Huamarrja e qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm financiar do të rritet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.
Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar do të ketë vlerën e 121 miliardë lekëve, në rritje me 3.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 dhe me gati 45% krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Në pjesën më të madhe, huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm financiar konsiston në rinovim ose rifinancim të instrumenteve të maturuara. Rifinancimi i borxhit ekzistues pritet të bëhet kryesisht nëpërmjet bonove të thesarit, ndërsa mbulimi i deficitit të ri të krijuar synohet të realizohet nëpërmjet obligacioneve.
Tremujori i ardhshëm pritet të ofrojë mundësi të reja investimi për investitorët e interesuar në instrumente afatgjata.
Në muajin janar, Ministria e Financave do të emetojë obligacione të reja 10-vjeçare, me vlerë 2.5 miliardë lekë, ndërsa në muajin shkurt është parashikuar një emetim i ri i obligacioneve 15 vjeçare, për një shumë fillestare të planifikuar prej dy miliardë lekësh.
Viti 2022 ka qenë sfidues për huamarrjen e qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm financiar. Inflacioni i lartë dhe rritja e shpejtë e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë sollën rritje të shpejtë të yield-eve.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në fund të muajit shtator yield-i mesatar i të gjitha instrumenteve arriti në 3.72%, nga 3.55% që kishte qenë në fund të tremujorit të dytë dhe 3.5% në fund të tremujorit të parë.
Por, rritja e shpejtë e yield-eve, nga ana tjetër, shkaktoi pasiguri të shtuar dhe hezitim te investitorët, sidomos në segmentin e titujve afatgjatë. Kjo shkaktoi ulje të kërkesës për këto instrumente dhe vështirësi në plotësimin e shumave të planifikuara të huamarrjes.
Megjithatë, në javët e fundit tregu po jep sinjale stabilizimi. Rritja e inflacionit është ngadalësuar, madje në nëntor ai pësoi rënie për herë të parë pas një viti. Në këto kushte, pritet që rritja e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë vitin e ardhshëm të ketë një ritëm më të ngadaltë krahasuar me këtë vit. Në këto kushte, pritet që edhe yield-et të jenë më të qëndrueshme.
Sipas projektbuxhetit të vitit 2023, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re të parashikuara për t’u financuar në tregun e brendshëm është 25 miliardë lekë, 24% më pak krahasuar me projeksionin e vitit 2022, bazuar në aktin e fundit normativ. Ulja e huamarrjes së brendshme është e lidhur, në radhë të parë, me parashikimin në ulje të deficitit buxhetor.
Për vitin 2023, deficiti i buxhetit parashikohet në vlerën e 55.5 miliardë lekë, në rënie me pothuajse 34% krahasuar me planin e këtij viti. Në terma realë, deficiti pritet të bjerë në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 4.1% për vitin 2022. Shpenzimet për interesa në buxhetin 2023 parashikohen në vlerën 60.9 miliardë lekë, në rritje me 20% krahasuar me vitin 2022.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.