatgjatë financiar dhe kulturor të këtij talenti në bankë. Gjithashtu, ABI mendoj se është një shembull shumë i mirë i një alternative për tregun bankar ku aksionarët, drejtuesit dhe punonjësit janë të përfaqësuar në mënyrë më aktive në strategjinë e bankës. Sidomos në një kontekst banke butik, kjo përqasje është shumë konkurruese. Kombinimi i një invesititori amerikan me shumë eksperiencë dhe potencial zgjerimi, menaxhimi modern, proaktiv, transparent dhe i bazuar në talent vendas, dhe paketa shpërblimi shumë konkurruese për punonjësit, është në thelb të suksesit të ABI”, pohoi z.Ballta.

Shitja e aksioneve është miratuar në muajin shtator edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, që nuk e ka vlerësuar transaksionin në fjalë si përqendrim.

Në vitin 2014, kur Andi Ballta hyri si aksionar në Tranzit, marrëveshja kuadër parashikonte në mënyrë të posaçme se kontrolli në shoqëri do të ushtrohet nga të tre ortakët dhe asnjë prej vendimeve nuk do të bëhet efektiv pa votën pro të të gjitha palëve. “Kjo pikë ngelet në fuqi edhe me marrëveshjen e re dhe vendimmarrja në shoqëri do të vazhdojë të bëhet me unanimitet. Duke u nisur nga ky fakt, Komisioni Konkurrencës ka vlerësuar se jemi para rastit që nuk përfitohet kontroll për të ushtruar influencë vendimmarrje në veprimtarinë e shoqërisë Tranzit, ndaj transferimi i kuotave nuk është vlerësuar si përqendrim”.

Banka Amerikane e Investime nisi aktivitetin në vitin 2015, kur grupi NCH Capital, nëpërmjet Tranzit, bleu filialin shqiptar të grupit francez Credit Agricole.

Në vitin 2018, ABI Bank u zgjerua më tej, duke blerë edhe filialin e NBG Bank në Shqipëri.

Në fund të shtatorit 2020, ABI Bank ishte banka e gjashtë më e madhe në Shqipëri me 5.5% të tregut, për një total aktivesh prej 86.1 miliardë lekësh. Rezultati financiar i bankës për 9-mujorin 2020 ishte pozitiv për 798 milionë lekë ose 6.5 milionë euro, ndërsa kthimi nga kapitali, mesatarizuar me bazë vjetore, ishte 11.3%.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of