Huamarrja e qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm financiar do të rritet në tremujorin e parë të vitit 2022.
Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar do të ketë vlerën e 116.7 miliardë lekëve, në rritje me 71% krahasuar me tremujorin e fundit 2021 dhe me rreth 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Diferenca e lartë krahasuar me tremujorin e fundit të këtij viti shpjegohet kryesisht me faktin që një pjesë e nevojave për mbulimin e deficitit janë përmbushur nëpërmjet eurobondit prej 650 milionë eurosh që u emetua në tregjet financiare në muajin nëntor. Një strategji e ngjashme ishte ndjekur edhe gjatë vitit të kaluar, kur deficiti në pjesën e dytë të vitit u mbulua kryesisht me Eurobondin e qershorit 2020. Megjithatë, duke qenë se Eurobondi do të përdoret kryesisht për shlyerjen e detyrimeve të borxhit të jashtëm, efekti i tij në zëvendësimin e huamarrjes së brendshme do të jetë i kufizuar.
Në pjesën më të madhe, huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm financiar konsiston në rinovim ose rifinancim të instrumenteve të maturuara. Vetëm një pakicë e vlerës së titujve të emetuar do të jenë janë borxh i ri. Në muajin janar, Ministria e Financave do të emetojë obligacione të reja 10-vjeçare, me vlerë 5 miliardë lekë, siç është bërë traditë në vitet e fundit. Në muajin shkurt është parashikuar një emetim i ri i obligacioneve 3-vjeçare reference, për një vlerë prej 10 miliardë lekësh, ndërsa në muajin mars do të emetohen obligacione referencë 5-vjeçare në muajin mars, me vlerë 4 miliardë lekë.
Sipas projeksioneve të Projektbuxhetit, deficiti buxhetor, në terma realë, programohet të ulet në 5.4% të PBB-së për vitin 2022, kundrejt nivelit 6.8% të pritur për vitin aktual. Në vlerë nominale, deficiti buxhetor parashikohet të ketë vlerën e 100.9 miliardë lekëve, me një rënie prej 16.3% krahasuar me deficitin që parashikon akti i fundit normativ për buxhetin 2021.
Megjithëse deficiti për vitin 2022 pritet të jetë më i ulët krahasuar me vitin që po mbyllet, huamarrja e brendshme për të mbuluar këtë deficit do të jetë pranë vlerës së 50 miliardë lekëve, po aq sa në vitin 2021. Zakonisht, shuma e deficit të ri vjetor të financuar në tregun e brendshëm nuk ka luhatje shumë të mëdha, për të ruajtur ekuilibrat e tregut financiar.
Sidoqoftë, të paktën në tremujorin e parë të vitit, huamarrja e brendshme do të rritet, çka do të shtojë kërkesën në tregun financiar dhe mund të sjellë një rritje të yield-eve të instrumenteve të borxhit qeveritar. Kjo tendencë mund të nxitet më tej nga një ndryshim i pritshëm në kahun e politikave monetare. Rritja e shpejtë e presioneve inflacioniste në tremujorin e fundit 2021 mund të sjellë një tërheqje të stimulit monetar dhe rritje të normave të interesit gjatë vitit të ardhshëm./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.