Këshilli i Ministrave ka hartuar një projektvendim, i cili pritet të shtyjë afatin e deklarimit të regjistrit të pronarëve përfitues edhe me 3 muaj, përtej 31 marsit që ishte afati fillestar, duke e çuar në 30 qershor.
Sipas draftit, që iu është dërguar shoqatave të biznesit për mendim, parashikohet që të bëhet një ndryshim në Vendimin nr. 1088, date 24.12.2020 “Për përcaktimin e mënyrës dhe procedurave të regjistrimit dhe publikimit të të dhënave për pronarët përfitues, si dhe të njoftimit nga autoritetet shtetërore kompetente dhe nga subjektet e detyruara”, i cili përcakton se “Subjektet raportuese ekzistuese regjistrojnë të dhënat për pronarët e tyre përfitues brenda 60 ditëve kalendarike nga Krijimi i Regjistrit të Pronarëve Përfitues, por jo më vonë se data 30.06.2021”.
Ndryshimi erdhi pas ankesave të shumta të Shoqatave të biznesit që shprehën shqetësimin lidhur me problematikat që po hasnin në deklarimin e pronarëve përfitues, sidomos ata që ishin të huaj. Pak ditë më parë, 11 Dhoma Tregtie dhe Shoqata Biznesi, kryesisht të huaja, i dërguan një shkresë ministres së Financave, Anila Denaj, dy komisioneve parlamentare dhe për dijeni kryeministrit Edi Rama, ku kërkonin shtyrjen e afatit për deklarimin e të dhënave të pronarëve përfitues.
Lexo edhe këtë: Shoqatat e biznesit, letër Denajt dhe Ramës: Të shtyhet afati për regjistrin e pronarëve përfitues
Një tjetër shqetësim i ngritur në kërkesën e bizneseve ishte zgjatja e vlefshmërisë së dokumenteve me origjinë të huaj deri në 90 ditë (nga 1 muaj që parashikon ligji aktual) pasi, sipas tyre është e vështirë që një subjekt i huaj të pajiset me dokumentacionin e nevojshëm në vendin e origjinës, ta apostilojë, përkthejë zyrtarisht në gjuhën shqipe dhe ta noterizojë në një afat kaq të shkurtër.
Vendimi i ri i qeverisë pritet që të adresojë dhe këtë problematikë. Sipas draft vendimit, Pika c, e kreut III, “Dokumentacioni dhe forma e kērkuar”, ndryshon si vijon: “Dokumentacioni i përcaktuar në pikat “i”. “i” dhe “iv” të gërmës “a” duket të jetë hartuar jo më vonë se 90 dite kalendarike nga data e aplikimit për regjistrimin fillestar të të dhënave të pronarit përfitues, të subjekteve raportuese”.
Rreth 55 mijë biznese duhet të deklarojnë pronarët përfitues, edhe ata me status pasiv
Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) bën të ditur se në total janë rreth 55 000 subjekte (subjekte tregtare dhe OJF), të cilët kanë detyrimin e regjistrimit të pronarit përfitues. Gjoba e parashikuar në rast të mos aplikimit është 500 mijë lekë (rreth 4 mijë euro).
Detyrimin për të bërë këtë deklarim e kanë edhe gjithë subjektet apo organizatat jofitimprurëse, që janë në status pasiv dhe përjashtohen vetëm subjektet e çregjistruara. https://www.monitor.al/bizneset-ne-kerkim-te-pronareve-si-veprohet-kur-kompanite-jane-listuar-ne-bursa-cili-eshte-pronar-perfitues-ne-ojf/
Objekt i deklarimit nuk janë vetëm personat fizikë.
Regjistrimi bëhet me aplikim nga personi i autorizuar (përfaqësuesi ligjor) për të përfaqësuar subjektin përkatës, nëpërmjet shërbimit “regjistrim i pronarit përfitues”, në portalin e-albania. https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=14519
Por, ky proces po has vështirësi të shumta, që nga funksionimi i platformës deri te paqartësitë teknike për pronarin përfitues të OJF-së, koha e nevojshme për sigurimin e dokumentacionit për investitorët e huaj, identifikimin e kompanive të huaja që janë listuar në bursa të ndryshme, por dhe kompani që pronari përfitues nuk është një person fizik, por një shtet i huaj.
Lexo edhe këtë: Bizneset në “kërkim” të pronarëve; Si veprohet kur kompanitë janë listuar në bursa, cili është pronar përfitues në OJF
Ligji për “Regjistrimin e pronarëve përfitues”, i cili ishte një kërkesë e Mekanizmit Europian Moneyval me qëllim luftën kundër pastrimit të parave, është miratuar në gusht 2020, ndërsa udhëzimi që rregullon funksionimin e tij, në dhjetor 2020. Ligji, që synon të bëjë transparencë mbi aksionerët e subjekteve të ashtuquajtura offshore (me pronar të panjohur) parashikonte një muaj kohë për krijimin e Regjistrin e Pronarëve Përfitues (RPP), deri më 31 janar, proces që u realizua nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Pas krijimit të regjistrit, subjektet raportuese kanë 60 ditë afat për të regjistruar pronarin/ët përfitues.
Pronar përfitues, sipas ligjit, është individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit, përmes pronësisë direkte ose indirekte të 25% ose më tepër, të: aksioneve/kuotave; pjesëmarrjes në kapitalin e subjektit; të drejtave të votimit; ose përfiton nga transaksionet e kryera nga subjekti në emër të tij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.