Qeveria shqiptare do të dyfishojë huamarrjen në tregun e brendshëm financiar për vitin e ardhshëm.
Sipas projektbuxhetit të vitit 2024, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re e parashikuar për t’u financuar në tregun e brendshëm është 50 miliardë lekë, nga 25 miliardë të planifikuara për vitin 2023, mbështetur në aktin e fundit normativ.
Në pjesën më të madhe, ndryshimi i ndjeshëm në vlerën e huamarrjes së brendshme është i lidhur me Eurobondet. Këtë vit, Shqipëria realizoi dje emetimin e Eurobondit të gjashtë në historinë e saj, për një shumë totale prej 600 milionë eurosh.
Kjo shumë po përdoret për të financuar një pjesë të deficiti të parashikuar buxhetor për vitin 2023 dhe pjesërisht për të ulur borxhin e jashtëm, nëpërmjet shlyerjes para afatit të një pjese të Eurobondit që maturohet në vitin 2025.
Për vitin 2024, Qeveria nuk ka planifikuar emetime të reja të Eurobondit dhe pjesa më e madhe e deficitit të planifikuar buxhetor do të financohet nëpërmjet emetimit të instrumenteve të borxhit në tregun e brendshëm financiar.
Sipas relacionit të projektbuxhetit, huamarrja e re në tregun e brendshëm pritet të realizohet kryesisht nëpërmjet titujve shtetërorë afatgjatë në përputhje me objektivat për reduktimin e risqeve, por gjithashtu duke iu përshtatur edhe preferencave të investitorëve për titujt.
Rritja e huamarrjes së brendshme mund të sjellë ndikime edhe në ecurinë e yield-eve të bonove dhe obligacioneve qeveritare vitin e ardshëm. Një rritje e kërkesës për financim mund të ndikojë në rritjen e yield-eve, duke marrë në konsideratë edhe pritshmëritë për vazhdimin e shtrëngimit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë vitin e ardhshëm.
Banka e Shqipërisë e ka ndalur normalizimin e normave të interesit në nivelin e 3.5% dhe ka aplikuar vetëm dy rritje të normës bazë që nga fillimi i vitit. Kjo ka ardhur sidomos për shkak të forcimit të Lekut në kursin e këmbimit, por edhe politikës fiskale shtrënguese të qeverisë.
Të dy këta faktorë në teori kanë zbutur presionet inflacioniste, duke i mundësuar Bankës së Shqipërisë të mbajë norma interesi më të ulëta krahasuar me shumicën e vendeve të Europës. Kjo ka sjellë edhe një rënie të ndjeshme të yield-eve të bonove dhe obligacioneve, veçanërisht në gjysmën e parë të vitit.
Megjithatë, për vitin e ardhshëm duket se gjasat janë që yield-et të rriten në nivele më të larta, për shkak të kursit të politikës monetare, por edhe kërkesës së shtuar për financim të qeverisë shqiptare.
Ecuria e yield-eve të titujve të borxhit qeveritar luan një rol të rëndësishëm edhe në normat e interesit të kredive të sektorit privat dhe sidomos te kreditë me norma të ndryshueshme interesi, që indeksohen mbi yield-in e bonove të thesarit./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.