Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë kanë goditur një skemë që kryente tregtimin dhe transportimin e produkteve që futen dhe dalin nga Shqipëria, duke mos iu nënshtruar regjimit doganor dhe për rrjedhojë tregtohen duke shmangur detyrimet tatimore, duke sinjalizuar rritjen e kontrolleve në kuadër të luftës kundër informalitetit.
Sipas njoftimit zyrtar, në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, si rezultat i një pune dhe ndjekjeje intensive nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u finalizua operacioni i koduar “ FAST DELIVERY”.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se mekanizimi i kësaj skeme ushtrohej fizikisht dhe nëpërmjet faqeve online si Instagram dhe Facebook, duke i shkaktuar një dëm të madh shtetit.
Nga kontrolli që është kryer në këto subjekte, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, është konstatuar se shumë prej pakove me destinacion blerësin nuk ishin të pajisura me kupon ose faturë tatimore sipas legjslacionit përkatës.
Kjo skemë u mundësonte personave ose subjekteve tregtare që e zhvillonin konkurencë të pandershme krahasuar me bizneset e rregullta.
Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
-6 magazina, me një sasi malli të konsiderueshme të dyshuar kontrabandë dhe të papajisura me faturë tatimore;
-300 lloje të ndryshme produktesh industriale (si: veshje, parfume, medikamente mjekësore, vegla dhe materiale ndërtimi të cilat kapin një vlerë të konsiderueshme, afërsisht 1 milion euro)
-shuma monetare të cilat ishin përfituar nga shitja e produkteve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.