Kredia e re për ekonominë po reziston në nivele të kënaqshme në pjesën e parë të këtij viti, pavarësisht kushteve më të shtrënguara monetare.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, për muajin prill kredia e re për ekonominë kishte vlerën e rreth 22.8 miliardë lekë, me një rënie të lehtë prej 2.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për të gjithë 4-mujorin e parë të vitit, vlera e kredisë së re ka arritur në 86.6 miliardë lekë, edhe në këtë rast me një rënie vjetore prej 2.9%. Vlera e kredisë së re ngelet në nivelin e dytë më të lartë për tetë vitet e fundit.
Megjithatë, në krahasimin e shifrave duhet mbajtur në konsideratë edhe efekti negativ i kursit të këmbimit, për shkak të mbiçmimit të lekut ndaj euros. Deri në muajin prill, leku rezultonte i mbiçmuar me rreth 7% me bazë vjetore kundrejt euros. Duke qenë se pjesa më e madhe e portofolit të kredisë është në valutë të huaj dhe kryesisht në euro, kjo ka dhënë një impakt negativ në shifrat e kredisë që raportohen në lekë.
Segmenti i kredisë për individë vazhdon të shfaqet i shëndetshëm edhe në pjesën e parë të këtij viti dhe kredia e re vazhdon të jetë në rritje. Për 4-mujorin, kreditë e reja për individët arritën vlerën e 27.9 miliardë lekëve, në rritje me 4.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Analizat e Bankës së Shqipërisë kanë treguar se kredia po vazhdon të rritet sidomos në segmentin e pasurive të paluajtshme dhe kryesisht në monedhën euro. Rritja e me ritme të larta e depozitave në euro gjatë dy viteve të fundit ka krijuar një gjendje të bollshme likuiditeti në monedhën europiane.
Bankat po e shfrytëzojnë këtë likuiditet për të vazhduar me ofrimin e normave tërheqëse të interesit, sidomos në vitet e para të kredisë. Në këtë mënyrë, kredia për shtëpi po vazhdon rritjen, duke ushqyer kërkesën në tregun e pasurive të paluajtshme.
Në muajt mars dhe prill, ruajtja e niveleve relativisht të larta të kredisë është ndikuar edhe nga rikthimi i kreditimit në segmentin e korporatave publike, që prej afërsisht një viti kishte qenë në vlera minimale. Për 4-mujorin 2022, kredia e re për korporatat publike ka arritur në 6.7 miliardë lekë, në rritje me 72% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Historikisht, kredia për kompanitë publike është e lidhur, në masën dërrmuese, me sektorin energjetik. Megjithatë, duke qenë se stoku i kredisë në këtë segment nuk është rritur, me shumë të ngjarë rritja e kredisë së re i detyrohet rinovimit të linjave aktive të kredisë të shoqërive publike të sektorit të energjisë elektrike.
Ndër segmentet e mëdha të tregut, ai i kompanive private është i vetmi që këtë vit po rezulton në rënie. Në këtë segment, edhe efekti negativ statistikor i kursit mund të jetë disi më i lartë, për shkak të peshës më të madhe të kredisë në valutë.
Në 4 muaj, sektori bankar ka disbursuar 51.9 miliardë lekë kredi të reja, në rënie me 11.5% krahasuar me një vit më parë.
Në analizën e Bankës së Shqipërisë, ky ngadalësim pasqyron rënien e kërkesës për financim për kapital qarkullues nga bizneset në prani të tendencave stabilizuese të çmimeve, uljes së pasigurisë dhe shtrëngimit të kushteve të ofertës, por edhe shlyerjet e larta të kredive si pasojë e likuiditetit të shtuar të bizneseve në reflektim të aktivitetit të mirë ekonomik.
Kredia në këtë segment reflekton dhe rikthimin e sjelljes sezonale të fillimvitit në ndryshim nga një vit më parë, kur konflikti në Ukrainë dhe rritja e çmime solli një kërkesë të lartë për financimin e nevojave për likuiditet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.